» Zhvlerësimi i euros/ Prodhuesit letër qeverisë: Ja pasojat, merrni masa

Zhvlerësimi i euros/ Prodhuesit letër qeverisë: Ja pasojat, merrni masa

Zhvlerësimi i euros po kthehet në shqetësim për biznesin. Pas eksportuesve, dje nëpërmjet një letre dërguar qeverisë, edhe prodhuesit u shprehën se po përballen me efekte negative nga mbiçmimi i kursit.

euro63

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë në letrën dërguar Kryeministrit Edi Rama, ministrit të Financave, Arben Ahmetaj dhe ministres së Sipërmarrjes, Sonila Qato, kërkuan marrjen e masave dhe ngritjen e një grupi pune për të evidentuar shkaqet e rënies së euros. Prodhuesit shprehen se zhvlerësimi i monedhës europiane po ul fitimet e tyre dhe po dëmton konkurrueshmërinë e mallrave shqiptare.

LETRA

“Nisur nga shqetësimet e marra nga industritë prodhuese-eksportuese shqiptare, mbi fenomenin që po përballen muajt e fundit si pasojë e ndryshimit të pakontrolluar dhe të shpejtë të kursit të këmbimit të valutës së huaj, lind nevoja emergjente që ky shqetësim madhor të merret seriozisht në konsideratë nga institucionet shtetërore dhe në veçanti nga ministria juaj. Nga analizat e kryera përgjatë gjithë kësaj kohe mbi kompanitë prodhuese-eksportuese të disa sektorëve, vihet re se ky fenomen ka prekur drejtpërdrejt fitimin e eksportuesit duke i nxjerrë kompanitë me humbje, për ketë arsye nuk mund të qëndrohet më në pasivitet për këtë çrregullim të tregut valutor.

Ndryshimi i kursit gjatë këtij 4-mujori për vitin 2018, është i papritur dhe mjaft shqetësues për prodhuesit. Ndërkohë që nuk është marrë asnjë masë për të rikthyer stabilitetin e kursit të këmbimit dhe nuk kemi informacion se çfarë do të ndodhe më tej. Nëse kursi i këmbimit do të ndjekë të njëjtin ritëm në muajt në vazhdim, sipërmarrjet prodhues-eksportues do të rezultojnë me një fitim të përgjysmuar, çka do të thotë mungesë investimesh, mungesë rritje pagash, ulje të punësimit, etj..

Qeveria duhet të ketë kujdes në çdo politikë publike që ndërmerr, me qëllim që të sigurojë prodhuesit shqiptarë, që nuk do të ketë ndikim negativ në konkurrueshmërinë e produkteve “Made in Albania”. Aq më tepër, edhe në kuadër të nismave rajonale për një ekonomi të përbashkët të Ballkanit Perëndimor. Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë u bën thirrje Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për ngritjen e menjëhershme të një grupi pune për analizimin e kësaj situate, si dhe marrjen e masave për të ndaluar zhvlerësimin e monedhës së huaj në vend”, përfundon letra.


360grade.al


Vdekja, ky udhëtim pa kthim…

Të tjera