» Tronditet futbolli shqiptar, pas Skënderbeut, UEFA dënon edhe Tiranën

Tronditet futbolli shqiptar, pas Skënderbeut, UEFA dënon edhe Tiranën

Pesë anëtarët e Dhomës Rregullatore të Konflikteve, në qeverinë europiane të futbollit UEFA, janë ata që kanë vendosur t’i mohojnë skuadrës së Tiranës një çek të majmë financiar, të cilin bardheblutë duhej ta përfitonin sipas programit nga pjesëmarrja në Europa League.

Në njoftimin zyrtar të UEFA-s thuhet se, komisionerët kërkuan dokumente shtesë nga FSHF-ja për mënyrën sesi është licencuar Tirana, në mënyrë që të merrte pjesë në garat kontinentale.

Ndërkohë, në hetimet e zhvilluara nga organet e UEFA-s mësohet se, skuadra kryeqytetase nuk kishte përmbushur kriteret e licencimit, e se kishte pagesa të prapambetura në sigurime sociale dhe në institucionet tatimore deri në mars të vitit 2017.

Bazuar në gjetjet e hetuesve, Bordi kontrollues financiar i Klubeve (Club Financial Control Body) vendosi të mos i japë akses Tiranës në fondin prej 215 mijë eurosh për pjesëmarrjen në Europa League, vitin e kaluar.

Tirana do të paguajë gjithashtu 3 mijë euro për shpenzimet proceduriale. Ky vendim mund të apelohet në CAS brenda 10 ditëve nga marrja në dorëzim e raportit. Por, mbetet mister fakti nëse Tirana e ka marrë në kohë, raportin që daton më 6 mars në zyrat e Nionit, e nëse e ka marrë, a e ka apeluar vendimin brenda 10 ditëve të limitit kohor.

Lajmi i keq vjen vetëm dy ditë pasi Tirana siguroi edhe matematikisht ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar, pasi mposhti Pogradecin në një ndeshje të vlefshme për Kategorinë e Parë, të shtunën.


360grade.al


Parashikime te zymta për ardhmërinë e PD

Të tjera