» Perspektiva të reja ekonomike midis Turqisë dhe Shqipërisë

Perspektiva të reja ekonomike midis Turqisë dhe Shqipërisë

MURAT AHMET YÖRÜK*

Falë lidershipit vizionar të Presidentit tonë, Recep Tayyip Erdogan, Turqia po u afrohet objektivave që do të mundësojnë që në vitin 2023, në vitin e njëqindvjetorit të shpalljes së Republikës, të jetë midis 10 vendeve me ekonomi më të zhvilluar në botë. Në kuadrin e objektivave që njihen si Vizioni për Vitin 2023, Turqia është e vendosur të ketë GDP-në 2 trilionë dollarë, të ardhurat kombëtare për frymë 25.000 dollarë dhe eksportin 500 miliardë dollarë.

 Ekonomia e Turqisë ka regjistruar një rritje mesatare në masën 5,7 % si rezultat i reformave dhe strukturës së qëndrueshme politike të arritur gjatë 15 vjetëve të fundit. Sipas kriterit të “Fuqisë blerëse”, ekonomia turke është e trembëdhjeta në botë dhe e gjashta në Europë. Me gjithë rrethanat politike negative që kaluam në vitin 2016 dhe tentativën për grusht shteti, vazhdoi stabiliteti ekonomik. Në tremujorin e tretë të vitit 2017, Turqia me një rritje në masën 11,1 % ishte vendi me rritjen më të lartë ekonomike mes vendeve të Grupit 20. Rritja ekonomike është pasqyruar pozitivisht edhe në mirëqenien e shtetasve tanë.

Të ardhurat kombëtare për frymë në vitin 2002 ishin 3.500 dollarë, ndërsa në vitin 2016 iu afruan 11.000 dollarëve, duke arritur një sukses historik. Ndërsa prodhimi i përgjithshëm bruto nga 236 miliardë dollarë u ngjit në 863 miliardë dollarë. Në nëntor të vitit 2017 numri i të punësuarve arriti në 28,5 milionë. Pas krizës globale të vitit 2008, janë krijuar vende pune shtesë për rreth 8 milionë vetë. Sukseset ekonomike të Turqisë po ndiqen nga afër edhe nga qarqet financiare ndërkombëtare. Këto 15 vjetët e fundit, Turqia është shndërruar në një ndër vendet më të rëndësishëm për investitorët e huaj.

Vendi ynë deri në vitin 2002 kishte tërhequr investime të huaja në vlerën 14,6 miliardë dollarë, ndërsa që nga ai vit deri më sot janë realizuar gjithsej 194,1 miliardë dollarë. Vetëm gjatë vitit 2017 u regjistruan investime të huaja në vlerën 10,8 miliardë dollarë. Nga ana tjetër, Turqia është në pozicionin i një vendi investitor të rëndësishëm në vendet e tjera. Investitorët turq investojnë në çdo cep të botës dhe kanë shkruar histori suksesi. Investimet e kompanive turke jashtë vendit kanë arritur në 31 miliardë dollarë.

Falë këtyre investimeve janë punësuar 181.500 persona, nga të cilët 13.000 turq dhe 168.500 të huaj. Me gjithë stanjacionin ekonomik global, Turqia po realizon megaprojekte që mundë- sojnë modernizimin e transportit, energjetikës, arsimit dhe shëndetësisë. Falë vullnetit të fuqishëm politik të Presidentit tonë dhe të qeverisë sonë, që nga viti 2008 nga dhjetë megaprojektet që po vazhdojnë në shkallë botërore, gjashtë prej tyre janë realizuar në Turqi.

Midis tyre, projekti më i rëndësishëm është ai i “Aeroportit të tretë të Stambollit”, që do të jetë aeroporti më i madh në botë me kapacitet prej 200 milionë udhëtarësh. Faza e parë e këtij projekti me vlerë të përgjithshme 33 miliardë dollarë do të përurohet në tetor të këtij viti. Të njëjtat kompani turke, që po realizojnë këtë projekt, do të ndërtojnë një aeroport tepër modern në Vlorë. Projekti “Ura dhe autostradat e Çanakkalasë”, që do të bashkojë Europën dhe Azinë nëpërmjet Ngushticës së Çanakkalasë dhe ku do të jetë ura me largësinë më të madhe midis dy këmbëve në botë, do të kushtojë 10,5 miliardë dollarë dhe do të përurohet në vitin 2023.

“Ura Osman Gazi”, me një kosto 6,5 miliardë dollarë dhe që përfundoi në vitin 2016, ka mundësuar që udhëtimi midis Stambollit dhe Izmirit të zgjasë vetëm tri orë e gjysmë. Projektet për “Urën Javuz Sulltan Selim”, “Tunelin Marmaraj”, që bashkon Europën me Azinë nëpërmjet thellësive të Detit Marmara, “Tunelin Euroazia”, që bashkon me rrugë automobilistike nën det të dy kontinentet, kanë modernizuar infrastrukturën e transportit në Stamboll. Projekti i hekurudhës Kars-Tfilis-Baku, i përfunduar në vitin 2017, përbën fazën e parë të linjës moderne të Rrugës së Qumështit që do të fillojë në Kinë dhe do të zgjatet deri në Europë.

Në Turqi ka filluar edhe një program i gjerë investimesh që do ta ngrenë në standardet më të larta moderne strukturën shëndetësore të përparuar. Në këtë kuadër, sipas modelit Ndërtim-Administrim-Transferim në të gjithë vendin janë investuar 11,5 miliardë dollarë për 30 kampuse shëndetësore. Në rajonin Bilkent të Ankarasë, në një sipërfaqe prej 1,3 milionë metrash katrorë po ngrihet Kampusi Shëndetësor, i cili do t’u shërbejë 50.000 pacientëve në ditë. Turqia, nga njëra anë, fuqizon infrastrukturën dhe, nga ana tjetër, diversifikon dhe transformon ekonominë e vendit.

Programet tona të mbështetjes ekonomike janë fokusuar në kalimin nga një strukturë ekonomike të mbështetur në eksportin e tekstileve dhe të prodhimeve bujqësore, në ekonominë intensive të teknologjisë dhe të informacionit. Këto vitet e fundit janë arritur suksese të rëndësishme, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes. Buxheti për projektet në industrinë e mbrojtjes në vitin 2002 ishte 5,5 miliardë dollarë, ndërsa në vitin 2017 arriti në 41 miliardë dollarë.

Në të njëjtën periudhë, numri i projekteve nga 66 shkoi në 600 dhe përdorimi i burimeve të brendshme në prodhimin e armëve nga 20 % u rrit në 65 %. Vitet e fundit me forcat e veta, Turqia ka prodhuar avionë pa pilot dhe tashmë është fokusuar në prodhimin e tankut të telekomanduar. Gjithashtu, ka marrë hov edhe prodhimi i avionëve dhe automjeteve. Dëshiroj të flas edhe për sukseset në sektorët e shërbimit. Turqia është vendi i gjashtë në botë për numrin e turistëve që pret. Vitin e kaluar, vendin tonë e vizituan 38,6 milionë turistë dhe sektori i turizmit siguroi 26,8 miliardë dollarë.

Objektivi ynë për vitin 2023 është për 50 milionë turistë dhe 50 miliardë dollarë. Vetëm në Antalja ka më shumë se 500 hotele me katër dhe pesë yje. Nëse kohë më parë Turqia dërgonte pacientë në vendet e tjera për t’u mjekuar, sot është një ndër vendet që tërheq më shumë pacientë të huaj. Gjatë vitit 2016, në Turqi kanë ardhur 360.000 pacientë, kryesisht nga vendet fqinjë dhe të rajonit.

Hapa të rëndësishëm janë hedhur edhe në sektorët e tjerë të shërbimit. Pas SHBA-ve, Turqia është vendi i dytë në botë për prodhimin e serialeve televizivë. Aktualisht, serialet turke ndiqen në më shumë se 100 vende nga 400 milionë shikues. Numri i nxënësve dhe studentëve të huaj në Turqi në vitin 2012 ishte 32.000 vetë, ndërsa në vitin 2017 u rrit tri herë e gjysmë dhe arriti në 108.000. Sipërmarrësit turq janë të dytët në botë për numrin e projekteve që kanë fituar në prokurimet ndërkombëtare. Ata në 119 vende kanë marrë përsipër projekte me vlerë 356 miliardë dollarë.

Turqia, e cila ka realizuar një transformim të madh ekonomik, synon që përvojat e saj t’i ndajë me vendet e rajonit. Në këtë kuadër, ne jemi të përkushtuar dhe të vendosur për të realizuar objektiva konkrete që do t’u shërbejnë edhe të dy palëve në Shqipëri, të cilën e konsiderojmë si vend vëlla dhe ku lidhjet tona të miqësisë së sinqertë mbështeten në një të kaluar me rrënjë të thella. Sot Turqia është një ndër vendet më të rëndësishme investitore në Shqipëri. Investimet dhe shërbimet sipërmarrëse të kompanive turke kanë arritur nivelin e 2,7 miliardë dollarëve. Në këto kompani janë punë- suar afërsisht 11.000 vëllezër tanë shqiptarë.

Me investimet e reja në infrastrukturë, turizëm dhe energji ne synojmë të dyfishojmë vlerën e investimeve. Rritja e qëndrueshme ekonomike e këtyre viteve të fundit si në Shqipëri, edhe në Turqi, garanton realizimin e këtij objektivi. Duke pasur parasysh burimet natyrore dhe fuqinë njerëzore, si dhe përvojat e zhvillimit ekonomik të Turqisë dhe të Shqipërisë, sektori i turizmit del në plan të parë si fusha më e përshtatshme që kompanitë e të dy vendeve do të mund të bashkëpunojnë, sipas parimit “fito-fito” dhe të veçorisë komplementare të tyre.

Në muajt e ardhshëm, kompanitë turke do të fillojnë ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, i cili do të hapë dyert për mundësi të reja për investitorët tanë në fushën e turizmit. Një strategji komplekse e turizmit në Shqipëri dhe zbatimi i një programi mbështetës do të lehtësojnë vënien në jetë të investimeve të mëdha turke për turizmin. Turqia zë vendin e parë ku udhëtojnë më shumë turistët shqiptarë. Ndërsa investimet e reja për turizmin në Shqipëri, do ta shndërrojnë Shqipërinë në një vend tërheqës për turistët turq. Ne besojmë se krahas bashkëpunimit ekzistues në fushën e prodhimit të energjisë elektrike nga hidrocentralet, ka një potencial të rëndësishëm edhe në prodhimin e energjisë alternative të rinovueshme.

Këto vitet e fundit, Turqia po përparon drejt diversifikimit të prodhimit të energjisë elektrike. Nga 293 miliardë kw/orë energji elektrike e prodhuar gjatë vitit 2017, energjia nga era zinte 7,8 %, energjia gjeotermale 1,2 %, energjia nga mbetjet e rinovueshme 0,7 % dhe energjia diellore 0.01 %. Kompanitë turke me teknologjinë e fundit në prodhimin e energjisë alternative, vetëm ose së bashku me kompani shqiptare, mund të ndërmarrin iniciativa të përbashkëta në Shqipëri dhe në vendet e tjera të rajonit.

Nga ana tjetër, kompanitë turke dhe shqiptare mund të bashkëpunojnë edhe për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për shpërndarjen brenda territorit shqiptar të një pjese të gazit natyror që do të mbërrijë në Shqipëri nga rezervat e Shahdenizit, falë projekteve TANAP (Trans Anatolian Pipeline) dhe TAP (Trans Adriatic Pipeline). Meqenëse Turqia është vendi i fundit në Europë që ngriti infrastrukturën për përdorimin e gazit, ajo ka një akumulim teknik të gjithanshëm me metoda tepër të përparuara dhe moderne në këtë fushë.

Burimet e pashoqe natyrore, kushtet klimatike të Shqipërisë dhe afërsia e saj gjeografike me tregjet kryesore krijojnë mundësi bashkëpunimi edhe në fushën e bujqësisë. Me synimin për të përditësuar të dhënat e bujqësisë shqiptare, për të zhvilluar masat për sigurinë ushqimore dhe për të rritur prodhimin e bujqësisë organike, po vihet në jetë Plani i Aksionit midis Ministrive të Bujqësisë të të dy vendeve. Turqia është një ndër partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Shqipërisë.

Vjet vëllimi tregtar u rrit në masën 11 % dhe iu afrua 500 milionë dollarëve. Po zhvillojnë një punë intensive që kjo shifër brenda një kohe të shkurtër të arrijë në një miliard dollarë. Në këtë kuadër, për të rritur tregtinë midis të dy vendeve, po i kushtojmë vëmendje shpejtimit të veprimeve doganore. Si ambasador i Turqisë besoj se do të ketë një të ardhme të shkëlqyer në marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shqipërisë në fushat e ekonomisë, financës dhe të tregtisë.

Republika e Turqisë synon suksese të reja ekonomike dhe tregtare në njëqindvjetorin e themelimit të saj. Në të njëjtën kohë, uroj që këto suksese t’i festojmë në begati dhe mbarësi bashkë me Shqipërinë, këtë vend vëlla, në njëqindvjetorin e “Marrëveshjes të Miqësisë dhe të Bashkëpunimit të Përhershëm”, që kemi nënshkruar në vitin 1923.

*Ambasador i Republikës së Turqisë në Tiranë


360grade.al


Vdekja, ky udhëtim pa kthim…

Të tjera