» Rikthehet arroganca e rrugës dhe e rrugaçëve: “Ku je o Sajme?”

Rikthehet arroganca e rrugës dhe e rrugaçëve: “Ku je o Sajme?”

Unë udhëtoj shpesh me këmbë. Jo se nuk kam makinë, por sepse thonë që të bën mirë për shëndetin. Por nga ana tjetër, kjo të dhuron kënaqësinë që të ndjesh nga afër dhe pa filtra, pulsin e shqiptarëve.

Ndonjëherë të këputet shpirti, sepse ndeshesh me njerëz të transformuar keqas, dikur bukuroshë, krenarë dhe frymëzues, sot të kërrusur nga pesha e kohës dhe nga kamxhiku i varfërisë së padrejtë.

Mirëpo revolta kundër Kohës është një revoltë e paracaktuar të nënshtrohet nga 1001 arsye që na kanë mësuar se kundër Kohës, çdo betejë është e humbur.

Porse është kthyer në padurueshmëri, arroganca e rizgjuar e supermakinave luksoze që sfidojnë kalimtarët dhe semaforët.

Dhe policët e Policia, të njëjtët që rrëfyen një egërsi të tepruar në Kukës, rrinë tanimë shpesh si ca njerëz të hutuar, përkundrejt pafytyrësisë sfiduese të të fortëve, apo të bijve të baballarëve të pasur apo me pushtet.

Kanë frikë dhe janë bërë të zgjuar para kohe, pavarësisht se janë të rinj dhe në periudhën e Saimir Tahirit, shfaqeshin më krenarë dhe nuk pyesnin për market e shtrenjta të makinave të drogaxhinjve apo të parellinjve dhe kurvickave me X5 apo X6.

Ishte më mirë dhe më bukur për qetësinë urbane ajo kohë. Policët duket sikur po presin ndoshta vettingun e ri të shpallur nga Ministri Xhafa.

Por nëqoftëse Tahirin e ndeshje netëve të Tiranës duke ecur më këmbë nëpër kryeqytet, Fatmir Xhafën, mund ta shohësh vetëm në TV.

Jam nga kritikët e ashpër të Tahirit dhe të qeverisë së tij.

Çfarë kemi thënë për kanabizimin e Shqipërisë e kemi thënë dhe nuk lëvizim presjen. Çfarë kemi thënë për përgjimet dhe për kusuret e tjera politike dhe në ndeshje me ligjin, po ashtu.

Kjo mbetet, por në pikëpamjen urbane, që është edhe e përditshmja e shqiptarëve dhe jetëve të tyre, kemi një zbythje të Policisë së Shtetit dhe kjo është deprimuese, sepse ndeshja e shtresave sociale bëhet më brutale.

Boll është kështu si është kjo përplasje dhe këto nivele të frikshme pabarazie, por të paktën në rrugë, në semafor, në autostradë…në makinat që pushtojnë trotuaret… nga makinat që shkelin plazhet… një tmerr urban, që më parë ishte bërë zap!…

Mos duhet të themi tani: Është rikthyer arroganca e rrugës dhe e rrugaçëve: “Ku je o Sajme?”

Absurdi shqiptar nuk ka kufij… ecni pak me këmbë ju që vendosni edhe për jetën e këmbësorëve mjeranë shqiptarë…/360grade.al/


360grade.al


Vdekja, ky udhëtim pa kthim…

Të tjera