» Letër nga Gjakova: Ndërmjet lirisë dhe zhgënjimit! (FOTO)

Letër nga Gjakova: Ndërmjet lirisë dhe zhgënjimit! (FOTO)

 

Letër nga Gjakova: Ndërmjet lirisë dhe zhgënjimit!

(Ose: Zoti e bëft mirë!)

 

09 Prill 2018, e hënë në Gjakovë, ditë tregu i thoshin dikur!

Eh dikur në vitet e 50-ta, kur isha fëmij gjallëronte bre Gjakova, vinin i madh e i vogël nga Reka e Madhe dhe Reka e Mirë për të tregtuar në Pazarin e Gjakovës që ishte si ai i Shkodrës…Gjakovë e Shkodër, është thënë disa herë deri më sot kanë dicka të përbashkët edhe për nga temperamenti, edhe për nga tregëti, edhe për nga humori por mbi të gjitha nga kënga që ia thonë e këtë duhet t’ ua pranojmë…

1.Gjakova sot: Qendra e qytetit

1.Gjakova sot: Qendra e qytetit

Po sot rrugët shkret, ajo Qarshia e Madhe është mbushur me të rinj e të reja por jo për të tregtuar por për të pirë kafe e pije freskuese…Nuk i shoh si dikur ato hallat me veshje kombëtare, as burrat me mustaqe kallushana musteqe zi, as kuaj, as dhenë e dhi, por rini e cila ta thotë edhe hapur- se ka pritur më shumë nga kjo liri…Shumë po e lëshojnë Gjakovën, ajo ka ngelur pas të gjitha viseve të Kosovës, anipse ka dhën mjaft për clirimin e vendit, ajo kishte edhe brigadë të UCK, i vetmi qytet në Kosovë. Dikur kishte industri të modernizuar me mbi 22 mijë të punësuar, sot cdo e pesta shtëpi ka dalë ne shitje, të rinjtë nga Gjakova nga paprespektiva ia mësyejnë Prishtinës, të paktën të gjenë punë dhe shumica e tyre atje I gjen si kamarier e dicka të tillë!

HISTORI: Gjakova është qytet në pjesën perëndimore të Kosovës. Po ashtu Gjakova është qendër e komunës dhe rajonit me të njëjtin emër.

Toka ku filloj të ngrihet qyteti ishte në pronësi të Jak Vulës. Sipas gojëdhënës, hoxha Hadum Aga e bindi Jakun që ta dhuroj tokën për ndërtimin e xhamijes më pas në atë tokë u filloj të ndërtohet dhe qyteti, i cili në fillim u quajt Jakovë (nga turqishtja: fusha e Jakut). Në shekullin XIX filloi të përdorej emri i tanishëm. Të huajt përdorin toponimin e sllavizuar Djakovica apo Dakovica.

Kulla Abdullah Pashë Drenit

Kulla Abdullah Pashë Drenit

Qyteti përmban një sërë monumentesh nga e kaluara e pasur kulturore. Lagjja historike e qytetit është Mëhalla e Hadumit ku edhe gjinden tregu i vjetër dhe ndërtesa më e vjetër e cila ende ekziston në qytet, Xhamia e Hadumit Tregu i vjetër apo siç njihet Qarshia e Madhe ishte zemra e funksionimit ekonomik për Gjakovën, një qytet i tregtisë dhe artizanateve që shërbente fshatrat përreth nga komuna e Gjakovës, zona e Junikut, dhe Malësia e Gjakovës në kufirin Kosovë-Shqipëri. Qyteti dhe rrethina luajtën rol të rëndësishëm gjatë lëvizjes kombëtare të Lidhjes së Prizrenit. Gjenerali i Portës së Lartë Maxhar Pasha u vra në një betejë të përgjakshme me forcat e Lidhjes pranë kullës së Abdullah

Dy hane nga shekulli XV kur u ngrit Gjakova: I Kaçit dhe ky i Haraqijve ( në foto)

Pashë Drenit.

S O T: Pas clirimit edhe në Gjakovë nuk erdhi Liria por dicka që më shumë e kishte emrin rrënim i vetëvetes! Secila parti që erdhi në pushtet premtoi lumenj e lodra por ato ngelën vetëm premtime boshe parazgjedhore kurse Gjakova dalngadalë erdhi duke u degraduar. Madje priti që Rruga e Kombit ta prek skajin e saj por ajo nuk ishte për Gjakovën Rrugë e Kombit por Rrugë e Malishevës. Rruga Pejë-Gjakovë-Prizren ka 7 dekada që është po ajo e njejta e Mareshalit Tito! U premtuan po nuk e mbajtën fjalën! Tash Gjakova ka filluar të bashkëpunojë me Malësinë e Gjakovës, ka ndërtuar rrugë pas clirimit deri në Qafë të Morinës dhe është lidhur me Bajram Currin dhe Nënën Shqipëri. Një historian dhe dijetar nga Gjakova ishte realist njëherë kur tha se Gjakova ka qenë një kasaba e tregtarëve të imtë dhe e ardhmja e saj duket se do të jetë po ajo, duke u lidhur sa më fiqushëm me Malësinë e Gjakovës e deri në Shkodër…

HISTORI:Gjakova si qytet i Kosovës, kishte pozitë të përshtatshme gjeografike si dhe kushte të favorshme për zhvillimin e saj gjatë periudhave të kaluara historike. Qyteti i Gjakovës është i vendosur në kryqëzimin e rrugës së rëndësishme transversale Via de Zenta, ose të Zetës (Shkodër-Kosovë) me atë longitudale të Rrafshit të Dukagjinit. Si duket ka indikacione si dhe dëshmi të kulturës materiale, se në vendbanimin e qytetit të Gjakovës është jetuar edhe gjatë periudhës antike. Si do që të jetë qyteti ekzistues i takon periudhës osmane. Në fakt, në bazë të të dhënave historike, Gjakova njihet qysh nga dekada e pestë e shekullit XIV, më saktësisht nga viti 1348, kur i takonte nahijes së Alltun-ihlisë, me qendër në Junik. Ndërkaq, sipas burimeve të kulturës materiale, ndërtimeve arkitekturale monumentale, ajo njihet nga dekada e fundit të shek. XVI.

Dikur Lama e Drithit në Gjakovën e dikurshme

SOT: Gjakovarët e thonë hapur dhe me revolt se plani urbanisitik është shkelur nga komandantët e luftës. Janë ngritur godina banimi dhe të bizneseve edhe aty ku nuk ka pasur leje dhe si nuk i ka hije një qyteti i cili kështu po degradon dita-ditës në pikëpamje arkitekturale. Kanë edhe një hall se c’ po ndodh me Universitetin e tyre “Fehmi Agani” pas paralajmërimeve nga Ministria e Arsimit se do ta reduktoj numrin e universiteteve të cilat nga legjislatura e kaluar janë hapur në qytetet më të mëdha të Kosovës. Gjakovarët kanë një hatërmbetje se arsimit të Kosovës i kanë dhën shumë, mbi të gjitha kuadro universitare nga më të dalluara që nga hapja e Universitetit të Prishtinës që së bashku me kuadrot nga Tirana, ishin shtylla të arsimit të lartë të Kosovës…

HISTORI: Në bazë të defterit të vitit 1571, Gjakova ishte ende fshat, ishte qendër pazari. Me një status të këtillë, ajo jetoi deri më 1582. Dhjetë vjet më vonë, prej 68 familjesh shqiptare, sa kishte atëherë Gjakova, 13 ishin të islamizuara e të tjerat të krishtera. Gjakova si fshat i reduktuar me qendër të vogël, kryente funksionin e tregut lokal. Ky treg lokal ishte një specifikë për Gjakovën si dhe qytetet shqiptare gjatë shekullit XV, deri në fillim të atij XVI. Është me interes të ceket se specifika e zënë ngojë, nuk ishte karakteristike për qytetet e Perandorisë Turko-osmane. Në atë periudhë, në mbarim të shekullit XVI, konkretisht në vitin 1594/95, Hadum Sylejman Efendia-Hadum Aga ndërtoi xhaminë, e cila po ashtu edhe mban emrin e donatorit-financuesit të objektit në Gjakovë. Xhamia e Hadumit, sipas traditës, u ndërtua në fushën e Jakë Vulës, prej nga edhe do të bëhej emërtimi i qytetit – Jakovë.

Qarshia e Madhe

Tregu lokal, Xhamia e Hadumit në shekujt e mëvonshëm luajtën rol të rëndësishëm në karakterin urbanistik të qytetit, Çarshisë së Madhe të Gjakovës, me se lidhet ndërtimi i këtij kompleksi urbano-arkitektonik. Pra, koha e ndërtimit të kompleksit në fjalë, lidhet me paraqitjen e zejtarëve dhe të përpunimit të prodhimtarisë së zejtarëve, që zunë të vendoseshin rreth mureve të Xhamisë së Hadumit. Me këto lidhet edhe rritja e banorëve të Gjakovës, e cila numerikisht fillon të shtohet qysh nga shekulli XVII.

Gjakova prej një fshati në gjysmën e dytë të shek. XVII, – u zhvillua në qytet, ku lulëzonte zejtaria, tregtia, ekonomia. Kjo qe pasojë e migrimit të popullsisë së ardhur nga fshati. Këta të ardhur kishin për qëllim të largoheshin nga fshati dhe t’i iknin shfrytëzimit feudal, prandaj zunë të merreshin me zejtari. Kjo gjë ishte karakteristike për tërë qytetet shqiptare të asaj kohe. Xhamia e Hadumit, vepër e rëndësishme e arkitekturës shqiptare të periudhës osmane, u sëndërtua me qëllim të përhapjes së fesë islame të pushtuesit osman, të përhapjes së islamizmit në këtë pjesë të Kosovës. Në fillim kjo ishte intensive veçanërisht në qytete, me synimin për islamizimin e qytetarëve.

Kulla e njohur e Jupave

Varri i Ali Pashë Maxharrit që mbeti shehit nga luftetaret e Nahijes se Gjakoves

S O T : Gjakova e ka si traditë që të huajin vështirë e pranon në mesin e vet, por kur e pranon e bën për vete dhe e do pastaj pa hile. E reja këtu vështirë ka depërtuar që nga farmerkat e minifundat e deri te frizurat ala Madona. Po gjakovarët dikur kanë bërë dallime edhe në qytetarë dhe malokë, më vonë më të modernizuar si katundarë ose edhe më të modernizuar fshatarë. Kjo ndasi gjithnjë e më shumë po tejkalohet por nuk mund të themi se ka kaluar si epidemia e fruthit…Tash fshatarët po ua kthejnë gjakovarëve tre kuti më tepër! Fshatarët përmes partive politike po depërtojnë në qeverisjen lokale dhe nuk është cudi që drejtorë të sektoreve të ndryshme mbiemri iu përfundon me AJ që kanë origjinën nga fshati. Kjo u tha ndërmjet dhëmbeve në kohën sa qeverisi Pal Lekaj I AAK ,pastaj situata u përmirësua, sipas gjakovarëve vendas, në kohën e “sundimit” të Mimoza Kusari-Lilës, që nga ana e prindërve dhe e burrit ishte has gjakovare. Por tash me ardhjen në krye të Komunës të AAK-së së Ramush Haradinajt (nga Gllogjani I Decanit) erdhi gjakovari Ardian Gjini, has qytetar por i cili urdhërat i merr nga kreu i partisë dhe këtu s’ka ciu miu- duhet vepruar cka thotë shefi dhe rrethi i tij…Krejt do të ishte në rregull sikur Gjakova të fillonte më në fund të merrte të mbarën në zhvillimin e saj, ndryshe zhgënjimi sap o rritet gjithnjë e më shumë!

HISTORI: Përveç xhamisë së Hadumit, në shekullin XVII, kur Gjakova tanimë kishte marrë fizionominë e një qyteti, në të u ndërtuan edhe objekte të tjera të kultit-sakrale si dhe profane e publike. Për këto ndërtime si dhe qytetin e Gjakovës, mjaft mirë flet e shkruan edhe udhëpërshkruesi turk Evlija Çelebi, i cili kaloi këndej pari në shekullin e cekur, konkretisht në vitin 1663[1]. Çelebiu, përveç të tjerash, në një mënyrë na paraqet edhe një gjendje statistikore të objekteve sakrale dhe profane të Gjakovës. Sipas tij, në këtë periudhë Gjakova kishte 2000 shtëpi, disa mesxhide dhe dy xhami monumentale, hane të mbuluara me plumb, hamamin e bukur dhe 300 dyqane.

Edhe një kullë e njohur-ajo e Koshëve

Përshkrimi i udhëpërshkruesit turk dëshmon për një rritje dhe zhvillim të zejtarisë, tregtisë, ekonomisë si dhe të numrit të banorëve, të cilët u morën me këtë punë. Pra, lirisht mund të nxjerrim përfundimin se Gjakova në shekullim XVII u formua si qytet me plot kuptimin e fjalës. Mirëpo, ekonomia, si dhe numerikisht Gjakova, filluan të binin në fund të këtij shekulli, meqë Gjakova pësoi një rënie të madhe, sikurse edhe qytetet e tjera të Kosovës.

Teqeja e Tarikatit Sa-Di

S O T :Gjakova dikur qytet që kishte traditë kulturore pra printe edhe për nga manifestimet nga kjo lëmi,që nga Mitingu i njohur i poezisë që i bëri nam këtij qyteti. Porky manifestim për cdo vit e me shumë po bëhët shkel e shko,eh vec sa për të thënë se po organizohet… Ky qytet që njihet për nga tradita e hershme e kultivimit të këngës sidomos asaj popullore gjithënjë e më pak ka manifestime të këngës e jo vetëm Gjakova por edhe Kosova në përgjithësi! Ka teatrin kombëtar me emrin e aktorit të njohur Hadi Shehu, që bënë përpjekje të ekzistoj me aq saka mundësi materiale nga ato mjete që i ndan Ministria e Kulturës, mjete këto që nuk mjaftojnë për disa teatro profesionale që i kanë edhe disa qytete te Kosovës, si Prizreni, Gjilani, Peja, Ferizaj, Mitrovica…

H I S T O R I: Në kohën e Rilindjes Kombëtare, qyteti Gjakova, sipas Sami Frashërit ishte qendër kazaje në shanxhakun e Pejës. Numri i popullsis në këtë kohë nuk dihej saktësisht por llogaritej që të kishte mbi 25 000 banorë nga të cilët së paku 17 000 të moshës madhore. Qyteti kishte disa shkolla fillore, biblotekën e qytetit dhe rreth 1.000 dyqane dhe godina, si hane, hamame. Rrethina e qytetit përfshinte 149 fshatra, shumica e të cilëve gjendej në Malësi. Gjatë kësaj kohe në arat e fushave dhe luginave pjellore prodhohej grurë, elb, tërshërë, thekër, misër, fasule, si dhe lloje ndryshme pemësh, perimesh. Në malet e saj gjindeshin shumë kullota, ku mbaheshin dhen, dhi dhe bagëti të tjera.

Pushtimi serb i Gjakovës filloi në nëntor 1912 dhe u ndërpre në vitet e Luftës së I Botërore, për të rifilluar në vitet 1920. Pushtimi përfundimtar ndodhi pas likuidimit të Zonës Neutrale të Junikut, si pasojë e marrëveshjes mes qeverisë së Ahmet Zogut dhe Nikola Pashiqit. Kjo solli dhe shpërngulje me dhunë të qindra familjeve gjakovare, të cilat u vendosën aty ku është sot Kukësi i Vjetër, duke formuar qytetin e Kukësit në 1925-ën. Me dhjetëra familje të tjera gjakovare u vendosën dhe në Shkodër, Tiranë e qytete të tjera të Republikës së Shqipërisë. Gjatë periudhës së Luftës së II Botërore kur Gjakova ishte pjesë e Mbretërisë së Shqipërisë nën pushtimin italian, pat kthim të ca familjeve që ikën nga pushtimi serb, për të ikur përsëri në dimër të vitit 1944 e pranverë të vitit 1945 me rikthimin e forcave serbe në Gjakovë.

Teqeja e Bektashinjve

S O T : Po lidhemi me Luftën e Dytë Botërore! Gjakova poashtu edhe në këtë aspektë ka prirë, sepse djemët por edhe vashëzat e këtij qyteti ishin ndër të parët që iu kundërvun pushtuesit gjermano-italian. Janë ca e ca emra dëshmorësh e heronjësh që ishin më tërë qenien kundër hegjemonizmit fashist. Prandaj, edhe kjo mëni kështu ta quajmë ndaj gjakovarëve erdhi pikërisht nga kjo sepse sipas anëve të tjera të Kosovës “mjaft na kanë sunduar” gjakovarët! Në mesin e atyre kuadrove që u kontestua pas lëvizjeve studentore dhe sidomos pas clirimit definitive të Kosovës, Gjakova ka telashe ta zëmë me një përmendore të heroit të Luftës së Dytë Botërore Fadil Hoxha. E kontestojnë se nuk i dha mbështetje lëvizjeve liridashëse të viteve të 80-ta kurse ana tjetër që e marrin në mbrojtje thonë se Fadil Hoxha nuk është rrënues i cështjeve kombëtare, se ai ka mbrojtur shqiptarët, se e ka ditur forcën e vërtetë te hegjomonisë serbomadhe mu ashtu sic doli edhe në të vërtete gjatë luftës. Pra, në Gjakovë ka buste e përmendore të trimave nga lufta e fundit, e vetmja përmendore e të të kaluarës është ajo e Emin Durakut dhe një e përbashkët për trimat gjakovarë që dhanë jetën për lirinë e sotme që figurativisht janë disa shtylla të ngjyrosura me të kuqe që personifikojnë gjakun e derdhur dhe ngritjen e tyre nga lartësitë pra në drejtim të qiellit…

Teksti e foto: Esad  D U J A K A

 

 

 

 

 

 


360grade.al


Basha, pas Kuvendit, gati për zgjedhje të parakohshme?

Të tjera