» Partia e nënshtruar Socialiste

Partia e nënshtruar Socialiste

Nga Artur ZHEJI

Dikur këtë e thonim shpesh për Partinë Demokratike të Sali Berishës, në të cilën nuk kishte një mendim ndryshe dhe kush shprehej ndryshe, flakej nga kjo parti, si armik dhe si tradhëtar me damkë.
Sot Partia Socialiste, nuk bëzan dhe nuk flet askurrë publikisht në lidhje me vendimmarrjet e Krye Shefit të saj, të gjithëfuqishëm.
Në rastin e Kukësit, pushteti i kësaj partie pësoi një tërmet të forte, por mbi të gjitha pësoi një lëkundje të fortë morale, nëqoftëse akoma deri sot, Partia Socialiste, është një parti e majtë, një parti pra që interesohet për mirëqënien sociale të popullit të vet.
Që teorikisht si formacion politik, ka si përparësi politike shumicën e popullit dhe si një parti e vetëdeklaruar e punonjësve dhe e shtresave më të varfëra dhe më të pambrojtura të shoqërisë.
Duket qartë se anëtarësia e kësaj partie dhe shumica e përfaqësuesve më të lartë të saj, janë krejtësisht të ndrydhur dhe dukshëm të nënshtruar ndaj udhëheqësit suprem të saj.
Kjo mungesë e trysnisë nga poshtë-lartë, kjo mungesë e thekshme e guximit kritik në brendësi të Partisë Socialiste, në nivelet e saja më të larta dhe në forumet kryesore që përbëjnë strukturën e kësaj, ka krijuar situatë jashtë çdo kontrolli apo verifikimi të vendimmarrjes së kryetarit të saj.
Ky nënshtrim, apo dhënia e ca tagrave të pakufizuara ndaj një personi të vetëm, i ka dhënë këtij të fundit, kryetari të PS dhe kryeministër, pushtetin absolut për të marrë çdo vendimmarrje, të pakushtëzuar nga asnjë filtër në ushtrimin e pushtetit, që bie në supet e të gjithë shqiptarëve.
Kjo parti, dikur krenare për demokracinë e saj të brendshme, është sot një parti e heshtur dhe e ndrydhur, ndërsa kupola e saj, përbëhet gjithmonë e më tepër nga njerëz të interesuar për sipërmarrjet e farefisit të tyre apo të miqve të tyre që flirtojnë me interesat shtetërore, në mënyrë preferenciale.
Ky komprometim i kupolës drejtuese nga njëra anë dhe ndrydhja e anëtarësisë nga ana tjetër, për interesat e vogla të një vendi pune dhe nga frika e humbjes së këtij vendi, në rast se në pushtet vjen kundërshtari politik, e ka shndërruar Partinë Socialiste, në repartin ushtarako-politik, të një individi të vetëm.
Nuk ka fare rëndësi nëse ky individ quhet Edi apo Fatos, Sali apo Lulëzim, dhënia e tagrave abolutiste një njeriu të vetëm, pamvarisht kush është ai, është një tragjedi e mirëfilltë e demokracisë së brendëshme të një partie që infekton rëndë, krejt shoqërinë shqiptare.
Mjerane dhe shpresëhumbur…/360grade.al/


360grade.al


Vdekja, ky udhëtim pa kthim…

Të tjera