» Si ta vendosni veroren dhe cilat janë ritet që ju sjellin fat për Ditën e Verës

Si ta vendosni veroren dhe cilat janë ritet që ju sjellin fat për Ditën e Verës

Më 14 mars të gjithë shqiptarët festojnë “Ditën e Verës”. Një festë pagane kjo e cila e ka origjinën që në lashtësi. Ndonëse shumë njerëz mendojnë se 14 marsi është festë tradicionale e qytetit të Elbasanit, në fakt në të vërtetë “Dita e Verës” festohej nga të gjithë shqiptarët. Prej shumë kohësh ajo është kthyer në një festë kombëtare, dhe në pjesën më të madhe të Shqipërisë, zhvillohen aktivitete festive në nder të saj. Ballokumja, ëmbëlsira tradicionale e Elbasanit është kthyer në simbol të kësaj dite.

Prej shumë kohësh nëpër të gjitha qytetet e Shqipërisë më 14 mars ballokumja tregtohet në çdo cep. Sigurisht që askush nuk mund të konkurojë dot mënyrën e gatimit të grave elbasanllie, pasi edhe pse vitet kalojnë, receta tradicionale e ballokumeve vijon të përçohet brez pas brezi.

Por si lindi Dita e Verës?

Dita e Verës është një festë pagane e cila besohet se i ka rrënjët që para lindjes së Krishtit. Në këtë ditë festohet për natyrën, për lulet, dhe për lumturinë, ku të parët tanë u faleshin perëndive për të gjithë të mirat që i kishin dhuruar natyrës. Të parët tanë mbulonin degët e pemëve me ato që sot ne i quajmë verore dhe i vendosim në duar si simbol i fatit të mirë.

Verorja vendoset mbrëmjen e 13 marsit dhe varet në një pemë në momentin kur shohim dallëndyshen e parë. Besohet se nëse shpreh një dëshirë me heqjen e verores, ajo do të realizohet. Në qytete të ndryshme të Shqipërisë, kjo festë ka tradita të veçanta. Në veri fëmijëve u vendosin lule në jastëk dhe i zgjojnë me disa pika uji mbi fytyrë.

Nënat që si zakonisht zgjohen herët për të kryer punët e shtëpisë mbledhin lule, gjethe dhe fije bari. Këto pastaj i hedhin me kujdes mbi fytyrat e fëmijëve dhe mbi jastëk kur ata ende flenë. Dhe zgjimi bëhet me ca pikla uji mbi fytyrë. Në skajin verior të Shqipërisë, fëmijët gjatë gjithë ditës këpusin dëllinja dhe i bashkojnë ato në një vend në formën e mullarit. Pavarësisht se data ndryshon nga ajo që është zyrtarizuar në kalendar, atje 22 marsi simbolizon ditën e verës, ndoshta kjo vonesë vjen për shkak të klimës paksa më të ftohtë krahasuar me Shqipërinë e Mesme dhe atë të Jugut. Dëllinjave u vihet flaka në mbrëmje dhe fëmijët bërtasin, këndojnë dhe hedhin valle rreth flakëve të larta.


360grade.al


Kompleksimi i Opozitës dhe oksigjeni që mori prej saj kryeministri

Të tjera