» Lëreni Sajmen dhe merruni me kokainën dhe tenderaxhinjtë…

Lëreni Sajmen dhe merruni me kokainën dhe tenderaxhinjtë…

Koha kalon dhe Çështja Tahiri duket e hedhur pas krahëve. Në të vërtetë Saimja u mbrojt mirë dhe në të njëjtën kohë, u sulmua më shumë se sa duhet.
Dhe mbajti presion të madh dhe shpesh në mënyrë të padrejtë, e sidomos nga ish miqtë dhe përfituesit më të mëdhenj që kishte rrotull.
Mirëpo Sajmja ka kaq kohë që është krejt “jashtë loje” dhe nuk ka asnjë detyrë dhe asnjë rol, as në PS dhe as në qeverisje, thjesht luan në mbrojtje dhe menaxhon dëmet e veta personale, që ju shkaktuan nga një fushatë e paparë, ndaj një njeriu të vetëm.
E pra çfarë ka ndodhur në këtë pothuajse 1 vit që Tahiri nuk ka qenë aktor politik dhe është mbyllur në hallet e veta?
180 milionë kokainë me një dorë dhe indeksi i korrupsionit qeveritar të koncesioneve dhe tenderaxhinjve, ka vijuar të jetë po ai.
Shumëkush në kabinetin qeveritar, ka fërkuar duart që të gjithë ne gazetarët jemi marrë vetëm me Sajmen, Habilajt dhe kanabisin shqiptar, ndërkohë që kokaina kolumbiane bënte kërdinë.
Mjaft më pra me Sajmen, le të merret Prokuroria që ndodhet sot e përmbytur nga 1001 çështje që shtohen përditë në këtë vend të marrosur nga korrupsioni, trafiqet dhe vrasjet dhe nga ushtria e banditëve që qarkullon ngado, lirisht dhe e plotfuqishme.
Me çfarë po del dita ditës në pah, “mëkatet” e Sajmes, nëse do të provohen dhe që i kanë mbetur të gjitha në kurriz vetëm atij, po duken përherë e më të zbehta.
Ai e shpëtoi veten së qëni “koka e turkut” dhe në fund të fundit mirë bëri, sepse shumëçka nga ato që ka bërë, i ka bërë edhe për të tjerët, që ishin më lart se ai, ose paralel me të, në qeverisje apo në Partinë Socialiste.
Sepse në fund të fundit, si edhe më tha avokat Ngjela, në një nga emisionet e mia, Tahiri nuk ka futur duart në buxhetin e shtetit dhe në taksat e shqiptarëve, e ndoshta thjesht ka zbatuar besnikërisht, një marrëveshje me eprorin e tij, për një qëllim të caktuar politik dhe elektoral.
Ka plot nene që të dënojnë për këtë, por Sajmja, dukshëm ka respektuar kodet e brendshme dhe paktet politike me partinë e vet, e pra të paktën “të vetët”, skanë fije morali për tu hequr të moralshëm.
Dhe nga këtu lind e drejta e tij, që të revoltohet dhe të kundërsulmojë me Portalet e veta, me maskaradën e maskarenjve, të familjes së vet politike, që morrën një turravrap të paparë për ta lënë në baltë, ish bashkëpunëtorin e rëndësishëm…
Ne gazetarët e batërdisëm sa mundëm Sajmen, pa e patur asnjëherë personale me të, por me “sistemin” fajtor (do të thoshte Rama, si teoricieni i fajeve të sistemit dhe të pafajsisë së individit.)
Tani e tutje, gracka mediatike Tahiri, është një grackë e shkrehur dhe Sajmja është jashtë kësaj gracke, falë “zotësisë” së tij, sigurisht.
Kemi hyrë pra, në vitin e kokainës, kanabisi mbeti pas dhe sot duket si një ish sport kombëtar dhe qeveritar, që gjithësesi u dha ca grosh edhe fshatarëve të varfër, anipse bosët morrën si gjithmonë pjesën e luanit./360grade.al/


360grade.al


Vdekja, ky udhëtim pa kthim…

Të tjera