» Ndriçim Xhepa i bën thirrje kolegëve: Mos ikni nga Teatri Kombëtar pa nisur projekti për…

Ndriçim Xhepa i bën thirrje kolegëve: Mos ikni nga Teatri Kombëtar pa nisur projekti për…

Ndërsa Teatri Kombëtar është përfshirë nga një valë tensioni, duket se aktori Ndriçim Xhepa ka qenë disi i veçuar nga takimet dhe mesazhet e forta publike.

Por kjo, nuk do të thotë se nuk i interesojnë problemet që shqetësojnë kolegët e tij.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, aktori Ndriçim Xhepa jep mendimin e tij në lidhje me zhvendosjen e trupës së TK pranë qendrës së re kulturore “Turbina”, por edhe për atë çka duhet bërë me godinën ekzistuese.

Xhepa është kundër largimit të trupës nga godina eksiztuese, deri në momentin ku projekti i ndërtimit të teatrit të ri të marrë udhë e të jetë në fazën finale.

Aktori është i mendimit që Shqipëria ka nevojë për një teatër të ri, në vendin ku sot ngrihen dy teatrot ai Kombëtar dhe ai Eksperimental. Po ashtu ai shpreh shqetësimin e vet në lidhje me projektligjin i cili parashikon futjen nën varë- si të Ministrisë së Kulturës, së Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Për Xhepën ai institucion ka 20 vjet që funksionon, edhe pse mund të bëhet edhe më shumë për rritjen e cilë- sisë së prodhimeve. Dhe këtë të fundit Mk mund ta përmirë- sojë përmes investimeve në specializimin e regjisorëve e skenaristëve të rinj.

Z. Xhepa, komuniteti teatror ka zhvilluar këto ditë disa takime, ku kanë ngritur disa probleme emergjente. Nuk ju kemi parë të merrni pjesë në to, ndërsa ishit i pranishëm në takimin e kineastëve.. ka ndonjë arsye?

Po, është e vërtetë. Me plot dëshirë kam marrë pjesë në takimin e shoqatave të kineastëve, ndërsa në takimin e djeshëm në Teatrin Kombëtar, arrita me vonesë për një arsye shëndetësore dhe detyrimeve të domosdoshme. Por jo se nuk kisha arsye për të shprehur disa mendime të miat, siç po i shpreh në gazetën tuaj.

Një nga problemet e ngritura me forcë nga komuniteti artistik është godina e Teatrit Kombëtar, më saktë e zhvendosjes së trupës drejt “Turbinës”, ju çfarë mendoni për këtë proces?

Që prej disa muajsh, madje përpara mbylljes së sezonit të vjetshëm, gjatë bisedave me kolegë, edhe me vetë drejtorin e TK, Çuli, jam shprehur disa herë që trupa e teatrit, aktorë, administratë, prapavijë, për momentin nuk duhet të lëviznin nga teatri. Puna për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar ka nisur me kohë dhe nuk kam dëgjuar askënd që të ankohet. E gjitha nisi nga një deklaratë, ndoshta edhe e keqkuptuar e Ministres së Kulturës, që në sallën e Tk do të japë shfaqje Teatri i Operës. Ne nuk duhet të ngrihemi për xhelozi ndaj TKOB, por sepse kështu është e drejtë. Kjo për arsyen se, shkuarja drejt asaj që unë kam dëshirë ta besoj, drejt ndërtimit të një Teatri Kombëtar, të dëshiruar prej shumë vitesh dhe të ëndërruar nga artistët, por dhe artdashësit që do ta frekuentojnë, do të ketë fazat e veta, që mendoj se do të duan kohën e vet. Janë faza të shprehura, por ende të pakonsumuara. Së pari, do të duhej të shpallej një konkurs për studion arkitekturore që do të realizojë projektin e kësaj godine, që, sipas mendimit tim, do të duhet të ketë vlerë qindravjeçare, siç janë në të gjitha kryeqytetet europiane. Pas kësaj faze do të duhej të jetë faza e hartimit të preventivit, sa do të kushtojë ky projekt, që ma merr mendja do të jetë i kushtueshëm për shtetin. Këto faza kërkojnë kohë jo të shkurtër. Uroj të jenë sa më të shpejta, por nëse teatri do të spostohet që tani te “Turbina”, i bie, që plus fazës ndërtuese të këtij objekti, që mund të jetë 3-4-vjeçare, trupa e TK do të rrinte më gjatë atje. Me të vërtetë “Turbina” është një godinë e re, me mjedise të këndshme, por që nuk përfaqëson realisht standardet e një godine dinjitoze për Teatrin Kombëtar. Ajo është një sallë plus për Tiranën, që zgjerohet dita-ditës dhe e vlerësoj këtë investim nga ana e shtetit. Pra, për këtë arsye, Teatri Kombëtar, ai ekzistues, i ndërtuar nga italianët për një periudhë 20-25-vjeçare, i ka rezistuar kohës 75 vite, nuk besoj se do të kishte problem nëse do të qëndronte edhe 2-3 vjet, derisa kjo fazë e parë të ezaurohej. Në momentin që gjithçka është gati për fillimin e punimeve, atëherë do ta shihja të arsyeshme që trupa e teatrit, përkohësisht, vetëm përgjatë fazës ndërtuese të teatrit, të shkojë te “Turbina”.

Por, ndërkohë që flitet për një Teatër të ri Kombëtar, në ndërtesën “binjake”, ku sot ndodhet Teatri Eksperimental, janë bërë investime e salla të reja, si e shpjegoni këtë mosrakordim punësh?

Godina e Teatrit Kombëtar, bashkë me oborrin dhe pishinën, që përbën një hapësirë të gjerë, si dhe teatri që sot quhet Eksperimental, janë një objekt dhe nëse do të shkohet drejt ndërtimit të një teatri me vlera nacionale, do ta përfshijë të gjithë këtë ambient. Dhe nuk më është dukur fare e arsyeshme, që ndërsa në godinën e TK nuk ngulej asnjë gozhdë, në këtë godinën tjetër u varën skela, u suvatuan mure, u vunë dyer dhe dritare të reja, u bë çati e u varën ulluqe, u ndriçua nga poshtë e nga sipër. Nuk e kam kuptuar kurrë, në një kohë që ky kompleks është një. Nëse duhej të restaurohej, duhej të restaurohej i gjithë objekti. Për të mos u kthyer pas në kohë, atëherë kur u krijua ky teatër i dytë, brenda këtij territori, fillimisht si Teatri i Komedisë e sot Eksperimental, që për mua ka qenë një handikap. Nuk kishte asnjë arsye për të krijuar dy administrata, që kanë ngjallur vetëm konflikte dhe sherre mes drejtuesve të këtyre dy institucioneve, në një kohë kur në të gjitha teatrot kombëtare, rezulton të ketë një sallë të parë dhe një të dytë. Salla e dytë përdoret për shfaqje me më pak personazhe, me pjesëmarrje më të vogël, me më pak publik apo për shfaqje të regjisorëve të rinj, ku realisht mund të aktivizoheshin gjenerata e re e aktorëve. Dhe nuk është se mungoi kjo eksperiencë. Por, kur palogjikshëm u ndërtuan këto dy salla, mbahen dy qëndrime të ndryshme: njëra luksohet, tjetra lihet në gjendjen si ka qenë. Por pavarësisht kësaj, kur të vijë momenti që do të fillojnë ndërtimet në këtë hapësirë rreth 10 mijë metra katrorë, siç përflitet, për atë godinë unikale të Teatrit kombëtar, do të rrafshohet gjithçka, të dyja objektet.

Pra, ju jeni për ndërtimin e një godine të re teatri në vendin aktual?

Për këtë çështje, vetë brenda komunitetit ekziston një kakofoni. Edhe pse jam pjesë e këtij komuniteti, shpreh me keqardhje se nuk ekziston një mendim unikal. Përpara disa muajsh mora pjesë me kënaqësi në një mbledhje sindikate, por ajo që pashë, nuk ishte aspak dinjitoze dhe e këndshme për t’u ndjekur, çka nuk e bëra më. Ishte më shumë dëshirë për t’u bërë kryetar sindikate. Tashmë dëgjoj që paskemi dy sindikata, në një kohë që ne nuk jemi një komunitet me qindra-mijëra njerëz. Do të këshilloja, që në radhë të parë, ky komunitet të ketë vetëm një organizëm, që kur të mblidhen, të jenë të gjithë bashkë dhe të shkojnë drejt një mendimi. Kjo, edhe në funksion të asaj që sapo pyetët. Brenda komunitetit dëgjoj disa mendime. Disa thonë që kjo godinë të mbahet siç është dhe të restaurohet. Disa thonë që kjo godinë të bëhet muze dhe në zonën e oborrit dhe të Teatrit Eksperimental të ndërtohet Teatri Kombëtar, siç ka dhe mendime, që kjo zonë duhet pastruar dhe të ngrihet një teatër nga e para, me parametrat që kërkon një teatër nacional, duke pasur shembuj të mrekullueshëm nëpër Europë. Pra, është e nevojshme që shumatorja e mendimeve të jetë e unifikuar. Dhe këtë mendim unikal ta ndajmë me Ministrinë, pse jo Kryeministrinë, për të dalë në një vendim përfundimtar. Por, duke pasur parasysh kondicionet në të cilat është ndërtuar kjo ndërtesë nga italianët, vitet, që kanë kaluar mbi afatin e ekzistencës së saj, pra, trefishi i kohës, duhet prishur dhe duhet të ngrihet një godinë e re. Dhe vlerat e traditës së këtij institucioni për më shumë se 70 vjet, duhet të ruhen me fanatizëm nëpër arkiva të një teatri serioz sepse kam përshtypjen se nuk jemi aq të respektueshëm dhe dinjitozë në ruajtjen e vlerave të gjeneratave të kaluara, ashtu si ndodh në çdo institucion dinjitoz europian. Janë këto disa probleme, që unë i konstatoj prej shumë vitesh në institucionin ku punoj prej 37 vitesh.

Një tjetër problem që ka shqetësuar artistët, është projektligji Për Artin dhe Kulturën, jeni konsultuar me të, shihni se ka probleme?

Sa i përket projektligjit, ve re se ka disa probleme. Prej kohësh nuk kam qenë dakord që bordi i teatrit të formohet nga përfaqësues të Ministrisë së Financave apo shoqërisë civile. Bordi artistik prej 7 vitesh, mund ta ketë një përfaqë- sues nga Ministria e Kulturës, mund ta ketë, pse jo edhe ndonjë gazetar të aftë kulture, që ka stazh dhe pjekuri në profesion, pse jo të jetë një dramaturg me pjekuri vitesh, një regjisor me përvojë dhe pse jo 3-4 figura aktrimi, të cilët kanë dhënë dhjetëvjeçare krijimtarie dhe përvoje në këtë skenë. Kjo gjë ndodhte edhe në kohën e komunizmit. Në bordin e TK ishte Sulejman Pitarka, Violeta Manushi, Prokop Mima, figura për të cilët nuk mund të thoshe se kishte përplasje interesi sepse duke qenë me përvojë dhe të ngopur nga krijimtaria, edhe në teatër dhe në film, nuk mendonin për interesa personale. Të tillë personalitete kemi edhe sot e gjithë ditën, ndonëse jo shumë, në Tiranë, të cilët nuk ka se si të kenë interesa të vogla dhe të mos gjykojë për vlerën e veprave skenike apo figurat e aktorëve që do të angazhohen në shfaqjet pasardhëse. Tek ata kam bindjen që kultivohet sensi i dinjitetit, që duhet të ketë teatri, premierë pas premiere, që nga pranimi i veprave, regjisorët, diskutimin për përzgjedhjen e roleve, gjithnjë e më tepër në të mirë të premierave të teatrit. Futja e aksesorëve të tjerë gjithnjë më ka çuditur. Por më duket pozitive që brenda pikave të këtij projektligji, shoh një qëndrim tjetër për emërimin e titullarëve të institucioneve kulturore, që tashmë do të emërohen nga ministri i Kulturës. Më duket shumë e arsyeshme, gjithmonë nëse në pozicionin e Ministrisë së Kulturës do të emërojnë njerëz që e njohin dhe duan kulturën. Kryeministri në këtë vendin tonë ka aq shumë probleme, saqë më duket tërësisht e paarsyeshme që ta ngarkojmë dhe me emërimin e drejtorit të Teatrit, Operës, Galerisë, Bibliotekës, Muzeut, etj. Diku më thanë për një nen, që një aktor të marrë pjesë në një projekt jashtë teatrit, duhet të marrë leje te titullari i ministrisë. Më duket e paarsyeshme, pasi veprimet e tij mund të rregullohen me titullarin e institucionit, pa cenuar programin e këtij të fundit. Siç ka ndodhur deri më sot, për angazhime në projekte filmike apo pjesë teatrore jashtë institucionit. Tek e fundit, të gjitha këto kontribuojnë në jetën kulturore të vendit. Nuk kemi të bëjmë me biznes proshute apo mobiliesh. Për mua është e tepërt.

Ju ishit i pranishëm në takimin e kineastëve, cilat ishin shqetësimet e tyre?

Mora pjesë në mbledhjen e shoqatave të kinemasë, ku dolën dy probleme, por ai që është më kryesori, është ai që QKK të hyjë nën sqetullën e Ministrisë së Kulturës. Për mua nuk është e arsyeshme sepse Qendra e Filmit, tani e 20 vjet, funksionon. Në vitet ’96-’97, bashkë me Ferin dhe Shimën, me një punë paraprake të një komisioni prej tre vetash, i formatuar nga ministri i Kulturës, Anagnosti (’92-’94), u konsultuam me legjislaturat e disa vendeve, hartuam projektligjin tonë, e çuam në Parlament, u aprovua dhe prej 20 vjetësh funksionon një institucion me një kryetar, një administratë të vogël dhe me borde nga shoqatat e kineastëve. Kjo nuk do të thotë se unë jam i mrekulluar nga kënaqë- sia që na kanë dhënë të gjitha prodhimet tona kinematografike, por në të njëjtën kohë, mendoj që edhe po të futet nën sqetullën e Ministrisë së Kulturës, do të rriste sistemin gjykues apo cilësor të veprave të së ardhmes. Ministria duhet të lejojë jetën në këtë organizëm siç është, por për përmirësimin e cilësisë, duhet të mendojë, siç nuk është menduar prej 27 vjetësh fatkeqësisht, për specializime konkrete regjisorësh të rinj, skenaristësh, që janë brumi kryesor ku mbështet filmi e ku përfshihen aksesorët e tjerë. Deri më sot nuk është bërë asgjë për shkollimin dhe specializim në regjisurë dhe skenarë. Kjo është një çështje esenciale, që cilësia e filmave të mëpastajmë të ngrihen në një nivel tjetër dhe pse jo të marrim pjesë në festivale europiane, siç duam të jemi. Unë kam besim që në një rishikim dashamirës të Ministrisë së Kulturës, QKK do të vazhdojë të ekzistojë si ka qenë, në pavarësinë e saj vepruese. Sa për financimin e ndonjë institucioni arsimor apo publik, kjo mund të merret përsipër nga Ministria e Arsimit, meqë kemi të bëjmë me shkollimin e gjeneratave të reja.

Burimi: Panorama


360grade.al


Pse ka shpallur sulm dhe çfarë parandjen KM-ja?

Të tjera