» “S’e keni provuar ende shuplakën otomane”, Erdogan tjetër kërcënim SHBA-së

“S’e keni provuar ende shuplakën otomane”, Erdogan tjetër kërcënim SHBA-së

Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të vazhduar financimin e milicisë siriane kurde të YPG do të ndikojë në lëvizjet e ardhshme të Turqisë. Kështu u shpreh të martën Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, përpara një vizite nga Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, të enjten dhe të premten.

Bisedimet me dy palët pritet të jenë të vështira për shkak të interesave krejtësisht divergjente në Siri. Turqia nuk e pranon mbështetjen e SHBA-ve për milicinë siriane kurde, YPG, të cilën e sheh si një organizatë terroriste dhe degë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK). Uashingtoni e ka aleat YPG dhe ka vendosur të vazhdojë ta mbështesë në luftën kundër ISIS në Siri.

“Vendimi i aleatit tonë për të dhënë mbështetje financiare për YPG … me siguri do të ndikojë në vendimet që do të marrim”, tha Erdogan në një fjalim në Parlament. Komentet e tij pasuan vendimin e Departamentit të Mbrojtjes në SHBA për buxhetin 2019, i cili përfshin kërkesa për fonde për të trajnuar dhe pajisur forcat lokale në luftën kundër ISIS në Siri.

Pentagoni kërkoi 300 milionë dollarë për trajnimin dhe pajisjen e aleatëve në Siri, si dhe 250 milionë dollarë për kërkesat e sigurisë kufitare, sipas “Reuters”, bazuar në një kopje të buxhetit. Te forcat e sigurisë kufitare përfshihen edhe milicitë e YPG. Mediat turke interpretuan se kjo do të thotë se Pentagoni kishte ndarë 550 milionë dollarë për YPG, në buxhetin e vitit 2019.

“Do të ishte më mirë për ta, që të mos qëndronin me terroristët që mbështesin sot. Unë po u bëj thirrje popullit të Shteteve të Bashkuara, këto para po dalin nga buxheti i Shteteve të Bashkuara, po dalin nga xhepat e popullit”, tha Erdogan. Muajin e kaluar, Turqia nisi një inkursion në Siri, të cilin e quan operacioni “Dega e Ullirit” për të zhdukur YPG nga kufiri i saj jugor.

Nga qyteti Afrin, ku ka pasur një ofensivë të suksesshme, Erdogan pritet t’i dërgojë trupat e tij në Manbij, ku qëndrojnë edhe trupat amerikane. Ai ka kërkuar që SHBA t’i heqë trupat nga ky qytet, por nuk ka marrë përgjigje pozitive dhe ekziston rreziku i një përplasjeje historike të dy aleatëve më të mëdhenj të NATO-s. Presidenti i Turqisë ka kërcënuar se trupat amerikane mund të marrin një “shuplakë otomane, të cilën nuk e kanë provuar e kurrë.”


360grade.al


Pse ka shpallur sulm dhe çfarë parandjen KM-ja?

Të tjera