» Thirrje publike nga Akil Kraja për artistët e Teatri Kombëtar

Thirrje publike nga Akil Kraja për artistët e Teatri Kombëtar

THIRRJE PUBLIKE – ARTISTËVE TË TEATRIT KOMBËTAR

Në cilësinë e të zgjedhurit vendor si Anëtar i Këshillit Bashkiak Tiranë dhe Kryetar i Komisionit të Shërbimeve Publike Tiranë, i bëj sot një ftesë publike çdo pale të interesuar për të shpëtuar trashëgiminë e Kryeqytetit Shqiptar, që të bashkohemi në realizimin dhe në aprovimin e një VKB-je drejtuar Bashkisë Tiranë për:

A ) marrjen përsipër të çdo shpenzimi potencial të nevojshëm për të rinovuar Teatrin Kombëtar sipas projektit origjinal në respekt të trashegimisë së ansamblit të monumenteve;

B ) për ndalimin kategorik të çdo projekti potencial në të ardhmen e afërt dhe të largët që nënkupton shembjen e Teatrit Kombëtar ose të një prej godinave të ansamblit përreth Ministrive;

C ) shtimin e fondeve të Bashkisë Tiranë në mbështetje të artistëve të rinj të Kryeqytetit.

Me besimin se nuk mund të ketë një shërbim publik më të madh sesa mbrojtja e trashëgimisë dhe identitetit të Kryeqytetit të vendit;

Me bindjen e plotë se duke i shërbyer artit, ne i shërbejmë ndërtimit të një qyteti më të mirë, më të paqtë, më të kulturuar, më qytetar e më të zhvilluar;

Me qëllimin që së bashku të krijojmë kushtet e nevojshme për të miratuar një VKB të tillë pavarësisht çdo lloj presioni politik e mediatik;

Me arsyetimin që Bashkia Tiranë ka fonde të mjaftueshme për artin dhe edukimin kulturor të banorëve të saj nisur nga precedenti i akordimit të 2.5 milion eurove për zëvendësimin e palmave të thara në autostradë Tiranë – Durrës;

Me bindjen se Këshilli Bashkiak Tiranë dhe Bashkia Tiranë, kanë detyrimin dhe të gjitha kompetencat e nevojshme ligjore për t’u përfshirë në këtë debat që prek thellësisht identitetit material dhe shpirtëror të Kryeqytetit;

Duhet të pranojmë që sot, më shumë se kurrë, nevojitet një aksion i përbashkët që ofron një zgjidhje afat-gjatë e të qëndrueshme në rrafshin financiar, arkitektural e kulturor në shërbim të shpëtimit të trashëgimisë së Kryeqytetit të vendit.

Së bashku, ta vendosim Këshillin Bashkiak Tiranë para përgjegjësive që i takojnë si një institucion i zgjedhur vetëm për të përfaqësuar interesat e qytetarëve të Tiranës, të cilët sot, kërkojnë më shumë se kurrë që t’u mbrohet identiteti i tyre kulturor.

Mjaftojnë vetëm 31 vota në Këshillin Bashkiak për të shpëtuar Teatrin Kombëtar.

Së bashku kemi më shumë se kaq, kemi të gjithë banorët e Tiranës.

Të bëhemi bashkë për Artin, bashkë për Tiranën tonë !


360grade.al


Ndaje në
Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedIn
Ëndrra e pavërtetë e Kryeministrit dhe një qokë për Vuçiçin…

Të tjera