» Provokimet e Turqisë vazhdojnë edhe pas incidentit në Imia, 18 avionë dhe helikopterë turq nisen drejt…

Provokimet e Turqisë vazhdojnë edhe pas incidentit në Imia, 18 avionë dhe helikopterë turq nisen drejt…

Incidenti i ri midis dy anijeve të rojes bregdetare turke dhe greke ka ndodhur në orët e para të së martës, pranë ishullit Imia të kontestuar nga Turqia. Anija turke UMUT ka goditur me pjesën e saj të përparme anijen greke Gavdos 090, me 27 persona të ekuipazhit në bord, duke i shkaktuar deme.

Menjëherë ajo është çuar në ishullin Leros, ndërsa anija turke është larguar në drejtim të brigjeve të Turqisë. Ky është incidenti i dytë brenda 25 ditëve të fundit që ka tensionuar më shumë marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Athinës.

Zëdhënësi i qeverisë greke ka deklaruar se Turqia nuk po kontribuon në shmangien e trazirave në rajon, duke shtuar se qeveria greke do të mbrojë me vendosmëri të drejtat sovrane të vendit.

Duke iu referuar kërkimeve për hidrokarbure në një prej Zonave Ekonomike Ekskluzive të Qipros, të cilën Ankaraja e konteston, ashtu si dhe disa prej ishujve greke të Egjeut, Presidenti turk Erdogan me një deklaratë të ashpër ka paralajmëruar Athinën dhe Nikosinë të mos bëjnë hapa të gabuara, duke tejkaluar cakun në Qipro dhe Egje.

Ndërkohë, xhiron e mediave greke po bën prej mëngjesit të së martës deklarata e ish-ministrit të Jashtëm grek, Theodhoros Pangallos se “turk i mirë është vetëm turku i vdekur”.

“E besoj këtë gjë – ka shtuar Pangallos gjatë një interviste për marrëdhëniet greko-turke – sepse nuk kam njohur në jetën time asnjë turk të mirë. Iu mungojnë konceptet elementare dhe koncepti i së drejtës”- ka thënë ai.

“Turqia provon se nuk e njeh gjeografinë. Ka humbur logjikën dhe dhunon ligjin ndërkombëtar”, tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme greke, Aleksandër Jenimatas.

Tensionet vijuan edhe pas incidentit me 52 raportime nga Forcat e Ajrore Greke për dhunim të hapësirës ajrore nga avionët dhe helikopterët turq. Dy avionë F-16, 6 CN-235 dhe 10 helikopterë ishin mes 18 njësive të flotës turke që vijuan provokimet në verilindje, juglindje dhe qendër të Egjeut, të cilët u gjurmuan dhe interceptuan nga Forcat Ajrore Greke sipas ligjeve ndërkombëtare. /360grade.al


360grade.al


Ndaje në
Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedIn
Ëndrra e pavërtetë e Kryeministrit dhe një qokë për Vuçiçin…

Të tjera