» Dështon takimi mes aktorëve dhe Ministres së Kulturës (VIDEO)

Dështon takimi mes aktorëve dhe Ministres së Kulturës (VIDEO)

Çështja e “Teatrit Kombëtar” duket se nuk do të ketë një zgjidhje edhe ditën e nesërme. Kjo për arsyen se të dyja palët kanë lënë takim në të njëjtën ditë, por në vende të ndryshme.

Ministrja Mirela Kumbaro i pret artistët të mërkurën në ambjentet e Ministrisë së Kulturës. Aty mund të negociohet për pretendimet, me një përfaqësi të Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Aktorëve.
Ndërsa aktorët duan të takohen me ministren, por këta kërkojnë një përballje brenda në sallën e Teatrit Kombëtar, ku të jenë të gjithë bashkë.

E ftuar në emisionin 360 gradë, të Artur Zhejit në Ora News, zv/ ministrja e kulturës, Valbona Shujaku ka përsëritur disa herë ftesën ndaj artistëve për të biseduar ditën e nesërme në ambientet e ministrisë, duke lënë të qartë se nuk do të ketë një takim në sallën e teatrit.

Po njësoj është shprehur edhe drejtori i Teatrit Hervin Çuli, duke e cilësuar një “miting” takimin në ambientet e institucionit që ai drejton aktualisht.

“Ministrja nuk mund të shkojë në një miting. Teatri është një skenë ku luhet teatër. Takimet bëhen në ministri”, deklaroi Çuli.
Nga ana tjetër aktorët këmbëngulin për një takim në teatër duke shpresuar për prani të ministres Kumbaro nesër në sallën e Teatrit.

“Kemi bërë ftesë të takohemi në teatër, nuk është ultimatium. Nuk do bëjmë ndonjë hata nëse ministrja Kumbaro nuk vjen. Unë mendoj se ajo duhet të vijë, dhe takimi duhet të ndodhë pikërisht aty ku nisi kjo histori”, ka thënë aktorja Ema Andrea.
Kur na ndajnë pak orë nga dita e nesërmë, gjasat janë që takimi mes aktorëve të teatrit dhe Ministres së Kulturës të dështojë.


360grade.al


Parashikime te zymta për ardhmërinë e PD

Të tjera