» Basha: Ja kur anëtarësohet Shqipëria dhe Kosova në BE…

Basha: Ja kur anëtarësohet Shqipëria dhe Kosova në BE…

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e krahasoi Pavarësinë e Kosovës me një maratonë që ka përfshirë breza të tërë.

Në lidhje me 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Basha tha se ka hyrë në Kosovë menjëherë pas arritjes së marrëveshjes së Kumanovës.

“Kam hyrë në Kosovë bashkë me dy kolegët e tjerë të OKB-së dhe kemi qenë të parët që kemi hyrë në territorin e Kosovës me trupat britanike”, tha Basha.

Kreu demokrat e ka cilësuar 2008-ën si vitin e madh për Shqipërinë dhe Kosovën, për mbarë shqiptarët.

“Shqipëria hyri në NATO, Kosova u shpall e Pavarur, një fitore euro-atlantike në Rajon”, tha Basha.

Në vijim ai shtoi se ajo që na nevojitej ishte një vizion jo për 1 apo 6 muajt e ardhshëm, por për 15 apo 20 vitet e ardhshme.

“Nuk u arrit sepse pati një dehje nga ajo që u arrit”, tha kreu demokrat, duke shprehur bindjen se kjo është një dehje kalimtare dhe është koha që të shtrojmë rrugën qoftë në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, por edhe në Maqedoni ku jeton komuniteti më i madh i shqiptarëve, drejt aspiratës euro-atlantike.

“10 vjet më parë treni ecte përpara me Shqipërinë dhe Maqedoninë, Serbia nuk ishte fare në trenin integrimit europian. Mali in Zi përpiqej të ishte në tren, ndërsa sot Serbia kryeson trenin bashkë me Malin e Zi. Por kjo situatë mund të përmbyset dhe Shqipëria të jetë sërisht lokomotiva e rajonit drejt BE-së”, tha Basha, duke shtuar se e rëndësishme është që të punohet me vizion jo se çfarë do të korrim vitim e ardhshëm, por në 10 apo 20 vitet e ardhshme.

Në vijim kreu demokrat tha se pas liberalizimit të vizave, mendoja se do të vinte hapja e negociatave për Shqipërinë, liberalizimi i vizave për Kosovën, integrimi në NATO për Kosovën, pra ecje përpara të proçesit.

“Besoj se në 2028 do të jemi anëtar të Bashkimit Europian por që të arrijmë këtë duhet që ta nisim punën që sot, duke krijuar kushtet që të zgjedhim lirisht dhe të konkurojmë lirisht.

Jemi në fund të një akumulimi të madh, kemi nevojë për një ndryshim të madh politik dhe ekonomik, i takon klasës politike të ndërgjegjësohet, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë,  ose në të kundërt duhet tëv largohet dhe të vijë një klasë e re politike të përfundojë misionin”, tha Basha.

Kreu demokrat, i cili ka mbajtur detyrën e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë në kohën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Basha tha se ëndrra e brezit tim ka qenë ajo e bashkimit të dy vendeve, Kosovës dhe Shqipërisë.

Kreu demokrat tha se Pavarësia e Kosovës shtë përqafuar nga shumica dërrmuese e faktorit ndërkombëtar si investimi më i mirë për paqen dhe stabilitetin në Rajon dhe si investimi më i mirë euro-atlantik.

Në lidhje me qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës, Basha tha se vetë pavarësimi është një investim për Serbinë europiane, megjithëse ky është një vendim që i takon serbëve për t’a marrë.

I pyetur se çfarë mund të ishte bërë më mirë në Kosovë gjatë këtyre 10 viteve, Basha theksoi se nuk i jepte vetes detyrën të bënte gjyqtarin në lidhje me klasën politike të Kosovës.

“Mendoj se i kanë përmbushur detyrat dhe do të vazhdojnë t’i bëjnë më mirë në të ardhmen”, tha Basha.

Lidhur me Gjykatën Speciale, kreu i PD-së theksoi se ky është një episod. “Kam bindje të thellë që ata që kanë luftuar me armë për lirinë e Kosovës do të ngrihen në lartësinë e duhur, pasi nuk ka forcë në Botë që të kthejë prapa atë që është arritur nga sakrifica”, tha Basha.

 


360grade.al


Ndaje në
Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedIn
Ëndrra e pavërtetë e Kryeministrit dhe një qokë për Vuçiçin…

Të tjera