» Kompensimi i pronave, ja afati i fundit për dokumentet

Kompensimi i pronave, ja afati i fundit për dokumentet

Pronarët që nuk patën mundësi të njihen me vlerën e kompensimit, kanë afat deri në gusht për të dorëzuar pranë Agjencisë dokumentacionin e nevojshëm me anë të të cilit të vërtetojnë zërin kadastral të origjinës së pronës.

“Subjektet të cilët evidentojnë mangësi në dokumentacion dhe problematika në vlerësim në regjistrin e vendimeve të vitit 1997, të bërë publike nga ana e ATP-së, mund të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm për vlerësimin financiar të vendimit të kompensimit, brenda një afati prej 6 muajsh nga data e publikimit të regjistrit”, thuhet në njoftimin e ATP-së. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë vlerësimi do të kryhet duke u bazuar në çmimet minimale, gjë që do të sjellë reduktim të ndjeshëm të faturës.

VENDIMET ’97

Vetëm disa ditë më parë, ATP publikoi regjistrin me 1460 pronarët me vendime ’97. Për rreth 1040 prej tyre vlerësimi financiar ka përfunduar duke iu dhënë mundësinë familjeve që të aplikojnë. Me ndryshimet e miratuara në fund të dhjetorit, pronarëve iu mohohet e drejta për të zgjedhur formën e kompensimit, pasi në çdo rast do të trajtohen me fondin e tokës, që ATP ka në dispozicion.

Skema e re parashikon që të ketë përparësi kthimi i pronës aty ku do të jetë e lirë. Nëse ky variant nuk gjen terren, atëherë do të futet në lojë fondi fizik i pronës që ATP ka. Sipas vendimit, kompensimi do të bëhet në raportin 20 me 80, çka do të thotë se 20% do të marrin nga fondi financiar dhe pjesën tjetër nga tokat bujqësore që gjenden në Berat, Gjirokastër, Korçë dhe Elbasan. Në këtë proces do të shfrytëzohet po ashtu edhe fondi pyjor që ATP disponon.


360grade.al


Opozitar? Apo të vdesësh në gjumë dhe nga shpresat e rreme…

Të tjera