» Gazetari tregon arsyen: Ndrenika gabohet, nuk e kanë problemin me Teatrin, por me…

Gazetari tregon arsyen: Ndrenika gabohet, nuk e kanë problemin me Teatrin, por me…

“Robert Ndrenika ka frikë se mos i shembin teatrin, si memorien e artit të të gjithë brezave të aktorëve, që ka nxjerrë ky vend. Por si një qytetar i vjetër i këtij qyteti, këtu gabohet. Ata që po planifikojnë kullat, nuk e kanë problemin me Teatrin Kombëtar si institucion, por me godinën”.

Kështu shkruan sot në opinionin e tij, gazetari dhe zv.kryeredaktori i “Panorama”, Redi Gjuzi, duke analizuar përplasjen e fundit mes artistëve dhe ministrisë së Kulturës për godinën e Teatrit Kombëtar. 

redi gjuzi

REDI GJUZI

Robert Ndrenika nuk është vetëm një aktor i madh, ndër më të talentuarit që ka teatri e kinemaja, ai është edhe një qytetar i vjetër i Tiranës. Kjo i jepte një tjetër kuptim shpërthimit të tij, para aktorëve të tubuar kundër ligjit të ri për artin si dhe shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Si një aktor, që ka kaluar disa breza  politikë, edhe sistemin komunist, edhe zvarritjen grabitëse të tranzicionit, në fjalën e tij ai nuk u ndal në protestën e aktorëve për ligjin e artit, por në ruajtjen e godinës.

Në fakt, protesta e aktorëve nisi si një reagim kundër ligjit të ri të artit që i zhvishte nga kompetencat artistët dhe i kalonte ato nën varësinë e Ministrisë së Kulturës, pra, qeverisë dhe për rrjedhojë partisë në pushtet. Ndrenika, gjatë fjalës së tij, nuk u zgjat te kjo pjesë e protestës. I rritur nën dhunën komuniste mbi artin, teatrin e filmin, për Ndrenikën, nuk ishte kjo pjesa më e rëndësishme e atij tubimi.

Ai e di, që regjimet, sado perverse të jenë, vdesin. Dhe më pas, artit i vjen liria. Por, Ndrenika kishte kryesisht një problem të madh. Shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar për ndërtimin e pallateve. “Të gjitha dyqanet, që janë ndërtuar pas, kanë qenë pronë e teatrit. Vit pas viti ato janë privatizuar dhe tani privatët do të ndërtojnë kulla dhe aneks të jetë edhe teatri”, theksoi i irrituar Ndrenika, para aktorëve të teatrit. Ndrenika e mbron godinën e Teatrit Kombëtar, si një aktor që është rritur aty. Ka parë breza para tij dhe pas tij të dilnin në skenën e asaj godine.

Robert Ndrenika ka frikë se mos i shembin teatrin, si memorien e artit të të gjithë brezave të aktorëve, që ka nxjerrë ky vend. Por si një qytetar i vjetër i këtij qyteti, këtu gabohet. Ata që po planifikojnë kullat, nuk e kanë problemin me Teatrin Kombëtar si institucion, por me godinën. (Për teatrin dhe përdorjen e artit po bëjnë ligjin e ri). Ajo godinë është ndërtuar para vitit 1945 dhe ky është sot fati i vet i zi. Ajo e ka të firmosur fundin, pikërisht se është ndërtuar para lufte.

Ashtu siç e kishte fundin, për të njëjtin shkak edhe kinema “17 nëntori”, ashtu siç e kishte fundin edhe kinema “Republika”, ashtu siç e kishte fundin edhe stadiumi “Qemal Stafa”, (këta janë emrat komunistë për godinat e ndërtuara para 1945) dhe dhjetëra godina të tjera të ndërtuara në kohën e Zogut dhe nga Italia para lufte. Jo vetëm se ishin në vende të lakmueshme për ndërtime, por se ishin ndërtuar para lufte. Muzeu, apo Teatri i Operës mund të ndërtoheshin kudo në Tiranën e re të komunistëve, por ato u ndërtuan aty për të shembur diçka historike.

Edhe stadiumi mund të ndërtohej sot, gjigant e i habitshëm, në çdo periferi apo në bulevardin e ri të Tiranës, por ai duhet të shembte godinën e vjetër të italianëve, memorien. Kjo është fatkeqësia e Teatrit Kombëtar. Se po të ishte ky institucion, fjala vjen, te Pallati i Kulturës, te Muzeu Kombëtar, apo te Piramida e diktatorit, as do i shkonte ndërmend njeriu ta shembte. Kjo është arsyeja pse, ata që çirreshin për kangjellat e ish-Ambasadës Ruse (godina e Presidencës), apo tuboheshin me lot para Piramidës (në kohën kur u mor vendimi të shembej), sot heshtin.

Prandaj ata e kanë lënë vetëm sot Robert Ndrenikën, jo si aktor, por si tirons i vjetër. Se ky qytet po rindërtohet, por për habi asnjë godinë e ndërtuar pas vitit 1945 nuk është shembur. Fjala vjen, të shembet godina e shëmtuar e Muzeut Kombëtar dhe të risillet Bashkia e vjetër, apo të shembet godina sovjetike e Pallatit të Kulturës dhe të risillet porta e vjetër e pazarit. S’do ndodhin kurrë këto, edhe pse godinat e ndërtuara nga kinezë e rusë dhe arkitektë komunistë rrinë shëmtuar si damkë e keqe mbi këtë qytet. Në të kundërt, gjithçka e vjetër do të eklipsohet.

Do kornizohet me një pallat të ri të artë, godina kineze e 15-katëshit, por do eklipsohet me një apo dy kulla Sahati në qendër. Do rrijë në hijen e gradaçelave (edhe për pak kohë), ish-godina e Lidhjes së Shkrimtarëve, ashtu si mban mbi supe një godinë 24-katëshe varri i Kapllan Pashës. Sikundër u kafshua gjithçka e mbetur nga shtëpitë karakteristike me stil italian të viteve 1930-1940 e deri edhe te bulevardet që po deformohen përditë.

Por nuk do guxojë njëri të shembë ndonjë godinë puniste. Halli i madh, është godina e Teatrit të Kukullave bashkë me ministritë dhe godinën e Universitetit. Por po mendojnë edhe për to. Ato që nuk arriti t’i shembë Enveri, do i shembin pasardhësit. Ky qytet nuk ka më memorie, është i gjithë i ndërtuar pas vitit 1945 dhe pas vitit 2000. Biologjikisht janë të njëjtët vendimmarrës. Këtë fat do ketë edhe “Dopolavoro”, jo se është brenda tij Teatri Kombëtar i Robert Ndrenikës, por se arkitekti është i paraluftës, dhe ajo godinë i bën karshillëk “zhvillimit”.

Ndaj, Robert Ndrenika si aktor e ka gabim që irritohet për institucionin. Fati i tij i keq është që Teatri Kombëtar është mbi atë godinë. Robert Ndrenika nuk duhej të ishte bërë aktor, por “diplomat”, sikundër ironizonte në përgjigjen që i jepte dje ministres së Kulturës, do të ishte i sigurt që godinën e Ministrisë së Jashtme nuk do e shembnin kurrë.


360grade.al


Pushimet e gjata të Opozitës dhe syri i shkelur i KM-së

Të tjera