» FMN: Rritja e pagave vështirëson hapjen e vendeve të reja të punës

FMN: Rritja e pagave vështirëson hapjen e vendeve të reja të punës

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) vlerëson se rritja e pagave apo çdo punësim i ri, duhet të bëhet brenda limitit të rregullës së re për fondin e pagave.

Në një përgjigjeje për REL, Ruud Vermeulen, përfaqësues rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, tha se “punësimet e reja, duke përfshirë ato në sektorin e drejtësisë dhe shëndetësisë si dhe një rritje modeste e rrogave e paraparë për vitin 2018, mund të bëhet në pajtim me rregulloren për fondin e pagave”.

Më tutje, ai tha se rritja e madhe e rrogave në disa sektorë publikë do të krijojë pakënaqësi dhe presion për rritje të rrogave në sektorët e tjerë, që mund të rrezikojnë rregulloren e pagave.

“Po ashtu, do të rrezikojë mundësinë e punësimeve të reja që janë me prioritet”, ka thënë Vermeulen.

Ndryshe, në fund të vitit të kaluar kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, kishte marrë vendim për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar, ndërkaq më pas edhe për punonjësit e sistemit të drejtësisë.

Ky vendim më pas ishte pezulluar nga vetë kryeministri Haradinaj, pas një vërejtjeje që kishte parashtruar Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, e cila e kishte cilësuar vendimin e kryeministrit si të paligjshëm.

Ndërkohë, partitë opozitare vendimin e Haradinajt për rritjen e pagave e kanë dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.

Vendimi i Qeverisë kishte ndikuar që edhe punonjësit e sektorit të shëndetësisë dhe ata të arsimit të kërkojnë rritjen e pagave. Edhe pse që nga fillimi i këtij viti, punonjësit e sektorit publik kanë marrë pagat me rritje prej 4 për qind, Sindikata e Bashkuar për Arsim Shkencë dhe Kulturë është shprehur e pakënaqur me rritjen aktuale, duke kërkuar që rritja të realizohet nga 15 deri në 25 për qind.

1 / 2

Edhe mjekët specialistë në institucione publike shëndetësore, kanë kërkuar kategorizim, që do t’u mundësonte atyre rritjen e pagave.

Në Kosovë ende nuk është miratuar Ligji për pagat, i cili rregullon nivelizimin e pagave për të gjithë punonjësit në sektorin publik.

Në vitin 2010 është miratuar Ligji për pagat e nëpunësve civilë, ligj ky që nuk është zbatuar për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Kurse, mënyra e sistemit të pagave për sektorë të tjerë është realizuar me ligje dhe rregullore të tjera.

Zeqir Bekolli, zëdhënës në Ministrinë e Administratës Publike thotë se për të rregulluar këtë çështje, kjo ministri tashmë ka përgatitur koncept-dokumentin e ligjit për pagat që tashmë gjendet në Ministrinë e Financave.

“Ky dokument i paraprin hartimit të ligjit të ri për pagat, në të cilin do të përfshihen të gjitha kategoritë dhe institucionet që marrin paga nga buxheti i Kosovës. Ky do të jetë ligj unik në të cilin do të përfshihen të gjitha kategoritë dhe institucionet që marrin paga nga buxheti i Kosovës”, thotë Bekolli për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, me një zë më kritik ndaj vendimit të kryeministrit për rritjen të pagave është paraqitur Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK). Ata janë kërcënuar se nëse Qeveria vendos për rritjen e pagave për zyrtarë të saj, nuk do të mungojnë protestat apo grevat. Kurse rritja e pagave për 4 për qind, sipas BSPK-së, është e pamjaftueshme.

Avni Ajdini kryetar në BSPK-së tha për Radion Evropa e Lirë, se Qeveria e Kosovës duhet të gjejë mjete që pagat të rriten në sektorin publik dhe atë privat.

“Nuk është rritje është abuzim, nënçmim është degradim i virtytit njerëzor. Ne kemi kërkuar rritjen e pagave për punonjësit e të dy sektorëve, duke marrë koeficientin e pagës se kryeministrit për 4 për qind”, tha Ajdini.

Por, udhëheqës të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë thonë se është e rëndësishme që rritja e pagave në sektorin publik të mbahet e kontrolluar, në mënyrë që të evitohen efektet edhe në sektorin privat. Ruajtja e këtij balanci, sipas FMN-së është e rëndësishme për konkurrueshmërinë dhe krijimin e vendeve të reja të punës./(Nadie Ahmeti, REL)


360grade.al


Pse ka shpallur sulm dhe çfarë parandjen KM-ja?

Të tjera