» Zbardhet vendimi/ Vrasësi i Mirit të Xhikes i bleu borxhin italianit, gjobë biznesmenit. Tufa u filmua duke …

Zbardhet vendimi/ Vrasësi i Mirit të Xhikes i bleu borxhin italianit, gjobë biznesmenit. Tufa u filmua duke …

Lavdërim Tufa, ish-i dënuar për vrasjen e Fatmir Ramës, i njohur si “Miri i Xhikes”, u rikthye sërish në qeli më 27 shtator të këtij viti, kësaj here i dyshuar për gjobëvënie. Pasi rifitoi lirinë e parakohshme, rreth 3 vite më parë Tufa është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi është denoncuar nga një biznesmen, të cilin e kërcënonte për t’i dhënë 90 mijë euro.

Lavderim Tufa
Lavderim Tufa

Një pjesë e këtyre parave, sipas burimeve nga Policia, ishin për llogari të një shtetasi italian, i cili pretendonte se i detyrohej biznesmeni i dëmtuar. Gazeta “Panorama” ka siguruar vendimin e plotë të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, që më datë 29 shtator vlerësoi të ligjshëm arrestimin në flagrancë të 42-vjeçarit Lavdërim Tufa dhe vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se personi i dëmtuar, shtetasi Gilman M., është pronar i një firme private në fushën e fasonerisë dhe i detyrohej 90 mijë euro biznesmenit italian Emanuele Pinuçio, i cili është shpallur në kërkim nga Policia, në momentin që u arrestua Tufa. Kjo shumë parash, sipas biznesmenit, ishte vlerë e disa makinerive që shtetasi italian i kishte dhënë për t’i përdorur në firmën e tij, të cilat ai kishte vendosur t’ia kthente, pasi nuk funksiononin.

Duke qenë se nuk kishte pasur më komunikim me të huajin, biznesmenin kishte shkuar ta takonte Lavdërim Tufa, që sipas një mikut të tij, e kishte blerë borxhin nga shtetasi italian dhe tani kërkonte paratë. Madje në një moment, një ditë para arrestimit, Tufa është filmuar nga kamerat e sigurisë së biznesit të Gilman M., duke rrahur një punonjës të kësaj firme, pasi nuk i ishte përgjigjur se ku ndodhej pronari.

VENDIMI I PLOTE I GJYKATES SE SHKALLES SE PARE PER KRIME TE RENDA

Shtetasi Gilman M., banues në Tiranë, rezulton që ushtron aktivitet privat në fushën e fasonerisë që nga viti 2002, nën logon e firmës “M…” me qendër në Tiranë, te rruga “Siri Kodra”, ish-kartografikja e vjetër, si dhe ka edhe dy pika të tjera një në Shkodër dhe një në Elbasan, statusi aktiv. Për shkak të aktivitetit dhe veprimtarisë së tij, ai ka marrëdhënie pune me persona të ndryshëm, qoftë shtetas shqiptarë apo të huaj, ku një prej tyre është dhe shtetasi italian Emanuele Pinuçio, të cilit i thërrasin Pino për shkurt, me numër telefoni 003934844xxxxx, i cili ka dhe numër shqiptar, por nuk dihet numri i tij. Me këtë person shtetasi Gilman M. është njohur para dy vitesh, nga disa shtetas italianë të tjerë, ku gjatë bisedave që ka bërë me të ka diskutuar për biznes dhe se ai kishte edhe makineri të reja dhe të përdorura në Itali.

Shtetasi italian Pinuçio i ofroi makineri bashkë me prezantimin e firmave që kishin interes për të punuar në Shqipëri. Ai është takuar te fabrika e tij me shtetasin italian Emanuele, i ka bërë dy parapagime për vlerën e makinerive që i solli, dy herë nga 50 mijë euro, të cilat ia ka dhënë nëpërmjet bankës “XXX”, tek ish-Frigoriferi. Pasi nga ana e shtetasit Gilman M. janë paguar lekët në harkun kohor të dy muajve, shtetasi italian Emanuele Pinuçio ka sjellë disa makineri nga Italia, të markave të ndryshme, kryesisht makina qepëse, ku oferta e parë ishte të sillte makineri për një linjë, oferta dytë ishte për linjën tjetër se, firma që do sillte të qepte pantallona ishte shumë e madhe dhe se duhet të qëndronim korrekt me këtë firmë.

Diferenca tjetër do paguhej mbi bazën e punës që do bëhej 50% parapagim dhe 50% me vlerën e punës që do bëhej dhe sipas llogarive të tij, shkon afërsisht 90 mijë euro. Sipas deklarimeve të dhënë nga shtetasi Gilman M., shtetasi italian Emanuele Pinuçio ka sjellë mbi 30 makineri nga Italia, një pjesë të të cilave i ka vënë në punë, një pjesë tjetër nuk janë përdorur fare, se nuk ka pasur punë dhe ai nuk ka sjellë njerëz të rregullt nga Italia që të punonin.

Klientët që i solli shtetasi italian Pinuçio nga Italia ishin klientë të interesuar për të qepur pantallona, por nuk ishin seriozë dhe bashkëpunimi me ta ishte i pamundur dhe deklaruesi Gilman M. pretendon që i kanë sjellë një dëm mbi 100 mijë euro, sepse makineritë nuk punuan, por janë bërë vetëm prova, për rreth tetë muaj ose një vit, në një kohë që punëtorët e tij janë paguar rregullisht.

Sipas deklaruesit, kohët e fundit edhe puna apo biznesi nuk i ka ecur, i ka dërguar shtetasit italian Pinuçio edhe shuma të ndryshme prej 10 mijë euro, 5 mijë euro, 7 mijë euro, por problemi ka mbetur te makineritë, që nuk janë vënë në punë dhe shtetasi italian kërkonte lekët e këtyre makinerive. Deklaruesi shprehet që, sa herë e ka takuar shtetasin italian Pinuçio, e ka sqaruar se puna nuk ecte, disa nga makineritë nuk ishin vënë fare në punë, por ai kërkonte lekët me çdo kusht.

Biseda e fundit që ka bërë me të, sipas deklaruesit ishte para 5-6 muajve, ku kanë rënë dakord që, për vlerën e palikuiduar të lekëve, t’i kthente makineritë mbrapsht, por nuk kanë mbajtur asnjë dokument shkresor. Deklaruesi Gilman M. deklaron që, shtetasi italian Pinuçio është larguar nga Shqipëria dhe ai ka tentuar të takohet me atë, por nuk ka pasur mundësi të takohet apo sqarohet, sepse ai shkonte e vinte në Itali sipas dëshirës dhe programit të tij. Bisedat e fundit që ka bërë me shtetasin italian Pinuçio, i ka thënë të bëjë listën e makinave që kishte për t’i kthyer sipas vlerës në faturën e parë.

Një bisedë telefonike që ka bërë bashkëshortja e deklaruesit, ajo i ka thënë shtetasit italian Pinuçio: “Turp të kesh nga sjellja jote dhe pse fut njerëz për t’u sqaruar për marrëveshjen që kemi”, ku sqaron deklaruesi shprehet se, marrëveshja është verbale dhe jo me ndonjë akt noterial, me dokumente janë vetëm lekët që i ka dhënë atij dhe makineritë që kanë hyrë këtu.

Sipas deklaruesit, në fund të muajit qershor 2018, ai ka qenë duke dalë nga fabrika e tij dhe i erdhën me makinë tre persona me një automjet “Benz” ngjyra e zezë, targat nuk ia mban mend dhe nga mjeti doli një person, i cili pyeti kush ishte Gilmani. Ai i tha që jam unë dhe personi i thotë se, do të takojë Lavdërim Tufën. Deklaruesi kujtoi se mos ishte ndonjë shok apo i njohur, por nuk bënte dot lidhjen dhe i tha se, nuk i kujtohet ky person, por personat i kthyen përgjigje se, merrej me verë. Ai iu tha se ishte pasionant i verës dhe u shpjegoi se e prisnin dy italianë, ndaj ta merrte nesër në telefon dhe nuk iu ka dhënë numër telefoni dhe as ata nuk i kërkuan numër telefoni.

Deklaruesi Gilman M. është ndarë nga personat dhe ka vazhduar aktivitetin normalisht dhe nuk e ka marrë njeri në telefon. Pas dhjetë ditësh e ka marrë në telefon një person, që ai e njeh që quhet Besim R. dhe punon tek Ujësjellësi në Sauk, Tiranë, i cili i tha se rastësisht në një lokal ka dëgjuar emrin e tij në një tavolinë. Deklaruesi e ka pyetur nëse e kishte dëgjuar për mirë apo për keq dhe shtetasi Besim R. i ka thënë se, e kishte dëgjuar për keq.

Deklaruesi e ka pyetur nëse ishte punë që rregullohej dhe shtetasi Besim R. i ka thënë se janë shokët tanë dhe rregullohet. Shtetasi Besim R. i ka kërkuar deklaruesit Gilman M. që të shkonte të nesërmen ta takonte në kafe, në Sauk, te zyrat e Ujësjellësit. Duke menduar për çfarë i tha Besimi në telefon, deklaruesi ka filluar të shqetësohej, ka shkuar në Sauk dhe është takuar në kafe me shtetasin Besim R..

Në bisedë e sipër, shtetasi Besim R. i ka treguar Gilmanit se një ditë më parë atë e kishte takuar një shoku i ngushtë i tij, bashkë me dy persona të tjerë, ku përmendën emrin e Gilmanit. Sipas Besimit, kur ka dëgjuar emrin e Gilmanit i ka thënë se kishin fëmijët shokë, pasi kanë luajtur basketboll me njëri-tjetrin dhe njëri nga personat që ishte prezent dhe kishte përmendur emrin e tij, ishte dhe Lavdërim Tufa. Gilmani e ka pyetur kush ishte ky person, ndërsa Besimi i thotë se, dyshohet që ka vrarë “Mirin e Xhikes”.

Gilmani i tha Besimit se nuk e njihte dhe nuk kishte asnjë lidhje me të. Besimi i ka thënë se, ishte problemi i një italiani që Gilmani i kishte një borxh, por emrin e italianit Besimi nuk e dinte, por do interesohej nëpërmjet shokut. Në bisedë e sipër, Gilmani i tregoi për shtetasin italian Pinuçio dhe punën e makinerive, i tha se, nga bashkëpunimi me të, kishte humbur shumë lekë. Besimi i ka thënë se do mundohej të sqarohej me shokun e tij. Gjatë kësaj periudhe, deklaruesi Gilman M. ka filluar të shqetësohej, pasi shtetasi Besim R. nuk i la ndonjë afat, i tha t’i jepte numrin e tij ta sqaronte me detaje të hollësishme.

Sipas deklarimeve të shtetasit Gilman M., ai është takuar dhe dy herë të tjera me shtetasin Besim R., por më tepër ka folur në telefon, e ka pyetur nëse ishte takuar me shokun e tij dhe Besimi i ka kthyer përgjigje që, nuk kishte lidhje me këtë punë se bisedën e kishte dëgjuar rastësisht, ndërkohë që atje në kafe i premtoi se do fliste me shokun e tij për problemin që Gilmani kishte me shtetasin italian.

Pasi Gilmani është takuar me Besimin, me shtetasin italian Pinuçio ka folur bashkëshortja e Gilmanit, ku i ka thënë pse iu kishte fut njerëz dhe turp të kishte, për të zgjidhur problemet që kishin ndërmjet tyre, por shtetasi Pinuçio i ka mbyllur telefonin. Nga shqetësimi i krijuar sepse i është dukur tepër serioze kjo situatë, Gilmani ka telefonuar disa herë Besimin, sepse fillimisht i kishte thënë që do fliste me shokun e tij e më pas thoshte se nuk kishte asnjë lidhje me këtë gjë. Pas disa ditëve, Gilmanin e ka marrë në telefon Besimi dhe i ka thënë se ishte me shokun e tij të ngushtë dhe e ftuan në kafe në një lokal te Rruga Elbasanit, te Vilat Gjermane.

Kur u afrua te lokali, Gilmani ka marrë në telefon Besimin për ta pyetur se ku ishte, por Besimi i ka thënë që të shkonte ta takonte atë shokun se, ishte te lokali dhe se Besimi kishte vajtur te zyra, duke firmosur disa dokumente.

Gilmani i ka thënë se kishte ardhur për t’u takuar me të dy dhe si mund të shkonte me familjen në një vend të panjohur, pasi me të ishte bashkëshortja dhe djali. Më pas, Gilmani nuk ka vajtur te lokali, pasi është frikësuar nga kjo situatë dhe ka vazhduar bisedën në telefon me Besimin, i cili i thoshte shpesh: “Po mua ç’më duhet me këtë punë, pata punë zyre prandaj ika”. Sipas deklaruesit Gilman, gjate bisedave që ka pasur me Besimin, ai i ka thënë se shtetasi italian me emrin Pinuçio, ia ka shitur borxhin e tij personave që ishin në tavolinë me të dhe njeri prej tyre ishte Lavdrim Tufa. Deklaruesi Gilman M. është interesuar me lidhjet e tija shoqërore e miqësore për ta zgjidhur këtë problem dhe i kanë sugjeruar të bëjë kallëzim penal, i cili edhe pse ishte i frikësuar, për momentin nuk e kishte parë të arsyeshme të bënte kallëzim penal, sepse nuk po kontaktonte me shtetasin italian Pinuçio dhe as me shtetasin Lavdrim Tufa.

Pas dy-tri javësh nga ngjarja e mësipërme, në muajin gusht 2018, sipas deklaruesit shtetasi Besim R. e ka marrë në telefon dhe e ftoi për kafe, por Gilmani nuk i vajti, sepse nuk i pëlqyen veprimet që bëri nga takimi apo biseda e fundit me të dhe që nga ajo ditë nuk është lidhur në telefon dhe as nuk e ka takuar Besimin. Ne datë 26.09.2018, rreth orës 09:30, në ambientet para firmës së deklaruesit Gilman, ka ndaluar një automjet “Benz”, ngjyra zezë, me targa të huaja italiane. Nga mjeti fillimisht ka dalë një person, i cili është afruar te roja i firmës shtetasi Tahir Xh..

Në oborr kanë qenë edhe dy punëtorë të firmës, njëri prej tyre shtetasi Elvis B.. Sipas deklarimeve të rojës, Tahir Xh., personi që zbriti ka pyetur ku është Gilmani dhe ai i ka kthyer përgjigje se, nuk ka ardhur akoma. Personi e ka pyetur se kur vinte ai sërish dhe ai i ka thënë se nuk e dinte se është pronari dhe nuk i kërkonte llogari atij. Sipas Tahirit, personi që e ka takuar i ka thënë se e kërkon Lavdërimi. Pasi është kthyer makina ka ndaluar sërish te porta dhe ka dalë një person tjetër më rroba të zeza dhe ka vajtur direkt te punëtorët, pasi ka folur pak me punëtorin, ka goditur me grusht njërin prej tyre. Shtetasin Gilman M. e kanë njoftuar në telefon, për këtë situatë.

Ai ka shkuar në ambientet e firmës së tij, ka parë pamjet filmike, personat që janë në pamje, nuk i njihte, ishte hera e parë që i shihte dhe në këtë moment ka menduar të njoftojë Policinë. Deklaruesi Gilman ka shpjeguar se, arsyeja pse u paraqit në ambientet e Policisë ishte të kërkonte ndihmën e autoriteteve për të sqaruar këtë situatë dhe mendonte se personat në fjalë, me veprimet e tyre të përsëritura, po kërkojnë që ai, të paguajë shumën e parave prej 90 mijë eurosh, që sipas shtetasit italian Pinuçio, Gilmani i detyrohet për shkak makinerive.

Sipas deklarimeve të shtetasit Tahir Xh., në firmën “M…”, ku ai punon si roje, rreth orës 09:30, të datës 26.09.2018, gjatë kohës kur ka qenë në oborrin e firmës, para portës është afruar një automjet, tip “Benz” me ngjyrë të errët, nga i cili ka zbritur një person i veshur me këmishë, biond, me mjekër. Personi e ka pyetur për Gilmanin dhe Tahiri i ka kthyer përgjigje se, nuk kishte ardhur akoma. Tahiri e kishte pyetur personin si quhej dhe ai i kishte thënë që quhej Lavdërim dhe emrin e tij e kishte shënuar në një cope letër, e cila është administruar si provë materiale.

Për ngjarjen në fjalë është pyetur edhe shtetasi Elvis B., punonjës në firmën “M…”, i cili ka shpjeguar se ishte në oborrin e firmës kur ka ndaluar automjeti i sipërpërmendur dhe kishte dëgjuar personin që zbriti nga automjeti dhe bisedoi me rojën, i cili quhej Tahir dhe i kishte thënë se quhej Lavdërim. Elvisi po bënte muhabet me një punëtor tjetër dhe po qeshnin me njeri-tjetrin dhe ndërkohë nga automjeti ka zbritur një person tjetër, i cili e ka qëlluar me grusht dhe më pas e ka sharë atë dhe Gilmanin. Ai nuk e njihte personin, pasi ishte hera e parë që e shikonte.

Shtetasi Besim R. për këtë ngjarje ka shpjeguar se, njihej me shtetasin Gilman M. dhe Lavdërim Tufa se, kishte dijeni për një borxh që Gilmani i kishte një shtetasi italian dhe sipas tij, Lavdërimi kishte kërkuar të takohej me Gilmanin për këtë borxh dhe se Lavdërimi kishte një akt noterial me shtetasin italian për atë borxh.

Sipas Besimit, Gilmani me Lavdërimin kishin rënë dakord të takoheshin me njëri-tjetrin, por nuk kishte dijeni nëse ishin takuar apo jo. Për ngjarjen e ndodhur te firma “M…” ka marrë dijeni kur ka ardhur në Polici dhe ai nuk pranon që t’i ketë thënë Gilmanit se shtetasi italian i kishte shitur borxhin shtetasit Lavdërim Tufa. Shtetasi Ferdinant Sh., punonjës Policie në Drejtorinë e Burgjeve, lidhje shoqërore e shtetasit Lavdërim Tufa ka deklaruar se nuk njihej me Gilmanin dhe as me shtetasin italian Pinuçio. I pyetur në lidhje me shtetasin Lavdërim Tufa, ai ka shpjeguar se kur ka parë disa pamje filmike në një monitor në ambientet e Policisë, ka njohur shtetasin Lavdërim Tufa, i cili ka goditur një shtetas me grusht.

Nga pamjet filmike të këqyrura pranë firmës “M…” rezulton se, në hyrje të rrugës, te firma “M…”, afrohet një mjet i markës “Benz”, me ngjyrë si ajo e zeza, me targa DZ 754 CZ dhe kur automjeti kthehet, hapet dera e pasme djathtas, zbret një person i veshur me të zeza dhe godet me grusht një shtetas, i cili ndodhej brenda rrethimit të firmës “M…”.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit Lavdërim Tufa është gjetur dhe sekuestruar një jelek antiplumb, i ngjashëm me ato që përdor Policia e Shtetit, si dhe është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Ferdinant Sh., ku nuk janë gjetur sende të kundërligjshme, si dhe janë sekuestruar telefonat e shtetasit Lavdërim Tufa.


360grade.al


Pse o Ramë, Shqiponja në hyrje të Tiranës të duket vulgare? Ke kandiduar për stilist të Kombit?

Të tjera