» Ligji i ri, përfitimet që do të kenë qytetarët pas 1 janarit

Ligji i ri, përfitimet që do të kenë qytetarët pas 1 janarit

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali, shprehet kritik për situatën e krijuar me pronat, duke e cilësuar modelin e sotëm katastrofik, korruptiv, të lodhshëm dhe stresues për qytetarët.

Sipas tij, bashkimi i institucioneve të pronësisë nën një çati është një fillim i mirë për t’u dhënë zgjidhje problematikave të mbaruara ndër vite. Në një intervistë dhënë për gazetën, Haxhimali shprehet se baza e re ligjore për pronat është e domosdoshme, pasi ul kostot administrative dhe kohën e shpenzuar. “Do reduktojë stresin e qytetarëve dhe shmang kalvarin e zvarritjeve nga një zyrë në tjetrën me vite e vite dhe kurrë nuk mbaronin punë. Këtu pritet të fitojë e drejta, të fitojnë poseduesit ligjorë që janë të shumtë. Do penalizohen kush ka përfituar dhe abuzuar në kundërshtim me ligjin”, pohon drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive, njëherazi ekspert për çështjet vendore.

Qeveria ka gati draftin për bashkimin e institucioneve të pronësisë. Mendoni që kjo nismë do të adresojë drejt zgjidhjes problematikat e mbartura ndër vite?

Në fakt, kemi të bëjmë me një iniciativë të ALUIZNI-t. Do ta cilësoja një nismë të mirë. Është për t’u vlerësuar, për t’u konsideruar dhe për t’u trajtuar me shumë kujdes pasi problematika me pronat, dokumentacionin dhe regjistrimin fundor është e madhe, e ndjeshme dhe konfliktuale. Ne po e konsultojmë me specialistët e bashkive, por draftit, që na ka ardhur, i mungon relacioni dhe shtojcat, që do na ndihmonin më mirë për të argumentuar dhe reaguar. Si një problem i trashëguar gati në një shekull në Shqipëri dhe akoma me përmasa më problematike është bërë në gati një çerekshekulli (nga 91-2018). Gjatë kësaj periudhe të demokracisë çështja e pronave është trajtuar pa seriozitetin e kërkuar parimisht, ligjërisht, institucionalisht dhe administrativisht. Në të 4 këto kolona ka shkelje, problematika dhe cenim të drejtave të pronarëve të ligjshëm. Gjatë kësaj periudhe, çështjet e pronësisë janë trajtuar në një kënetë sa i përket kuadrit ligjor nënligjor dhe akteve apo udhëzimeve. Po kështu edhe sa i përket institucioneve përgjegjëse ka qenë një zinxhir me hallka të këputura. Në 25 vjet, ligji, që trajton çështje të pronave, ka ndryshuar 20 herë. Kjo ka shkaktuar humbje të logjikës ligjore, përsa i përket trajtimit të kësaj çështje dhe vakum pas vakumi deri sot. Le të shpresojmë që me këtë ligj të eliminohen problemet, vuajtjet dhe tmerri pa fund dhe korruptiv për qytetarët. Dhe sa i përket strukturimit të institucioneve, jam i mendimit që duhen reformuar, strukturuar dhe konsoliduar, sipas qasjes zyrë me një ndalesë. Pra, qytetari të trokasë për t’u pajisur me pronën e tij vetëm në një institucion. Modeli i sotëm, katastrofik, korruptim, i lodhshëm dhe stresues.

A ka të favorizuar dhe të penalizuar nga ky proces i ri?

Nga një ligj i mirë dhe nga zbatimi i mirë i ligjit fitojnë të gjithë. Fitojmë disa hapa më shpejt drejt familjes europiane. Ligji është kompleks dhe kërkon shumë profesionalizëm, konsultime të gjera me përfshirje të aktorëve politikë dhe jopolitikë. Si çdo ligj edhe ky do të gëzojë dhe hidhërojë qytetarët apo ato që janë direkt të prekur. E rëndësishme është dhe unë këtë mendoj dhe shpresoj që efekti do jetë pozitiv me masën më të madhe. E them këtë, pasi hartimi i bazës ligjore të thjeshtuar dhe të harmonizuar për përfundimin e proceseve administrative të trajtimit të pronës, është i domosdoshëm dhe ul kostot administrative dhe kohën e shpenzuar. Do reduktojë stresin e qytetarëve dhe kalvarin e zvarritjeve nga një zyrë në tjetrën me vite e vite dhe kurrë nuk mbaronin punë. Këtu pritet të fitojë e drejta, të fitojnë poseduesit ligjorë që janë të shumtë. Do penalizohen kush ka përfituar dhe abuzuar në kundërshtim me ligjin.

Pas zyrtarizimit të nismës, qeveria parashikon të nisë nga puna edhe për evidentimin në terren dhe nëse konstatohen abuzime do të hiqet titulli i pronësisë. Cili është komenti juaj për këtë?

E thashë dhe më sipër, “efektet ligjore” do të rëndojnë mbi shkelësit e ligjit. Abuzuesit duhet t’i “dorëzohen” drejtësisë. Por këtu duhet treguar kujdes, që nene në ligj të mos kthehen në qëllime negative.

Regjistrimi fillestar i pronave nuk është arritur në gjithë këto vite, mendoni që bashkitë do angazhohen në përmbylljen e këtij procesi?

Është ky problem dhe punë e madhe për bashkitë, por jo vetëm. Angazhimi i bashkive dhe i këshillit është me vlerë dhe këto duhet të punojnë me sinqeritet dhe transparencë në zbatimin e ligjit. Angazhimi i bashkive në këtë proces kërkon dhe mjete financiare, dhe burime njerëzore. Ndaj qeveria duhet t’i mbështesë bashkitë me burime financiare specifike. Por dhe vetë bashkia duhet të bashkëfinancojë këtë proces.

Në draft ka një nen të posaçëm për zgjidhjen e rasteve me mbivendosje. A është korrekte, sipas jush, mekanizmi i ngritur?

Po, është neni 55 i draftligjit, që ka prezantuar disa opsione. Mund të ketë dhe opsione të tjera, që mund të sugjerohen nga aktorë të tjerë. Por, sipas meje, rastet me mbivendosje kërkojnë zgjidhje të menjëhershme. Duhet zgjidhur, pasi për problematikat e mospërputhshmërisë së hartave apo zërave kadastralë, qytetari nuk ka faj dhe s’ka pse penalizohet. Kësaj burokracie sa teknike dhe administrative, duhet t’i japë zgjidhje përfundimtare ky ligj. Është momenti që dhe procesi i mbivendosjes të ketë procedura të standardizuara njëherë e mirë.

BASHKITË

Institucionet shtetërore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë detyrimin që brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të krijojnë një strukturë të posaçme, e cila do të ketë për objekt të veprimtarisë së saj vetëm inventarizimin, plotësimin, përditësimin dhe ndjekjen e procesit, deri në regjistrimin e pronave në regjistrin publik të pasurive të paluajtshme dhe pajisjen me certifikatë pronësie për çdo pasuri.


360grade.al


Pse ka shpallur sulm dhe çfarë parandjen KM-ja?

Të tjera