» Burrë e grua mashtrues, çifti i biznesmenëve pritet të marrin dënim të rëndë

Burrë e grua mashtrues, çifti i biznesmenëve pritet të marrin dënim të rëndë

Çifti i biznesmenëve në fushën e ndërtimit, Rrapush dhe Vjollca Hoxholli do të gjykohen për rastet më të rënda të mashtrimit të parashikuara në kodin penal.

Atë të mashtrimit me më shumë se një herë, të kryer në bashkëpunim dhe me pasoja të rënda, e parashikuar nga neni 143/3 i kodit penal dhe që parashikon një dënim që varion nga 5 deri në 10 vite burgim.

Këtë akuzë e ka pranuar gjyqtari paraprak Erion Bani, i cili ka vendosur të kalojë për gjykim themeli çështjen ndaj çiftit të biznesmenëve Hoxholli.

Nga hetimet e kryera prokuroria pretendon se ka vërtetuar të paktën 5 raste mashtrimi të çiftit Hoxholli ndaj qytetarëve të ndryshëm me një dëm financiar të përllogaritur në disa qindra mijëra euro. Dy nga rastet e hetuara kanë të bëjnë me qytetarë që kanë denoncuar çiftin e ndërtuesve se u kane shitur të njëjtin apartament disa personave.
Ndërsa, tre raste të tjera janë në qytetin e Shkodrës, ku çifti Hoxholli kanë mashtruar disa qytetarë, të cilëve u kishin marrë një sipërfaqe toke për të ndërtuar pallat dhe ndërtimi nuk është bërë.

Edhe gjatë seancës paraprake ashtu si gjatë fazës së hetimit, Rrapush dhe Vjollca Hoxholli nuk i kanë pranuar akuzat. Ato pretendojnë se kjo është një marrëdhënie civile mes tyre dhe personave që i kanë denoncuar dhe se këto çështje mund të ndiqen në rrugë civile dhe jo penalisht pasi qëllimi nuk ka qenë mashtrimi. Por, prokuroria dyshon se çifti Hoxholli i kanë bërë me vetëdije të plotë kontratat dhe veprimet e tjera mashtruese në dëm të disa qytetarëve.

Rrapush dhe Vjollca Hoxholli janë denoncuar edhe më parë për mashtrime me apartamentet që ndërtonin. Që nga viti 2004 e deri më tani ndaj tyre janë zhvilluar disa procese penale dhe shumë më tepër çështje civile prej të cilave Rrapush Hoxholli ka marrë dy dënime penale.


360grade.al


Pse ka shpallur sulm dhe çfarë parandjen KM-ja?

Të tjera