» Masakra me 3 të vrarë në Mat, bashkia merr përsipër shpenzimet e varrimit

Masakra me 3 të vrarë në Mat, bashkia merr përsipër shpenzimet e varrimit

Janë përcjellë sot për në banesën e fundit, tre persona të cilët mbetën të vrarë në Mat. Dy prej viktimave janë punonjës të bashkisë dhe një i tretë banor i zonës.

Në ceremoninë e varrimit mori pjesë gjithë stafi i bashkisë Mat si dhe drejtues lokal.

Sakaq Bashkia e Matit ka vendosur të mbulojë shpenzimet e funeraleve, në vlerën prej 10 milionë lekë të vjetra. Ndërkohë që Bashkia i shpalli të ndjerët “Qytetar Nderi”.

Ceremonitë funerale janë zhvilluar në fshatrat Shëlli, Burgajet dhe Zenisht.

Krimi ndodhi mesditën e kësaj të enjteje në fshatin Shëlli të Matit, dhe gjithçka duket se ka nisur për një shpullë.

Punonjësit e bashkisë së Matit, ishin duke punuar për shtrimin e rrugës së fshatit, kur një banor i zonës, Kujtim Hoxha, 54 vjeç u konfliktua me ta.

Rezulton se gjithçka ka nisur rreth orës 12.30, kur Hoxha ka qenë në lokalin e fshatit dhe aty kanë ardhur punonjësit e bashkisë për të ngrënë drekë.

Në një moment ai është drejtuar drejt tyre dhe më konkretisht drejt Erzen Aliaj, duke i kërkuar llogari se pse nuk e shtrojnë rrugën deri afër shtëpisë së tij, por shtrojnë vetëm një pjesë.

Kështu Aliaj është çuar nga tavolina dhe ka debatuar me Hoxhën në ambientet e jashtme të lokalit, dhe në këtë moment e ka goditur me një shpullë në fytyrë.

Në atë moment kanë ndërhyrë punonjësit e tjerë për ti ndarë, pasi Hoxha nuk ka kursyer sharjet, duke qenë dukshëm në gjendje të dehur.

Pas kësaj ai ka shkuar në banesë, ku ka marrë një automatik, dhe ka shkrepur armën me breshëri, drejt punonjësve të bashkisë.

Më tej ai u fsheh në pyllin e fshatit Burgajet, ku pas afro një ore u vu në prangat e policisë, ku 40 efektivë zbritën në terren.

Nga të shtënat gjeti vdekjen e menjëhershme 36-vjeçari Mentor Hoxha, shofer fadrome me banim në fshatin Burgajet, dhe u plagosën rëndë punonjësi tjetër Erzen Aliaj 49 vjeç, banues në Burrel dhe Hamit Buçi 43 vjeç shofer kamioni, banor i fshatit Shëlli, të cilët gjetën vdekjen pak më vonë në spital.

Sakaq i plagosur rëndë vijon të jetë në spital, 40-vjeçari A.H., banor i fshatit Burgajet. /a.y/noa.al


360grade.al


Kryeministri nën efektin e marrëzisë së madhështisë, e shndrron protestën në kryengritje!

Të tjera