» Faleminderit o artistë që vdisni!

Faleminderit o artistë që vdisni!

Nga Greta Beqiri

Kur vdesin ikonat e artit dhe letërsisë, atëherë kujtohemi, sesa unikë janë!
Ç’sarkazmë e pështirë!

Faleminderit o artistë që vdisni!

Të më ndjeni se në pikëpamje të parë dukem tepër e ligë, por me vdekjen tuaj ne po mësojmë për kulturën, shkrimin, artin e me radhë. Në sajë të vdekjes suaj, shumë prej nesh mësojnë për ekzistencën tuaj të patur plot virtyte dhe veprat që latë pas. Faleminderit e të na ndjeni që jemi një brez kaq injorant, që me vdekjen tuaj tallemi, por s’kemi faj brezi i Getoarit, Noizit e bashkë me shokë na e kanë instaluar ekspresin e injorancës në kokë. Librat tanë të preferuar nuk janë më vargjet tuaja plot dritë e dije, ato kanë dalë jashtë mode tashmë, por lyrics e teksteve të Tunës bashkë me shoqet i japin kuptim jetës sonë.

Koha ka evoluar! Injoranca e ulur këmbëkryq i bën fresk servilizmit dhe mburrjes së pashoqe, se sot të dhurosh dhe lexosh një libër quhesh i ngecur në kohë e të krahasojnë me letrat e dashurisë platonike. Ndaj dhe ne preferuam që të ecim me hapin e kohës, të ngremë volumin në qiell në makinën që na bleu babi, xhamin hapur, dora në timon plot finesë tangërlliksash dhe ec se kjo na qenkërkësh jeta!

E na vjen inat pastaj, pse?
Na vjen inat pse na ze monotonia, pse nuk jemi kreativë, pse nuk bëjmë diçka ndryshe. Ja pra, se s’ju njohim! Se dhe qeveritarët barkfuçi pas vdekjes ju kujtojnë, dekorojnë dhe ju lajnë me lot krokodili.

Ç’ironi e shëmtuar, por s’ke ç’bën! E vetmja zgjidhje është të vdisni, që të mos mbesim injorantë edhe më shumë. Ju kërkoj ndjesë, por veç kështu do të kujtohemi disi të gugëllojmë emrin tuaj e të lexojmë ndonjë gjë me vlerë për ju!


360grade.al


Kompleksimi i Opozitës dhe oksigjeni që mori prej saj kryeministri

Të tjera