» Astrit Patozi: Bëje revolucionin po pate këllqe o derdimen, por jo për Babalen

Astrit Patozi: Bëje revolucionin po pate këllqe o derdimen, por jo për Babalen

Nga Astrit Patozi

Bëje revolucionin, po pate këllqe, o derdimen, por jo për Babalen. Se partia, që ke privatizuar dhe i ke marrë emrin me qera prej 5 vjetësh, nuk e bëri dot atë as kur i vranë Azem Hajdarin.

Kërkoj ndjesë për krahasimin, por e tillë është katandisja e Partisë Demokratike në drejtimin e njeriut të gabuar, 20 vjet pas vrasjes së Liderit të Dhjetorit.

Sepse ky është një sistem që në pushtet duhet të vish vetëm me votë, edhe këtu nuk është puna se të merr në telefon Trump-i apo Merkel-i, siç e shpjegon ti shkakun e shtyrjes së revolucionit.

Vetëm ti mund ta bësh që t’i detyrosh njerëzit të zgjedhin mes asaj që thotë një trafikant ordiner dhe akteve të një prokurori, qoftë ky edhe djali i Aranit Çelës. Se ti mendon që publiku nuk ka nevojë që t’i japësh prova dhe fakte, kur je kundër qeverisë. Dhe je gati t’i hidhesh në fyt vetë apo përmes rrogëtarëve të kunatit kujtdo në Shqipëri, që ka dyshimin më të vogël për versionin e Babales.

Po edhe sikur të mos ishe personazhi që, sipas Ilir Metës, të gënjen edhe për orën, ku ke parë e dëgjuar ti që opozita ta detyrojë popullin që ta pranojë me zor pretendimin e saj?

Domethënë, ti po na thua se kush beson Babalen tënd është shqiptar i mirë, ndërsa ata që e vënë në dyshim janë shërbëtorë të Edi Ramës dhe të krimit të organizuar, apo jo?

Domethënë ti po i fton shqiptarët në referendum, e doni apo nuk e doni Babalen, dhe i qartë për rezultatin e tij në favor, po fton të gjithë fansat e vlonjatit të famshëm që të ngrihen e të përmbysin me forcë Edi Ramën?

Bëje revolucionin, po pate këllqe, o derdimen, se ka një mijë arsye, përveç Babales, që kjo qeveri ta meritojë plotësisht të rrëzohet.

Por të lutem shumë, mos cakto datë, as muaj, dhe as vit, sepse koha është e pamëshirshme. Ajo ikën shpejt, duke i dhënë të drejtë gjithmonë Ilir Metës.


360grade.al


Kompleksimi i Opozitës dhe oksigjeni që mori prej saj kryeministri

Të tjera