» Deti i gënjeshtrave Majtas e Djathtas që mban në sipërfaqe Qeverinë e mbytur…

Deti i gënjeshtrave Majtas e Djathtas që mban në sipërfaqe Qeverinë e mbytur…

Nga Artur ZHEJI

Ky i sotmi, është sigurisht i vetmi KM, që ka një marrëdhënie të ndryshme nga të gjithë të tjerët, me paranë e madhe dhe rrymat e influencave që i jep pushteti kryeministror.
Përtej të vërtetave apo spekullimeve se sa para ka sot KM-ja, ai qarkullon në sajë të influencave të veta, bonuse qindra milionëshe, të cilat të pasurojnë brenda natës apo të shkatërrojnë biznesin në pak ditë.
Mirëpo ky i sotmi, ka bërë një Zgjedhje dhe ka hapur prej kohësh një ankand, që mbetet gjithmonë hapur, nëse do të ecësh përpara, “bëju me mua, nuk më rruhet çfarë ke bërë më parë me kundërshtarët e mi politikë…”

Në periudhën e qeverisjes Berisha1 dhe Berisha 2, mjaft sipërmarrës “të rëndësishëm” apo spekullantë të talentuar dhe rrjepës të pamëshirshëm të parasë publike, shpërthyen dhe u rritën në mënyrë të shumëfishtë. Porse ankoheshin nëpër tavolina, se “Gjoba” që i paguanin pushtetit, ishte paturpësisht e madhe, e rëndë dhe shpesh, jo vetëm në cash, por edhe në aksione.
Gjithësesi, në emër të kësaj marrëdhënjeje speciale, ata arrinin, të rrumbullakosnin të ardhurat e tyre, duke u rënë me shkelm zyrave të taksave, duke grabitur energji elektrike dhe duke bërë pazare të mëdha me doganat, për produkte të aksizës më të lartë.

KM-ja i sotëm, ka një marrëdhënie tjetër me “Paranë e madhe”, që zgjon instiktet më kafshërore në trurin e sëmurë te sipërmarrësit e mëdhenj, apo edhe ndaj atyre të shkallëve më të ulta.
Ay, KM-ja, e përdor Paranë e Madhe, si zbutësi i tigrave, llokmat e mishit, ndërkohë që këta tigra prej letre, që shqyejnë minj e mace e lepuj tërë ditën, që fryhen e u bërtasin vartësve e puthadorëve të shumtë dhe pordhërojnë lokaleve “Inn” të Tiranës me fotot e dashnoreve më të reja, kërcejnë si ca qenusha cirku, kur dëgjojnë fshikullin e kamzhikut kryeministror të KM-së, e hidhen e kërcejnë pupthi, mbi stolat e spektaklit: Shqipëria që duam, që në të vërtetë përkthehet, Kryeministri që duam.

Ashtu si Paraja, që i paguhet prurësit më të parë, e binesmenët u shërbejnë paguesit më të parë dhe nuk kanë as kujtesë dhe as ndonjë mall e brengë shpirtërore për të kaluarën, apo për ish partnerët e Pushteteve që ikën dhe kryeministrave që nuk janë më kryeministra.
KM-ja, i sotëm, me marrëdhënien e tij të re me Paranë e Madhe, ndër shumë talente, ka zbuluar sëfundi edhe një talent të ri: Korruptimin financiar të shtresave të larta, joshjen e tyre, duke përdorur konçesionet, PPP-të dhe Tenderat, si zbutësi i tigrave, llokmat e mishit të përgjakur, për ti përdorur dhe për ti futur më pas në kafazin e cirkut, apo në kazermën e ushtrisë së tij zgjedhore. Të gjithë me rrallë, nga i pari te më i fundit, titullarët e logove më të rëndësishme të biznesit në vend, janë tanimë në rrethin e KM-së, duke i kthyer shpinën ish bashkëpuntorëve të mëparshëm politikë.
Duke tharë e zhuritur kontributet financiare të partive të tyre, duke lëvizur në sajë të influencave mijëra vota dhe duke krijuar përshtypjen dhe duke dhënë premtimin, se do jenë llaçi lidhës dhe mbajtës, i pushtetit të gjatë kryeministror.

Ndërkohë Opozita, në ditët e veta më të këqia, edhe financiare, që vjen nga tradita e keqe e sënduqeve, qypave apo llogarive off shore, kërkon para të freskëta dhe hamëndëson rrëzimin e KM-së, pa e futur dorën në portofolin e saj të fryrë.

Por si mund të ndodhë kjo?
Përmes popullit? Po cilit popull? Atij që ikën nga sytë këmbët ditë pas dite nga Shqipëria? Atij që paguan për gjithçka dhe i tepron fare pak për vete?
Gjasat janë të pakta, ndonëse shpresa vdes e fundit.
Qeveria e sotme është një Qeveri e mbytur dhe asgjëbërëse, më ministra të trashur me para të madhe, por deti i gënjeshtrave, që vijnë edhe nga Opozita dorështrënguar, e mban mbi ujë anijen e mbytur të qeverisjes.
Ndërkohë, “Kështjellat” e të gjithë bizneseve, kanë rënë në dorë të KM-së, pa luftë e rrethim, por me ar dhe joshje.


360grade.al


Kompleksimi i Opozitës dhe oksigjeni që mori prej saj kryeministri

Të tjera