» Opinion: Sekuestro miliona euro, por edhe vrasje; a ra poshtë teza e Ramës

Opinion: Sekuestro miliona euro, por edhe vrasje; a ra poshtë teza e Ramës

Ndërkohë që shqiptarët çdo ditë e më shumë po tronditen nga zhdukjet misterioze, vrasjet mafioze e rrëmbimet me armë, kryeministri Edi Rama ngulmon se në Shqipëri nuk ka banda.
Të paktën kështu deklaroi me datë 7 shtator 2018 gjatë asamblesë së PS-së.

Rama u shpreh se ne duhet të vëmë një vijë të kuqe të qartë dhe plot ndriçim në çdo qytet për të gjithë rrugeçërit. Sipas tij, këtu flitet për banda, por kryesisht kemi të bëjmë veçse me rrugeçër.

Këta duhet të humbasin përfundimisht autoritetin që kanë në rrugë, që gëzojnë prej shumë e shumë vitesh.
Rama nuk u ndal vetëm me kaq, por deklaroi se janë njerëzit dhe gazetarët të cilët po zmadhojnë shifrat e krimeve në Shqipëri. Mirëpo, prej 24 orësh, vendi është tronditur nga pasuritë e sekuestruara të grupeve kriminale nga veriu në jug të vendit.

Dhe, nëse u referohesh vetëm të dhënave zyrtare nga Policia e Shtetit, mund të kuptohet mjaft qartë se në vendin tonë nuk flitet për rrugeçër ordinerë që trimërohen sa aty-këtu, por për grupe kriminale të strukturuara dhe me pasuri që kapin shifra marramendëse në miliona euro.
Një fakt të tillë, e dëshmon Zv/Ministrja e Brendshme, Rovena Voda, e cila tregoi në media për 19 milionë euro pasuri kriminale të sekuestruara.

Dhe, çdo njeri me dy pare mend në kokë e kupton se nuk flitet për rrugeçër që u duhet treguar vija e kuqe, por për grupe kriminale dhe mafioze që kërcënojnë këdo; gazetarë, media, biznese, gjykatës dhe prokurorë.

Fakti nr.2

Kur ka kaluar rreth një vit nga nisja e operacionit kombëtar “Forca e Ligjit”, autoritetet ligjzbatuese shqiptare duket se janë drejt përmbushjes së gjysmës së objektivit të tyre. Nga 41 grupe kriminale të skeduara, 19 janë goditur në 19 operacione. Pavarësisht presionit të opozitës, medias dhe qytetarëve, me sa duket qeveria është vetëm në gjysmën e rrugës. Deri në plotësimin e objektivit, me shumë gjasa do jetë rrugë e gjatë…

/Reldar Dedaj– Opinion.al


360grade.al


Është mirë të bësh valixhet Kryeministër!

Të tjera