» Pacolli: Tirana të ndërhyjë. Meta: Duhet Unitet Kombëtar. Rama: Jo kompetencë e një personi

Pacolli: Tirana të ndërhyjë. Meta: Duhet Unitet Kombëtar. Rama: Jo kompetencë e një personi

Idetë e korrigjimit të kufijve si pjesë e një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës kanë shkaktuar jo pak reagime në Prishtinë dhe në Tiranë. Propozimi i Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiç per  shkëmbime territoresh është një çështje që nuk përfshinë vetëm Prishtinën, por edhe Shqipërinë, pasi bëhet fjalë gjithë kombin shqiptar dhe jo vetëm një pjesë të tij.

Prania e Shqipërisë në ndjekjen nga afërt të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës është kërkuar sot në mënyrë publike nga numri dy i qeverisë së Kosovës, Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Në konferencën e përbashkët të shtypit me ministrin Ditmir Bushati, Pacolli tha se Shqipëria duhet të mos rrijë duarkryq në këtë proces. “Kam kërkuar nga pala shqiptare të mos rrijë duarkryq dhe të shikojë çfarë po ndodh këndej. Por pala shqiptare duhet të jetë pjesë e synimit tonë, synim kemi dialogun me Serbinë dhe: ose në publik, ose pas kurrizit, të jenë aty. Nëse mundet Bashkimi Europian dhe SHBA të jenë aty, pse të mos jetë edhe Shqipëria?  Shqipëria mund të japë një kontribut jashtëzakonisht të madh.  Kemi biseduar për integrimet rajonale, iniciativa të ndryshme europiane të Kosovës dhe kemi ardhur në përfundim se ndihma, mbështetja e Shqipërisë është jashtëzakonisht e nevojshme”, tha Pacolli.

Deklarata e ministrit Pacolli është apel për përfshirje më të madhe të Tiranës Zyrtare në procesin që po ndodh këto kohë mes Serbisë dhe Kosovës. Kujtojmë se në momentin që Hashim Thaçi prezantoi idenë e korrigjimit të kufijve, Tirana u gjet e papërgatitur pasi nuk kishe asnjë informacion se pjesë e bisedimeve mes dy shteteve është dhe diskutimi i rishikimit të trojeve etnike të kombit shqiptar.

Ftesa e Behet Pacollit shkon në të njëjtën linjë dhe me qëndrimet që kanë mbajtur javët e fundit krerët e shtetit shqiptar. Presidenti Ilir Meta është ndër politikanët e parë që ka reaguar për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës dhe idetë e reja që kanë shpalosur Thaçi-Vucic. Duke theksuar nevojën e arritjes së një marrëveshje që do të sjellë njohjen e pavarësisë së Kosovës, Presidenti Meta ka theksuar se në këtë dialog nuk mund të diskutohet sovraniteti territorial i shtetit të Kosovës, i cili është i njohur një shumicë bindëse e vendeve të OKB dhe BE. “Dialogu Serbi-Kosovë është ndërtuar jo për të ndryshuar realitetin, por për të udhëhequr procesin e pranimit të tij, në emër të paqes e stabilitetit. Ai është parakusht për integrimin evropian të të dy vendeve. Çdo diskutim dhe debat që ndihmon në kuptimin dhe pranimin e këtij realiteti është i mirëpritur. Çdo devijim nga ky realitet, përveçse provokon emocione dhe retorika populiste nuk sjell dobi”,- ka deklaruar Presidenti Ilir Meta në një intervitë për “Abania Daily News”. Lidhur me mënyrën sesi duhet të reagojë klasa politike në Prishtinë dhe në Tiranë ndaj këtyre propozimeve, kreu i shtetit shqiptar ka theksuar nevojën e konsensusi të gjerë dhe unitetit.

Pas një heshtje të gjatë për debatin mbi kufijtë e Kosovës, dje ka reaguar për herë të parë dhe kryeministri Edi Rama. Duke e vlerësuar marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë si një mundësi historike, kryeministri Edi Rama deklaroi se çështja kërkon një vendimmarrje shumë më të gjerë sesa një person i vetëm. Duke dashur të mos ndërhyjë në vendimmarrjen e institucioneve të shtetit të Kosovës, Rama deklaroi se diskutime që përfshijë gjithë kombin shqiptar nuk mund ë jenë objekt i marrëveshjes së një njeriu të vetëm. “Shqipëria ka detyrimin të mbështesë fuqimisht Kosovën dhe në këtë detyrim të ndjekë dhe të presë se çfarë përfaqësuesit e Kosovës mendojnë se për çfarë gjërash janë dakord të bëjmë. Unë nuk mund të bëjë tutorin e Kosovës. Duhet të bëjmë një diskutim të brendshëm strategjik dhe këtë duhet ta bëjnë ata që e drejtojnë Kosovën. Dhe këtë nuk po e shoh që ata ta bëjnë. Shqiptarët duhet të diskutojnë si burra të kuvendit dhe jo hidh e prit në televizion vetëm për t’u konfliktuar. Ne kemi humbur sepse nuk kemi ditur si të sillemi me historinë”, tha Rama në një intervistë për “Top Channel”.

Sigurisht, Kosova ka institucionet e saj kushtetuese dhe klasën politike të zgjedhur që ka përgjegjësi për marrëveshjen që do të nënshkruhet me Serbinë dhe Shqipëria nuk mund të hyjë direkt si palë e tretë në proces. Por për sa kohë që në lojë janë kufijtë, ndarja e territoreve, apo dhe me keq zhvendosje të popullsisë, kemi të bëjmë me skenarë që prekin gjithë kombin dhe parimisht duhet të ketë dakordësi dhe unitet në qëndrime.


360grade.al


Vdekja, ky udhëtim pa kthim…

Të tjera