1. “Digitalb-i” e tregton në kushte monopoli për 25€, ndërsa pajisja në tregjet elektronike kushton vetëm 11 dollarë.
2. 11$ është çmimi për blerës individualë.
3. Nëse negocion në tregjet online për 100 mijë copë, ofertuesit kinezë t’i ofrojnë për 3$ copa.
4. Ka fort të ngjarë që “Digitalb-i” të ketë ndjekur rrugën e pikës 3.
5. Shqiptarët, në kushte monopoli, po e paguajnë 20$ më shtrenjtë për aparat televiziv dixhitalizimin e beftë.
6. “Digitalb-i” sakaq po fiton 28$ për pajisje më tepër nga sa çmimi i kostos, në kushte monopoli.
7. Censusi i fundit i popullsisë tregoi që të pakta janë familjet me vetëm 1 televizor në shtëpi, edhe kur të ardhurat janë të pakta.
8. A nuk mund t’i blinte një ent publik këto pajisje e t’i shpërndante më pas në çmim kostoje?
9. Në pjesën e dytë të Kushtetutës, “Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”, kreu i parë, i parimeve të përgjithshme, neni 18, pika 2, garantohet që askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për gjendjen ekonomike.
10. Në pjesën e dytë të Kushtetutës, “Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”, kreu i dytë, i lirive vetjake, në nenin 23, pika 1, e drejta e informimit konsiderohet si e garantuar.
11. Mësova që edhe kompani të tjera po nxjerrin dekoderat e tyre në treg, me plus-minus 5$, dakord: në rastin më të mirë paskemi të bëjmë me kushte oligopoli, që formalisht i takon një tjetër strukture tregu, por që, sidoqoftë, me gjasë edhe në marrëveshje të heshtur palësh, nuk e lehtëson asfare publikun.
12. “Kuqezi je ti!”, mos e harro sponsorin e kombëtares së futbollit