» Superklasa shqiptare dhe Drejtësia e Re

Superklasa shqiptare dhe Drejtësia e Re

U ndanë më në fund dhe u krijuan më së miri klasat në Shqipëri.
Të pasurit në flirt të përhershëm me pushtetin, në të vërtetë shpesh herë riciklues dhe roje të parave të pushtetit që shkon e vjen dhe pjesa tjetër e shoqërisë, së cilës i paracaktohet, shkalla e klasës shoqërore dhe pasurore, ku do të ngrysë ditët.
Nëse në Perëndim, ka gjithësesi një palë shkallë që të ngjisin, ka pra një ashensor social, që të ngre nga poshtë lart, në Shqipëri, këtë ashensor e ka në diapozicion të vet, eskluzivisht kryeministri i rradhës.
Një konçesion, një tender, një post dhe një askushi nga pikëpamja ekonomike, bëhet befas, edhe brenda një katërvjeçari, në banor i kateve të poshtme të Superklasës shqiptare.
Kjo aftësi “magjike” që u rezervojnë shqiptarët kryeministrave dhe shqytarëve të tyre të rradhës së parë, u ka dhënë atyre një pushtet më shumë, se pushtetit që u ka falur vota.
Më kalimin e viteve, pavarësisht ngjyrave të partive politike nga buron, të superpasurit e Superklasës, si banorë të së njejtës shtresë dhe përfitues të privilegjeve të ngjashme, ata dhe pinjollët e tyre, kanë filluar edhe të martohen me njeri-tjetrin, duke ndërthurur interesa dhe emocione.

Në 27 vitet e fundit, klasa e ishbllokmenëve, u përzie dhe u ngjiz, me ish-shërbëtorët e paradhomave të tyre si edhe sipërmarrësit e rinj, që rast pas rasti dolën më të aftë dhe më të paskrupullt, se ish-shefat.
Qeveritë e Majta dhe të Djathta shqiptare, janë një çorbë e gatuar me të gjitha origjinat, porse detyrimisht me shijen mbizotëruese që lidhet me ishbllokmenzimin shqiptar ish-komunist.
Mirëpo kjo ndarje, dhe themelimi i kësaj superklase në mënyrë thelbësisht arbitrare, gjithësesi përjashtuese e rreptë e pinjollëve të ish-klasave borgjeze dhe të elitës nacionaliste shqiptare të para viteve ’90, duket se ka hyrë në një periudhë paqëndrueshmërie.
Vettingu dhe Drejtësia e Re, që ndoshta do të hyjë në skenën e vendimmarrjes shqiptare, do të vendosë rregulla të reja, që do të përcaktojnë herët a vonë lindjen e klasave të reja dhe të mundësive të reja në shoqërinë shqiptare.
Nëse kjo kryhet, do të përjetonim një përmbysje të re dhe të rëndësishme, në shoqërinë tonë të pushtuar nga korrupsioni i xhepave dhe i shpirtrave.
Kjo sipërmarrje e re, do të kishte një rol historik dhe do të sillte një shpërthim të ri të energjive kombëtare, sepse do të hiqte nga dora e politikës “ashensorët socialë” dhe do të shfaqeshin sakaq talente të reja dhe reale në jetën e përditshme shqiptare, të cilat sot, rrinë padrejtësisht në rradhët e fundit ose largohen të përlotur nga Shqipëria e shanseve te humbura.
Sepse të ëndërosh për të hipur më këmbët e tua, është sot një ëndërr ende e ndaluar në këtë Vend, ku karrierat zënë fill nga paradhoma e kryeministrit apo nga shtrati i zarave të tij.
Kjo dhe është arësyeja, që e vërteta apo gënjeshtra për një Drejtësi të Re, është sot padyshim e vetmja gjë tërheqëse dhe shpresëdhënëse, në kënetën tonë shqiptare.
Mjerim do të ish zhgënjimi./360grade.al/


360grade.al


Rama në fushatë, Opozita në pushime…

Të tjera