» Klopp: Liverpool është ende si Rocky Balboa, jo si Ivan Drago

Klopp: Liverpool është ende si Rocky Balboa, jo si Ivan Drago

Fokusi i Jurgen Klopp është të sigurojë që skuadra e tij të talentuar, Liverpool, të shfaqë tërë potencialin e saj, pas shpenzimeve të mëdha në tregun e transferimeve, në vend që të shqetësohet për mbylljen e hendekut ndaj Manchester City.

Shpenzimet e merkatos së verës te Liverpool ishin më të mëdha se cilido nga rivalët e tjerë të Premier League, duke i shtuar Alisson, Fabinho, Naby Keita dhe Xherdan Shaqirin një skuadre që arriti në finalen e fundit të Ligës së Kampionëve. Duke lënë mënjanë ata që flasin për pritshmëritë dhe forcën e këtij grupi lojtarësh, Klopp pranoi se vetëm rezultatet do të kenë rëndësi, kur të fillojë sezoni, kundër West Ham, të dielën.

“Pritshmëritë e mia janë gjithmonë shumë të larta, për të bërë më të mirën, për të marrë gjithçka nga gara, – tha Klopp në një konferencë shtypi, përpara ndeshjes. – Këto janë pritshmëritë e mia gjatë gjithë kohës si trajner. Duhet të jemi më të qëndrueshëm, ne e dimë këtë. Duhet të jemi më klinikë e më agresivë në momentet e duhura. Mund të përmirësojmë gjithçka. Ne mund ta përmirësojmë lojën tonë ofensive dhe atë mbrojtëse.

A mund ta mbyllë Liverpool hendekun me Manchester City? Të gjithë më pyesni për këtë dhe çfarë duhet të bëjmë. Nuk ka të bëjë fare me “qytetarët”. Manchester City mori tri pikë nga ne, ne morëm tre pikë prej tyre, por e mundëm në lojëra të tjera. Fitoni të gjitha ndeshjet dhe kjo është më e mira, por është shumë e vështirë për ta bërë, sepse jo vetëm “Big Six” lun në Premier League, por edhe të tjerë.

Shihni se si vepron Wolverhampton, Fulham dhe Everton; ata janë të gjithë ambiciozë. Nuk mund të shkojmë atje se jemi Liverpool dhe do ta fitojmë ndeshjen. Kjo ligë është me të vërtetë e vështirë për ne, është e vështirë edhe për ekipet e tjera. Nuk mendoj shumë për atë që duhet të bëjmë. Mendoja për atë që do të bënim para sezonit, por tani duhet të jemi me humorin e kampionatit.

Unë e di që shumë njerëz mendojnë se, ngaqë ishim aktivë në merkato, nuk duhet të na ndalë askush, por kjo është pjesë e biznesit, nuk vendos asgjë. Ne duam të jemi, është e qartë për këdo, kampionët e Anglisë, por si mund ta themi këtë? Po për Manchester United, ç’të them, apo për klubet e tjera…

Kampion në fuqi është Manchester City dhe nuk humbi asnjë lojtar kësaj vere, përkundrazi, mori Mahrez, kështu që “qytetarët” nuk i bën asgjë më të dobët. Ato kanë cilësi të lartë. Ne jemi ende “Rocky Balboa”, jo “Ivan Drago”. Ne jemi ata që duhet të bëjmë më shumë, të luftojmë më shumë, dhe ky duhet të jetë qëndrimi ynë.

Deri tani nuk kemi arritur asgjë. Ne shkuam në finale të Champions-it. Duhet të shkojmë përsëri në atë finale dhe të përpiqemi ta fitojmë këtë herë. Në Premier League është pikërisht e njëjta gjë. Hap pas hapi mund të flasim, por për momentin nuk kemi fituar asgjë. Është sikur shkencëtarët të bëjnë një zbulim dhe ta publikojnë, pa u përpjekur për të parë nëse funksionon vërtet. Prandaj, duhet të jemi si Rocky!”


360grade.al


Pse ka shpallur sulm dhe çfarë parandjen KM-ja?

Të tjera