» Nikollë Lesi: Ju rrëfej politikën e re të jashtëme të Ilir Metës

Nikollë Lesi: Ju rrëfej politikën e re të jashtëme të Ilir Metës

Nga Nikoll Lesi.

Fillimgushti ka nisur me temperatura ekstreme jo vetëm në Portugali e Spanjë, por edhe në shtete çuditërisht të ftohta apo të freskëta si Britania e Madhe, Gjermania deri te Norvegjia, ku dje CNN tha se kjo është një gjë e pa ndodhur në Norvegji. Temperatura në rritje, si pasojë e vetë njeriut që po shkatërron Tokën.

Në Shqipëri, fatmirësisht deri tani nuk ka patur temperatura ekstremisht të larta si disa vite të tjera. Njerëzit, sipas mundësisë, po mundohen të relaksohen në det apo dhe në male. Punë dhe pushime këto ditë. Por kryesisht pushime. Ndërkohë shtetarët e vendit dalin e lëvizin jo vetëm si pushime, por edhe për të dhënë mesazhe për qytetarët, gjithnjë në funksion të turizmit dhe njohjes së bukurive të Shqipërisë, por edhe zonave shqiptare përtej kufinjve. Por jo vetem kaq. Turizmi po shërben edhe për mesazhe të forta shtetrore në raport me ngjarjet përreth kufinjve tanë.

Ilir Meta ka gjetur një mënyrë interesante reklamimi të bukurive shqiptare si këtej kufirit dhe andej, ku ka bukuri shqiptare. Si fillim preku Liqenin e Prespës mes shqiptarëve dhe maqedonasve, si shenjë harmonie mes dy kombëve.  Ai shkoi atje dhe shkroi në facebook: “Në Liqenin mahnitës të Prespës, për të festuar në Manastirin e Shën Marenës, së bashku me banorët e kësaj zone të mrekullueshme, festën e Shën Marenës, e cila i bashkon qytetarët me bukuritë natyrore, shpirtërore dhe njerëzore”.

Mesazhi ishte i qartë për këdo që kupton nga politika rajonale. Më pas nxitoi drejt Veriut të vendit, ku ndaloi të Leqet e Hotit, ku natyrisht, dikur dridheshin leqet e këmbëve pushtuesve, kur shikonin kah zona e Kelmendit. Më pas Presidenti ndaloi në në Vermosh.

Dhe mënjëherë në Plavë e Guci një zonë shqiptare patriote ndër shekuj, por e kapluar nga padrejtësitë e kohës, ka mbetur përtej nesh, por mes nesh si shpirt e komb. Dhe si një natyrë brilante. Kishin nevojë për pak përkrahje shqiptarët e kësaj zone, ndonëse janë kryelartë si vetë malet. Kryetari i Shtetit shqiptar, Ilir Meta ishte atje mes bukurive natyrore të Plavë-Guci. Jo krejt si turist, siç u mundua të thoshte me kujdes. Ishte për të thënë se shqiptarët, kudo ndodhen, mbrohen nga Kushtetuta e Shqipërisë e natyrisht që Presidenti ka detyrimin shtetror e moral të jetë mes shqiptarëve.

Vizitoi me paramendim një kullë 200 vjeçare shqiptare në Vuthaj dhe ku më pas vetë Presidenti shkroi: “Kënaqësi e veçantë të vizitoja sot kullën mbi 200-vjeçare të Çelajve në Vuthaj, që bart histori të lavdishme dhe ruan traditat më të çmuara kombëtare e njerëzore të kësaj treve. Mirënjohje të pakufishme për Ramokun, Bjeshkën, Arbëreshën, Antigonën, Asdrenin, Arditin e të gjithë Çelajt që përkujdesen me aq përkushtim e dashuri për këtë trashëgimi shqiptare”.

Dhe si për ti nxitur në ruajtjen e traditave shqiptare në një botë globale e përpirëse, kryetari i Shtetit bëri një foto edhe me një shqiptar të madh që kontribuon në ruajtjen e vlerave shqiptare. Ja se ç’shkroi Meta më pas: Së bashku me shqiptarin e jashtëzakonshëm, patriot e zemërgjerë, i cili kontribuon për të ruajtur traditat shqiptare të Plavës e Gucisë, z.Bruno Selimaj dhe vëllanë e tij, Aleksin, ju uroj mirëmëngjes dhe një ditë të mbarë nga bukuritë natyrore të pakrahasueshme të kësaj treve, Krojet e Ali Pashë Gucisë, Ujvara Gërla dhe Syri i Kaltër.
Mirënjohje Brunos dhe të gjithë shqiptarëve të Diasporës për kontributin që japin për ruajtjen e traditave në vendlindje por dhe për mbështetjen ndaj të gjithë shqiptarëve që të jetojnë dhe ta shohin të ardhmen e tyre në trojet e të pareve”.

Ishte mesazh inkurajues për këdo shqiptar që ndihmon në këtë drejtim. Dhe nuk ishte foto rastësore. Ishte foto-mesazh patriotik.

Sapo filloi të ndizet temperatura politike në Kosovë, për shkak të një ideje shumë të debatueshme të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për një rishikim kufinjsh mes Serbisë dhe Kosovës, Presidenti shqiptar nxitoi, me kujdes në dukje, të merrte malet e Rugovës në Kosovë. Si një vizitë turistike, por që ishte mesazh jo vetëm reklamues i bukurive të kësaj zonë të Kosovës por duke thënë, pa folur, se tokat shqiptare kudo ndodhen në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni apo Greqi nuk mund të tjetërsohen nga asnjë shtetar apo pushtetar, sado i zoti të jetë. Ato janë troje shqiptare ku duhet fjala e popullit, andej dhe këtej kufinjve shtetrorë.

Ndaj vizita në malet e Rugovës nuk ishte vizitë vetëm për të parë pyjet, ujin apo bukuritë e tjera të Kosovës.

Gjetjet janë përherë veprim i njerëzve të zgjuar dhe shtetarëve. U gjetën Lojërat e Bjeshkëve të Rugovës për të qenë prezent si kryetar shteti i shqiptarëve. Vetë Ilir Meta e ka gjetur mënyrën për të thënë se pse isha në Rugovë të Kosovës. Ja si e përshkruan presidenti Meta: ”Lojërat tradicionale të Rugovës janë një pasuri e vyer e vlerave më të mira të trashëgimisë sonë etnokulturore. 
Kënaqësi e veçantë, që së bashku me mijëra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare, të ndiqja sot në Stankaj të Rugovës, këtë aktivitet sportiv, kulturor e artistik, që na bashkon rreth vlerave më të mira kombëtare dhe njerëzore”.

Publikimi i një foto të kryetarit të shtetit shqiptar me një plak të moçëm të atyre viseve shqiptare, një plak që mbart shekujt e asaj zone të Rugovës, ishte e përzgjedhur me kujdes. Jo si foto artistike, por si foto ku përçon politikën se si duhet gjetur zgjidhja e kufirit me Serbinë. Duhet të kalojë nga dora e shkrumbuar e këtij plaku e jo nga zyrat e freskëta të Prishtinës.

Mesazhi ky ishte!

Dhe për ta justifikuar vizitën turistike, Ilir Meta i fut dhe një Zip-Line ku poston edhe videon ku vetë kalon në një litar shumë të rrezikshëm, ku poshtë ishte greminë.  Video ishte mesazh edhe për politikanët dhe shtetarët e Kosovës, se po rrëshqisni rrezikshëm mbi “litarin” e kufinjve rajonalë, por gremina poshtë është, edhe për politikanët që firmosin pa pyetur popullin e Kosovës dhe jo vetëm atë. Ato janë toka shqiptare dhe nuk mund të firmosen për tu tjetërsuar nga askush.

Në fund të vizitës turistike-patriotike në Kosovë dhe mesazhpërcjellëse, Ilir Meta e mbyll me një foto me dy fëmijë të vegjël dhe ku shkruan: “Me Vlorën dhe Luanin, Rugova duket edhe më e bukur!”.

Dhe ndonëse rastësi emrat e fëmijëve, por mesazhi ishte se duke përdorur emrin Vlora u thoshte se Kosova është pjesë integrale kombëtare dhe shpirtërore e Vlorës, atje ku ngrit flamuri i Pavarësisë më 28 nentor 1912.

Ndaj nuk mund të shisni apo bëni pazare me tokat shqiptare, ju politikanët e Kosovës!

           


360grade.al


Pushimet e gjata të Opozitës dhe syri i shkelur i KM-së

Të tjera