» Demalia: Në përgjigje të Kujtim Çashkut

Demalia: Në përgjigje të Kujtim Çashkut

Nga Ilir Demalia

Kujtim Çashku, në një përgjigje të një statusi që vendosa në Facebook, dhe u publikua dhe nga disa media online shkruan 17 herë fjalën shpifje të lakuar në forma të ndryshme.
Çfarë kam thënë unë që Kujtim Çashku, më akuzon për shpifje?
Fjalë për fjalë kam shkruar të zezë mbi të bardhë: “Nga Kinostudio Shqipëria e Re, e punonjësve të para 1990-ës si skenaristë, regjizorë, operatorë, piktorë, e.t.c, që kanë bërë lutje për t’u bërë anëtarë të Partisë së Punës Shqipërisë, dhe jo njëherë, Kujtim Çashku, 4 here,…”.
Vetë Çashku, e pranon se e ka bërë një kërkesë të tillë pas vdekjes së Enver Hoxhës. Ndoshta e kam gabim shifrën 4 që e permendnin te gjithe ne Kinostudio ku kemi punuar bashkë asokohe, por kjo eshte dytësore. Publiku mund të pyesë se pse ia kujtoj një gjë të tillë Çashkut sepse lutje për parti kanë bërë shumë njerëz, madje janë bërë anëtarë partie e unë nuk merrem me ta. Çashkun e kam permendur si perfaqësues i një kategorie dhe i ndikuar jo nga e kaluara, por më shumë duke parë qëndrimin e kësaj kategorie sot që të bën të mendosh se këta vazhdojnë të bëjnë lutje për të qenë pranë partive për përfitime.

Çashku shkruan për mua; “Mos shpif më, se shpifja nuk të çliron ty nga nga komplekset e trashëguara, helmet apo makthet shpirtërore e mendore të akumuluara ndër vitë”.
Gjuha që përdor në këtë rast është gjuhë urrejtje që nuk mund të flitet kurrë nga një njeri që është përfaqësues i të drejtave të njeriut në Shqipëri. Një gjuhë e helmatisur nga urrejtja e prishjes së qetësisë së ballafaqimit me të vërtetën. Një gjuhë e pakontrolluar nga shfrenimi i prishjes që mund të sjellë ballafaqimi me të vërtetën në lidhje me pazaret e abuzimeve, rrupatjeve, manipulimeve dhe mashtrimeve si dje dhe sot.

Unë mund të kem njemijë çmenduri dhe idjotësira ne jetë qe më kanë dëmtuar mua, por askërkënd tjetër. Kurrë s’i kam shërbyer të keqes dhe as jam konformuar me të duke marrë poza heroi dhe të persekutuar ashtu siç bën Çashku duke mashtruar në funksion të rrupatjes së pronës publike si dje dhe sot.
Kujtim Çashku, më tregon mua dhe ligjet e shtetit amerikan ku unë jamë qytetar i saj e tashmë jetoj prej 26 vjetësh në këtë vend duke mosthyer kurrë nje ligj të këtij vendi, por duke punuar dhe rrojtur me mundin dhe djersën time. Më tregon mua se shpifja, s’ka kurrfarë fare lidhje me lirinë e shprehjes dhe atje si kudo dënohet me Kod Penal. Bujrum, Kujtim Çashku, e pushka tu bëftë top në daç këtu e në daç në Tiranë se e ke betejë të humbur.

“Mos shpif më, se nuk është shpifja ajo që mund të bëj ty gazetar, shkrimtar, apo qytetar fisnik”. Çashku, kush jeni ju, dhe aq më tepër që pretendoni se jeni përfaqsues i të drejtave të njeriut, t’i ndaloni dikujt të drejtën për tu bërë gazetar, shkrimtar, politikan apo qytetar fisnik? Kurrë nuk ke dëgjuar nga goja ime që t’i jape vetes tituj e grada si gjithë lukunia e maipuluesve delirantë, mithomanë në pazarin mediatik – kulturor duke u shitur si intelektualë të kalibrit botëror dhe artiste apo shkrimtare me fame botërore. Sa qesharak, – do të shkruante Konica,- bota qeshet e tallet me ne e disa na përbuzin e ne mendojmë…. Edhe një dekoratë që kisha nga presidenti “Medaljen e artë te shqiponjës” e ktheva mbrapsht. Mos më ngatërro mua me veten apo me lukuninë e delirantëve që shfaqen çdo ditë ne pazarin e katundit mediatik apo kulturor-politik ku përfshihesh dhe ti si intelktualë të kalibrit botëror dhe artiste e shkrimtare me fame botërore që keni çuditur botën! Por ta dish t’i dhe kushdo: askush në këtë botë, nuk mund të më ndalojë mua lirinë time për t’u bërë ç’të dua unë. Per t’u shprehur dhe shkruar të vërtetën ty dhe gjithë taborrit tuaj, që mendoni se duhet aprovimi juaj ashtu si dje që ju emëronin ju partia, për të qenë shkrimtar, gazetar, politikan apo…. Sa për qytetar fisnik atë titull e kam se nuk jam baltosur në llucën e pushteteve të radhës.

Kujtim Çashku, nuk po hyj në tjerrjen e gjatë biografike që ke bëre edhe si i perseketuar edhe si njeri që ndjehesh krenar me luftën nazi-fashiste te prindërve, ku si gjithmonë rrinë me dy lugë ne brez. Por si ka mundësi të jesh edhe krenar për vrasësit e luftës civile edhe për të vrarët nga vrasesit kriminelë të çlirimtares të cilët vranë e pastaj burgosën e rrënuan ajkën e kombit apo i detyruan të syrgjynosen? Ketë po ta thotë një njeri që familja e tij ka qenë e lidhur me LANÇ. Me e pakta që them unë, është se u gjëndën në kohë te gabuar në vend të gabuar dhe te gënjyer, por jo te jem krenar për një luftë vëlla-vrasëse dhe që pasoi me një masakër 45 vjecare duke përfunduar në plumb apo burg edhe ata që kishin kontribuar në këtë luftë. Ose sëpaku hesht.
Se dyti megjithë respektin që kam për familjen Stermasi si tironas vuajtjet e tyre nuk mund t’i marrësh ti sot si kredit të persekutuari. Kur Shikk Stermasi ishte në burg ti studioje në Rumani, e kjo do të thotë jashtë shtetit. A mendon se mund të konsiderohej i persekutuar një njeri që e dërgonin për studime jashtë shtetit në kulmin e terrorit fill pas festivalit të 11 dhe spastrimeve ne kulturë ne fillim vitet 1970, e aq më tepër një njeri kundër regjimit?! Kujtim Çashku, të gjithë ju që shkonit jashtë shtetit me studime, por edhe ato që shkonin me sherbime, kur ktheheshit e kishit për detyre të bënit një raport me shkrim që i dorëzohej Partise e Sigurimit. Interesant do ishte të hapeshin edhe këto dosje. Të dergonin për studime për artin, në Rumani fill pas pleniumit 11, ku më pas në çdo qendër kulture shkruhej me gërma të mëdha ashtu si edhe në hyrjen e hall-it kryesor të Kinostudios, “Shkrimtarët dhe artistët janë ndihmës te parties”. Enver Hoxha.
Realizove nga viti 1976 deri në 1990 realizmin socialist si propogandë dhe shpëlarje truri nëpërmjet kësaj propogande me filmat “Pranverë në zemrat tona”, “Ata ishin katër”, “Pas vdekjes”, “Shokët”, (himn për metalurgjikun e Elbasanit që helmoi gjithë Shqipërinë e mesme) “Dora ngrohtë”, (dora ngrohte e Sigurimit të shtetit me skenar te njeriut sigurimit Neshat Tozaj mikut tënd) “Të paftuarit”, sipas romanit te Kadaresë, “Vrasje në gjueti”, “Balada e Kurbinit” dhe “triumfin” tënd sipas romanit “Dimri i Madh” te Ismail Kadaresë, “Ballë për ballë”. T’i kam pare të gjithë filmat dhe ne dy prej tyre kam marre pjese ne grupin e xhirimit. Në filmin “Balada e Kurbinit” kur xhironim ne Malësite e Shkodres, pjesën ku Timo Floko, kthehet me këmbë te prera të kam dhenë idene per muzikën që eshtë vënë në film, pjesë nga balada e Pink Floyd, “Wish you where here”. Dhe e vure. Dhe idene per te krijuar porten e hyrjes me dy trungje pemësh.

Le të ndalemi ke “Ballë për ballë” meqe e përmend si “trofe” dhe në përgjigjen që më jep mua. Dhe kështu do të rrimë tani ballë për ballë.
Shkruan: “Une kam bëre filmin “Ballë për ballë” qe të fiksoja në imazhe, ty dhe kujtdo tjetër ndarjen nga bota bolshevike, duke përligjur ne imazhe ndarjen historike per çdo lloj nostalgjiku të asaj apo kësaj kohe”. I nderuari regjizor Kujtim Çashku, nostaligjite e kohës apo bolshvizmit gjeji ku te duash se unë kam zgjedhur token amerikane si formim shpirtëror, emocional, kulturor jo sot, por shumë herët. Ne dosjen time 2-A janë faqe e raportime ku thuhet se Ilir Demalia shpreh hapur simpatinë për jetën amerikane, muzikën, sportin e.t.c. Meqe jemi këtu Kujtim Çashku, dhe thua dhe në përgjigjen që më drejton mua, se ke qenë I ndjekur nga Sigurimi për t’u arrestuar që në 1980, pse nuk shkon dhe merr dosjen 2-A dhe mbyll këtë punë, pasi ata që ndiqeshin per agjiticion e propogandë apo veprimtari armiqsore, i hapej dosje 2-B përpunimi dhe pastaj 2-A për arrestim. Mjaft më me manipulime për të simuluar në funksion të së pavërtetës si e vërtetë e gënjeshtrës. Nga 1980-deri në 1990 e di sa here ke shkuar jashtë shtetit Kujtim? Nuk çonte Sigurimi jashtë shtetit ato qe ndiqte për t’i arrestuar, ata as i afroheshin dot kufirit se hanin bataren e plumbave dhe kafshimit e “qenit kufirit”. Ballë për ballë sipas romanit “Dimri i madh” nuk është një libër-film që jep ndarjen nga bota bolshevike dhe shkuarjen e saj drejtë perëndimit. Libër-filmi është monument letrar dhe skenik për diktatorin dhe diktaturën. Diktatori nuk u shkëput nga revizionizmi Hurshovit në 1960 për të shkuar drejtë perëndimit, por në të kundërt, ai u shkëput nga kampi socialist për të vazhduar rrugën staliniste si stalinisti vetëm dhe i fundit në Europë në shtetin më diktatorial dhe më të varfër dhe më të izoluar.
Pra nga viti ‘61 deri në vitin 1973-77 kur eshte shkruar libër-filmi diktatori kishte nënshtruar Shqipërinë duke shkatërruar kultet e besimit, duke kryer “Revolucionin Kulturor Kinez” më ashpër se vetë kinezët duke burgosur dhe terrorizuar një popull të tërë. Duke u bërë simbol i stalinizmit dhe duke krijuar vendin me bolshevik në zemër të Europës. Ju këtë doni ta quani sot largim nga bolshevizmi?! E besoni sinqerisht apo ju duhet për konsum manipulimi gjë për të cilën jeni mjeshtër?!
Me rrënimin e karakatinës diktaturës komuniste, ju dhe tabori e “disidentëve” të sherbimit të propogandës, morët flamujt e lirise dhe të drejtave të njeriut sëbashku me Arben Puton, falsifikatorin tjetër të historisë që deri ditën që vdiq, elitën e kombit të vrarë e pushkatuar nga diktatori e quajti kolaboracionistë. Ky ishte bashkëpuntori juaj për të drejtat e njeriut si emërim partiak i PPSH së gjakrave të shpërthyer nga PPSH te shpërndarë në pluralizëm

Me pas fillove t’i ngjitesh Sali Berishës duke i mësuar dhe body-talk duke realizuar tashme fillimin e realizmit demo(n)kratik me “Kolonel Bunkerin”. Pasi Berisha u rrënua në 1997 dhe dukej që s’do të vinte më në pushtet, ju afrove Fatos Nanos, duke realizuar te dytin realizëm demo(n)socialist me “Syrin Magjik”.

Tani rri si indiferent por re dakord për prishjen e teatrit Kombëtar.
Ky është morali një artisti, intektuali, një njeriu që përfaqëson të drejtat e njeriut kur i dhunon ato? Ky eshtë modeli qe duhet të mësojnë të rinjtë dhe qytetarët? Kjo është përballja për ndërtimin e shtetit të së drejtës, vleravë morale, qytetare?
Kurrë nuk keni pranuar se keni pasur vepra që i shërbyet regjimit dhe të kërkoni falje për të gjithë ate helm propagandistik dhe art banal qe keni bërë. Shikoji Kujtim, ato filma, ti dhe gjithë kineastët, janë tmerr ideologjik, banalitet artistik.
Ja pse nuk ka shpresë në atë vend, se nuk keni përmbysur të keqen brenda vetes, dhe jo vëtëm kaq por doni të na e shisni dhe si vlerë.
Tani vazhdo luftën tënde ligjore për prishje të reputacionit se të paraqitem unë ku të duash. Por po të garantoj se nga akuzues do të kthesh në i akuzuar.
Unë jam me moralin hebraik, sy për sy e dhëmbë për dhëmbë.


360grade.al


Pse ka shpallur sulm dhe çfarë parandjen KM-ja?

Të tjera