» Kroatët dhe nderi i tyre i pacënuar, që frymëzoi shqiptarët…

Kroatët dhe nderi i tyre i pacënuar, që frymëzoi shqiptarët…

Nga Artur Zheji

E kanë dëshmuar jo vetëm në finalen e Botërorit, që janë një popull plot dinjitet, kroatët, të vegjël por të vendosur për të qenë vetvetja dhe “Dikushi”, në Ballkan dhe në Europë.
Shumë shqiptarë ishin tifozë me ta, në këtë botëror dhe kjo më bëri përshtypje të madhe, sepse dikur, pak vite më parë, frankofonët ishin më të shumtë ndër ne.
Dhe mendoj se kjo buron, jo se ka rënë frankofonia në Shqipëri, porse Franca, duket një ëndërr tepër e shkëlqyer dhe e largët për shqiptarët, ndërsa Kroacia, për 1001 arësye u duket më e afërt, ballkanase, por jo e shkapërderdhur dhe e pjerdhur, e vogël, por krenare dhe e fortë, mikpritëse dhe Iliriko-dashëse.
Pra, Kroacia dhe kroatët, përfaqsoi në këtë Botëror futbolli, një model të admirueshëm, të një ambiciejeje botërore, ku ata mbritën, shkëlqyen dhe mbetën deri në fund me kokën lart, ndonëse , fati dhe arbitri nuk ishte me ta…
Në këtë drejtim, tifozeria shqiptare ndaj kombëtares së Kroacisë, fiton një kuptim të ri, shpresën e fshehur të shqiptarëve dhe jo vetëm shpresën futbollistike, se edhe Shqipëria e shqiptarët, kanë mundësi, për nga përmasat e vendit tonë (Shqipëri-Kosovë dhe trevat e tjera shqiptare), të kenë një peshë, një identitet, një rezultat…
Por janë disa detaje të “vogla”, që harrojmë nga Historia e tyre.
Kanë qenë Mbretëri e pamvarur e kroatëve, që në vitin 1100, me mbretin Tomislav. Kanë qenë në vazhdim të historisë, ose pjesë e Republikës së Venedikut, ose e Perandorisë së iluminuar austro-hungareze, për më shumë se 3 shekuj.
Teatrin e tyre madhështor të Operas përshembull, e ndërtoi një nga Perandorët vjenezë, që vinte për pushime apo për klimë më të butë në Zagreb, apo tramvajin, apo edhe lluksin urbanistik që gëzojnë qytetet e mrekullueshme kroate.
Kanë sot që flasim, në zotërim të tyre 1.150 ishuj dhe kanë një kulturë shtetformuese dhe shtetarizëm të admirueshëm, por mbi të gjitha, kanë një atdhedashuri të thellë dhe të pakorruptueshme.
E mbrojtën me luftë Kroacinë, pas pamvarsisë së shpallur në vitin 1991 dhe ishin gati realisht dhe pa dëngla rakije, të flijoheshin për Kroacinë e tyre. Kam qenë 3 muaj korespondent lufte në Zagreb dhe e di mirë për çfarë flas.
Kështu pra, Kroacia që frymëzoi këtë Botëror futbolli mjaft shqiptarë, është shumë më e madhe se sa duket dhe mbi të gjitha shumë më cilësore, nga sa e njohin shumica prej nesh.
Për fat të tyre, nuk drejtohet nga barinj, që ushqehen me qingjat e njomë të tufës, apo që bëjnë marrëveshje me ujqit, cilido qofshin ata, mjaftojnë të paguajnë për çdo kokë dele që hanë.
Nuk e shnderojnë dhe nuk e grabisin vendin e tyre, sepse ndëshkohen rëndë, me votë dhe me burg dhe turpërim publik, si edhe janë ndëshkuar, për shumë më pak se bëjnë, “barinjtë” shqiptarë, në Tiranë apo në Prishtinë…/360grade.al/


360grade.al


Videoeditoriali i Zhejit: Cili është sot shansi i fundit i Kryeminsitrit…

Të tjera