» Përkulja e KM-së para Trump, nevoja për një foto për turmat shqiptare…

Përkulja e KM-së para Trump, nevoja për një foto për turmat shqiptare…

Nga Artur ZHEJI

Kishte padyshim një nevojë të madhe KM-ja shqiptar, për një foto dhe një dorështrëngim me Trump.
Mbërritën ndër ne, banorët e “turmës” së Fshatit Shqiptar, foto dhe versione të ndryshme të Samitit të të mëdhenjve të NATO-s, ku edhe KM-të e vendeve më pak të rëndësishme apo të vogla, ftohen për të krijuar një dekor shumëngjyrësh të “Takimit të madh”.
Sidoqoftë, me zotësi dhe me shkathtësi, KM-ja shqiptar, ja mbërriti të “shkrepet” dhe të përjetësohet afër Trump, të thithë ajër nga ajri që thith ai, të ndajë 1m2 sëbashku me të, të fotografohet ndoshta nga retina e syrit të tij, por ndoshta e mbi të gjitha, u solli shqiptarëve dhe turmave, një “Kupë”-foto, që vlen sa mijëra komente.
Dhe mijërat e komenteve erdhën, “U takuan!”, “Ndoshta u pajtuan!” “Trump e fali! Iku kjo punë…mjerë Opozita tani!”
Tjetër punë se sa sekonda ndenjën në atë 1m2, KM-ja dhe Trump, fotoja rri e palëvizshme edhe me vite dhe mbart, më shumë se sa një video, etiketa dhe komente të porositura sa të duash.
Turmat, e marrin si delet mesazhin, thotë logjika e “komunikuesve” zanatçinj, tani pra, delet mund të hanë të qeta barin e tyre të ditës, sepse bariu nga Tirana, u pa dhe u fotografua puç-puç, në “Stanin e Barinjve të mëdhenj të Botës”…
Dhe nuk është se e kanë shumë gabim “komunikuesit”, të cilët e njohin trurin e deles-popull, ashtu si trurin e deleve të tjera.
E dinte edhe Enver Hoxha vite më par kur u thoshte deleve të tija: “Edhe bar do të hamë” dhe unë nuk iki nga pushteti, dhe ashtu ndodhi derisa diktatorin e morri Perëndia.
Nëse Shqipëria është një “DeleStan”, ashtu do të ndodhë edhe këtu, kot të shpresojmë ndryshe. Nuk e ka pra fajin KM-ja, në fund të të fundit, por “Delerija” dhe DeleStani ku jetojmë.
“Març o KM nga ditët tona!”, kjo këngë mungon ende… por me sa duket do të vijë edhe dita.
KryeBariu më i fuqishëm i Botës, shkëmbeu djersë dhe preku lëkurë të dorës, me Bariun nga Tirana, çiftelia dhe sharkia epike duhet ta përjetësojë këtë. Edhe sazet duhet t’ja marrin fort kësaj dasme, sa të buçasin Fusha e Male…
Vetëm se… a ka bar mjaftueshëm për delet? Kjo është në të vërtetë çështja…


360grade.al


Pse ka shpallur sulm dhe çfarë parandjen KM-ja?

Të tjera