» Terrorizoi me armë diskon në Dhërmi, lihet në burg i riu nga Tirana. Ja çbëri në gjyq

Terrorizoi me armë diskon në Dhërmi, lihet në burg i riu nga Tirana. Ja çbëri në gjyq

Terrorizoi me armë në diskon “Havana” në Dhërmi, del para gjykatës Emiljano Nina. Tri ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në zonën bregdetare, Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë ka zhvilluar seancën për caktimin e masës së sigurisë për të arrestuarin.

Emiljano Nina, mesnatën e së shtunës, qëlloi me pistoletë në disko “Havana” pas një konflikti që pati me një person tjetër. Seanca e drejtuar nga Hektor Sinanaj u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa prokuror i çështjes ishte Kledian Llaho. 23- vjeçari Nina nuk ka pranuar të flasë para gjykatës lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij.

Nina u arrestua pak pas ngjarjes, ndërsa nga ana e Policisë u tha se konflikti kishte ardhur për motive të dobëta, por ende nuk është bërë i ditur identiteti i personit me të cilin është konfliktuar. Gjithashtu, dëshmitarët kanë bërë publike faktin se në disko ka pasur një sherr masiv mes shumë personash, duke goditur njëri-tjetrin me karrige dhe shishe.

Pas ndërhyrjes së Policisë, u bë e ditur se 23-vjeçari Nina ka qëlluar katër herë me pistoletë në ajër dhe për këtë arsye akuzohet për veprat penale “Armëmbajtje pa leje” dhe “Prishja e qetësisë publike dhe kanosje”.

Gjatë seancës së zhvilluar në Gjykatën e Faktit Vlorë, 23-vjeçari Nina nuk ka dhënë asnjë deklaratë apo të flasë rreth ngjarjes, por është njohur me akuzat që rëndonin mbi të. Pas kësaj, gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest në burg”.

Seanca ka zgjatur për rreth 20 minuta, ndërsa më pas 23-vjeçari është dërguar drejt ambienteve të paraburgimit. Mësohet se asnjë prej familjarëve të 23-vjeçarit nga Tirana nuk është paraqitur në Gjykatën e Vlorës.

Lidhur me ngjarjen e ndodhur në disko “Havana”, mësohet se mes të rinjve ka pasur një konflikt të mëparshëm, pasi Nina kishte ngacmuar të dashurën e personit të paidentifikuar që mësohet se është gjithashtu po nga Tirana.

Ngjarja krijoi panik te të pranishmit në lokalin e natës, por fatmirësisht nuk pati të lënduar. E gjitha kjo ka ndodhur në një prej lokaleve më të frekuentuara, duke sjellë një imazh të keq në kulmin e sezonit turistik. Por, nga ana tjetër, ka pasur dhe akuza në drejtim të Policisë dhe Prokurorisë se po fshehin të vërtetën lidhur me këtë ngjarje.


360grade.al


Vdekja, ky udhëtim pa kthim…

Të tjera