» Zëri Amerikës: Viti 2017, Shqipëria me shumë drogë drejt Italisë dhe BE

Zëri Amerikës: Viti 2017, Shqipëria me shumë drogë drejt Italisë dhe BE

Një lajm i transmetuar nga “Zëri Amerikës” (VOA), ku flet për një raport të Drejtorisë Qendrore për Shërbimet e Antidrogës të Italisë thekson se nga Shqipëria gjatë vitit 2017 është shumëfishuar transporti i drogës në drejtim të Italisë dhe BE. Shifrat sipas palës italiane janë të frikshme. Mjafton të lexosh lajmin e “Zëri Amerikës” me burim zyrtar italian dhe del qartë se si mafia shqiptare po bën namin nga territori shqiptar në drejtim të Bashkimit Europian. Ndaj edhe kapja e 3.5 milionë euro cash në automjetin që vinte nga Belgjika mbetet shumë pak në raport me qindra milionë euro që fiton mafia e Shqipërisë. Nuk ka se si shpjegohet bumi i ndërtimëve dhe fshatrave turistikë në vendin tonë,  pasi duket se është një pastrim i plotë parash nga rrjetet kriminale shqiptare.

Pa një mbështetje politike nuk besohet se kryhet ky aktivitet kriminal i rrezikshëm.

Nisur nga ky raport italian dhe nga publikimi prej “Zëri Amerikës” kanë reaguar sot kryetarja e LSI dhe selia e PD.

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, në një deklaratë mediat lidhur me Raportin Vjetor të drogave, publikuar nga Drejtoria Qendrore për Shërbimet e Antidrogës në Itali, tha se është rritur trafiku. Duke folur nga selia e LSI-së, Kryemadhi u shpreh se ka një plan që për 3 muaj të pastrojë vendin nga kjo qeveri.

Në këtë raport thuhet se “Shqipëria është vendi i origjinës së shumicës së sasive të kanabisit që kanë si destinacion tregjet italiane dhe evropiane”. Kryemadhi dënoi qëndrimin talljen dhe përbuzës të Kryeministrit Edi Rama ndaj problemeve dhe theksoi se “çmontimi i kësaj qeverie është hapi i parë që duhet ta bëjmë të gjithë së bashku…

‘LSI ka një plan që për tre muaj ta pastrojë Shqipërinë nga ky llum, nga paratë e pista, ofron taksa të ulëta, konkurrencë të pastër…’, tha kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Edhe Edmond Spaho, kreu i Grupit të PD, ka komentuar raportin e fundit të Antidrogës Italiane, për të cilin gjykon se “i çjerr maskën, qeverisë shqiptare dhe nxjerr në dritë të diellit situatën dramatike në lidhje me kultivimin dhe trafikimin e drogës.

Pavaresisht perallave te kryeministrit dhe sejmeneve te tij, – shkruan Spaho, –  qe eshte eleminuar kultivimi i kanabisit, ne vitin 2017 eshte kapur ne Itali 2 here me shume droge se ne 2016 qe ishte vit rekord. Jemi vendi i pare i origjines per kanabisin qe i dergohet Europes. Grupet kriminale shqiptare jane perhapur gjeresisht ne trafikimin e kokaines nga Amerika e Jugut.

Paraja e grupeve kriminale eshte rritur ndjeshem dhe ato pastrohen lehtesisht ne Shqiperi. Arsyet jane ne kriminalizimin e plote te qeverisjes dhe institucioneve. Kumbari Rama ka ngritur narko shtetin ku qeveria, policia, ushtria, prokuroria dhe nje banke punojne per narkoshtetin dhe Kumbarin. Prandaj nuk na hapen dyert e Europes dhe jemi bere delja e zeze e saj,”- përfundon Spaho.

Raporti i plotë i “Zëri Amerikës” si më poshtë:

“Shqipëria është vendi i origjinës së shumicës së sasive të marijuanës që kanë si destinacion tregjet italiane dhe evropiane”, pohimi vjen nga Drejtoria Qendrore për Shërbimet e Antidrogës në Itali, e cila sapo ka publikuar “Raportin Vjetor” në lidhje me vitin 2017. “Importet e marijuanës në Itali janë rritur ndjeshëm duke arritur në vitin 2017 në një rekord të konfiskimeve, mbi 90 ton nga rreth 41 tonë që ishin në vitin 2016”, vlerëson Raporti duke shtuar se “trendi i konfiskimeve në Itali, lidhet me kultivimin e marijuanës në Shqipëri. Raporti përmend rastin në 2017 “të konfiskimit më të madh të kryer ndonjëherë, në rajonin e Marche-ve, të barabartë me 8 ton marijuanë, të cilat kishin si destinacion Europën Veriore”.

Raporti i antidrogës italiane vlerëson se “ për më tepër klanet shqiptare kanë treguar se kanë një aftësi në rritje të menaxhimit në kultivimin e marijuanës dhe trafikimit të saj”. Sipas dokumentit, ato përdorin bimë me rendiment të lartë dhe metodat gjithnjë e më të larmishme të fshehjes, kultivimit dhe transportimit në brigjet italiane. Nisur nga përmasat e trafikut, sipas Raportit “grupet e krimit shqiptar konkurojnë me organizata të tjera kriminale për kontrollin e pjesëve të rrugëve të trafikimit që arrijnë në Itali, si dhe për menaxhimin e rrjeteve të shpërndarjes së drogës . Nga të dhënat e raportit shqiptarët zinin vendin e parë në rrjetet kriminale të huaja të narkotrafikut të përfshirë në trafikun e drogës me 25 nga 94 gjithësej. Pas tyre vijnë rrjetet nga Gambia dhe Maroku.

Raporti vlerëson se 94 rastet e raportuara në vitin 2017 të trafikimit të drogës janë më të lartat në dekadën e fundit ndërkohë që vlera më e ulët shënohej në vitin 2011, me 49 raste. Raporti i Antidrogës italiane vlerëson se “rrugët e trafikut të drogësqë çojnë drejt kufijve të shtetit italian mbetën të pandryshuara. Shumica e drogave të konfiskuara, afërsisht 95% u kapën jashtë vijës bregdetare, në ujërat territoriale dhe përgjatë kufijve detarë”, vlerëson raporti.

Në zonat kufitare lidhur me trafikun e marijuanës shënohet edhe numri më i madh i shqiptarëve të arrestuar, 41 persona nga 93 të huaj të ndaluar në kufijtë italianë përgjatë vitit 2017 me ngarkesa marijuane.

Por grupet shqiptare nuk e kanë kufizuar aktivitetin e tyre vetëm në trafikun e marijuanës. Raporti i Antidrogës italiane shpreh shqetësimin se “së bashku me ‘Ndrangheta’ në Kalabri, e cila falë një rrjeti kompleksish të lidhjeve ndërkombëtare ka ende një rol kyç në trafikimin e kokainës në Itali, gjatë vitit 2017, dolën në pah, disa grupe të ashpra të krimit të huaj, të përbërë nga shtetas marokene, nigerianë dhe shqiptarë. Veçanërisht këta të fundit, si dëshmi e një hopi cilësor në aftësitë e tyre operative, konkurrojnë me grupimet e tjera kriminale, kontrollin e segmenteve të rrugëve të trafikut në Itali dhe drejtimin e rrjeteve të shpërndarjes në territorin kombëtar të substancave kryesore narkotike”.

Sipas shifrave të publikuara në raport shtetasit shqiptarë vijnë të dytët në personat e huaj të arrestuar për trafik dhe shpërndarje të kokainës (me rreth 1.100 persona të arrestuar) . Raporti vlerëson se nga 14,000 persona të huaj që janë përfshirë në vepra të drogës në Itali përgjatë vitit 2017, nga të cilt janë arrestuar më shumë se 10 mijë, rreth 2.000 persona kanë qenë nga Shqipëria

Raporti i policisë italiane vë në dukje shtrirjen e aktivitetit edhe në Europë të grupeve shqiptare të cilat “renditen mes atyre më aktive, sa i përket mundësive operative, duke nisur nga aftësitë e kontrollit në fazën e zbarkimit dhe tërheqjes së furnizimit në portet hollandeze dhe belge, të përdorura për futjen në Europë të kokainës, duke shfrytëzuar aftësitë e infiltrimit në strukturat logjistike dhe portuale të lëvizjeve të kontenierëve. Hetimet – sipas Raportit – kanë dokumentuar organizimin kapilar të rrjetit të shpërndarjes së kokainë në territorin europiane që lidhet me organizata kriminale shqiptare, si dhe mundësitë e mëdha në mjete dhe persona që përdoren për këtë qëllim”./VOA/

Deklarata e plotë e Kryetares së LSI, Monika Kryemadhi:

Raporti tronditës i Drejtorisë së Antidrogës Italiane demaskon përfundimisht qeverinë shqiptare dhe ndërkombëtarët që heshtën.

Ja çfarë paraqet shumë qartë raporti:

1.”Shqipëria është vendi i origjinës së shumicës së sasive të kanabisit që kanë si destinacion tregjet italiane dhe evropiane’.

2. Vetëm në vitin 2017, mbi 90 ton janë kapur nga rreth 41 ton që ishin në vitin 2016″.

3.Klanet shqiptare kanë treguar se kanë një aftësi në rritje të menaxhimit në kultivimin e marijuanës dhe trafikimit të saj’.

4. “Grupet e krimit shqiptar konkurrojnë me organizata të tjera kriminale europiane për kontrollin e territorit të rrugëve e të trafikimit të drogës.

5.Shqiptarët zënë vendin e parë në rrjetet kriminale të huaja të narkotrafikut të përfshirë në trafikun e drogës.

6.Raporti vlerëson se 94 rastet e raportuara në vitin 2017 të trafikimit të drogës janë më të lartat në dekadën e fundit ndërkohë që vlera më e ulët shënohej në vitin 2011, me 49 raste.

8.”Por grupet shqiptare nuk e kanë kufizuar aktivitetin e tyre vetëm në trafikun e marijuanës. Raporti i Antidrogës italiane shpreh shqetësimin se ‘së bashku me ‘Ndrangheta’ në Kalabri, e cila falë një rrjeti kompleks të lidhjeve ndërkombëtare ka ende një rol kyç në trafikimin e kokainës në Itali, gjatë vitit 2017.

9.”Shqiptarë vijnë të dytët në personat e huaj të arrestuar për trafik dhe shpërndarje të kokainës (me rreth 1.100 persona të arrestuar).

Kurse nga 10 mijë të huaj të arrestuar për trafik droge, 2000 janë shqiptarë.

Raporti tregon që propaganda e paguar e Edi Ramës nuk duhet të na verbojë por të na zgjojë.

Të parat duhet Ne nënat dhe gratë të bëhemi bashkë për të shpëtuar fëmijët dhe familjet shqiptare.

Po na shkatërron rininë dhe të ardhmen.

Po na shkatërron kulturën dhe historinë.

Po na shkatërron themelin e shtetit, vlerat mbi të cilat ky vend mbijetoi për shekuj të tërë.

Raporti i fundit është dëshmia e qartë e rrënimit ku e ka çuar vendin Edi Rama dhe banditizmi i tij.

Askush më parë nuk ka qenë kaq thellë i përfshirë në trafiqe dhe llumin e bandave.

Askush më parë nuk ka qenë kaq arrogant dhe tallës ndaj probleme dhe halleve të shqiptarëve.

Askush me pare nuk i ka shpallur lufte biznesit, intelektualeve, teatrit duke qene thjesht armik i popullit te vet.

LSI ka në plan që për 3 muaj të pastrojë Shqipërinë nga droga dhe llumi i Edi Ramës.

Të çmontojë këtë qeveri dhe të shembi këtë sistem dhe për 3 muaj Shqipëria ti kthehet normalitetit dhe zhvillimit ekonomik.

Sekuestrim të pronave mafioze dhe pastrim të Shqipërisë nga paratë e pista

Taksat e ulëta

Konkurrenca e pastër

Zhdukja monopoleve

Rikthimi i barazisë dhe demokracisë.

Shëndetësi dhe arsim të barabartë për të gjithë pa dallim bindje politike.

Të shpëtojmë trashëgiminë  kulturore.

Të shpëtojmë identitetin tonë.

Çmontimi i kësaj qeverie është hapi i parë.


360grade.al


Përkulja e KM-së para Trump, nevoja për një foto për turmat shqiptare…

Të tjera