» E gjithë bota i duartroket, ja kush janë 4 marinsat që qëndruan 18 ditë në shpellë

E gjithë bota i duartroket, ja kush janë 4 marinsat që qëndruan 18 ditë në shpellë

Pas 18 ditëve që kishin kaluar të ngujuar në shpellë, marina tajlandeze me pjesëtarët profesionistë, zhytësit dhe ekipet vullnetare të shpëtimit nga vendet e ndryshme të botës, kanë arritur t’i shpëtojnë 12 djemtë dhe trajnerin e tyre të futbollit.

Pas aksionit për shpëtimin e tyre që e ka ndjekur e gjithë bota, një fotografi ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve. Në të shihen katër pjesëtarët e marinës tajlandeze që kanë qëndruar në shpellë ndërsa të gjithë djemtë dhe trajneri i tyre u shpëtuan.

Fotografia është shkrepur disa momente para se të braktisin shpellën, pasi u siguruan që të gjithë djemtë e ngujuar në të kanë shpëtuar dhe janë nisur për spital për trajtim. Ata kishin mbetur të ngujuar për plot 18 ditë në shpellë në pjesën veriore të Tajlandës, kurse aksioni për shpëtimin e tyre ka zgjatur tri ditë, ku djemtë janë nxjerr një nga një. Megjithatë këta zhytës kishin qëndruar tërë kohën me djemtë, shkruan tg.

Lideri i ekipit për shpëtim dhe njëherazi guvernatori i provincës Chiang Rai ku gjendet shpella, Narongsak Ostoanakorn, e ka përshkruar misionin si “ekipi i kombeve të bashkuara”, për faktin se në të ka pasur specialistë dhe vullnetarë nga Britania e Madhe, Kina, Mianmari, Laosi, Australia, SHBA-të, Japonia dhe shumë vende tjera.

Megjithatë në misionin e kërkim-shpëtimit të djemve ka humbur jetën një zhytës, bëhet fjalë për ish-marinsin Saman Kunan, i cili humbi kishte mbetur pa oksigjen nën ujë. Ai po kthehej nga vendi ku kishin mbetur të ngujuar djemtë, të cilëve u kishte dërguar bombolat me oksigjen, dhe ndërsa po kthehej në bazë mbeti vetë pa oksigjen nën ujë, ku si pasojë humbi jetën.

Në aksionin për të shpëtuar djemtë u angazhua edhe milioneri amerikan Elon Musk, i cili kishte angazhuar ekipet e tij si dhe “nëndetëset” e vogla brenda të cilave mund të futeshin djemtë dhe të nxirren të sigurt nga shpella. Ato kishin madhësinë e një fëmije, dhe mund të lundronin në tunelet e ngushta të shpellës që ishin mbushur me ujë. Megjithatë, deri te përdorimi i tyre nuk erdhi, pasi ekspertët vlerësuan se më e sigurt do të ishte dërgimi i zhytësve me bombola të oksigjenit.

Gjatë ditës janë publikuar pamje rrëqethëse, që tregonin terrenin e vështirë nëpër të cilin kanë kaluar djemtë dhe zhytësit që i kishin shoqëruar duke ua mbajtur bombolat e oksigjenit. Ata vazhdimisht mbaheshin për një litar që i drejtonte drejt hyrjes në këtë shpellë. Sidoqoftë, Tajlanda ka filluar të festojë shpëtimin e djemve dhe trajnerit të tyre, dhe në të gjitha rrugët e qyteteve janë vënë fotografitë e tyre dhe mbishkrimet ku falënderohen autoritetet e vendit, e në veçanti të gjithë ata që kanë marrë pjesë në operacionin e kërkim-shpëtimit.


360grade.al


Vdekja, ky udhëtim pa kthim…

Të tjera