» Vendimi nga 1 korriku/ Eksperti: Ja sa rriten pensionet për çdo kategori

Vendimi nga 1 korriku/ Eksperti: Ja sa rriten pensionet për çdo kategori

Prej datës 1 korrik të këtij viti, rreth 730 mijë pensionistëve nga mbarë vendi iu lind e drejta të përfitojnë një rritje pensioni prej 2.8%, bazuar në vendimin më të fundit të qeverisë. Në një intervistë ekskluzive për ‘Gazeta Shqiptare’, Sabah Goci, ekspert pensionesh, me një eksperiencë 21 vjeçare në ISSH tregon të gjitha kategoritë që do të përfitojnë nga rritja. Kështu rritjen do e përfitojnë të gjithë ata që marrin pension pleqërie, pension invaliditeti, familjar, nënat me shumë fëmijë si dhe ata që janë të përfshirë në skemën e trajtimit financiar të ushtarakëve; skemën e ish-punonjësve të nëntokës, pra minatorët; skemën e pensioneve suplementare të punonjësve të lartë të shtetit etj. Më tej, eksperti konkretizon nëpërmjet shembujve sesa do të jetë shtesa, bazuar në masën e pensionit të individit, bazuar në pensionet e llogaritura para dhe pas janarit të 2015-ës.

Por eksperti ndërkohë thekson se kjo nuk është një rritje pensionesh, por një indeksim, një detyrim i Këshillit të Ministrave që mbron pensionet nga ajo që quhet “gërryerja” e përditshme e inflacionit. Goci bën me dije për të gjithë të interesuarit që preken nga vendimi se shtesa minimale kap shifrën prej 369 lekësh të reja në muaj, ndërsa shtesa maksimale arrin në 980 lekë; kjo bazuar në masën e pensionit. Pra, sa më e madhe të jetë masa, aq më e lartë edhe shtesa e përfituar pas indeksimit me 2.8%.

Këshilli i Ministrave vendosi që pensionet të indeksohen me 2.8%. A është realizuar realisht ky indeksim?
Natyrisht pas votimit të vendimit të qeverisë mbi indeksimin e pensioneve; vetë realizimi i tij ka patur probleme teknike dhe organizative. Por dua të theksoj se prej datës 1 korrik të këtij viti, ashtu siç thuhej në vendim, të gjithë pensionistët e morën pensionin me rritje, pra me shtesën. Për këtë duhet përgëzuar veprimtaria dhe praktika e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Çfarë përfaqëson indeksimi i pensioneve me 2.8%, a?
Në gjuhën e përditshme kjo quhet rritje pensioni por realisht është indeksim, pra një detyrim i Këshillit të Ministrave për të indeksuar masën e pensioneve; të atyre që janë gjendje dhe të pensioneve të reja që priten të lidhen. Duhet të kuptohet se indeksimi është një tregues, një koefiçent që mbron pensionet nga ajo që quhet “gërryerja” e përditshme e inflacionit. Mendoj se ky indeksim me 2.8% ka qenë mbi nivelin e inflacionit. Por për të shkuar te termi rritje duhet ti referohemi mundësive financiare që ka buxheti i shtetit, pasi ky i fundit përballon çdo ndryshim që bëhet në masën e pensioneve. Ky fond varion nga 1.8 miliardë lekë dhe është goxha i konsiderueshëm për skema të tilla e buxhetete të tilla për Shqipërinë.

Sa është numri i individëve që do të përfitojnë nga shtesa e pensionit?
Vetëm numri i përfituesve të pensioneve të pleqërisë, invaliditetit, të parakohshëm, të reduktuar, pra të përfshirë në skemën 7803, arrin në 630 mijë persona ku aplikohet vendimi i indeksimit të pensioneve. Por nga kjo rritje do të përfitojnë edhe rreth 100 mijë individë të përfshirë në skemat e tjera. Pra, në total, do të përfitojnë shtesën mbi pension rreth 730 mijë persona në mbarë vendin.

Sa variojnë shifrat e rritjes së pensioneve pas 1 korrikut të këtij viti?
Po japim disa shembuj të influencave të rritjes mbi masat e pensioneve, të cilat ndahen në dy grupe. Në grupin e parë bëjnë pjesë pensionet stok të llogaritura deri në 1 janar të vitit 2015 e më përpara; ndërsa në grupin e dytë futen pensionet e llogaritura pas 1 janarit 2015-të e deri më sot. Nëse marrim një masë pensioni minimal të llogaritur para 1 janarit 2015, masa para indeksimit ishte 13563 lekë, ndërsa me aplikimin e rritjes, i bëhet një shtesë prej 369 lekësh, pra këtij pensioni minimal stok. Ndërkohë pensioni maksimal prej 27126 lekë, i shtohet një vlerë prej 739 lekësh. Pensioni i fshatit që ishte 9071 lekë shtohet me 247 lekë, pra janë influencat që marrin pensionet gjatë procesit të indeksimit.

A marrin kompensim të ardhurash, pensionet e llogaritura para 1 janarit të vitit 2015-të?
Po! Pensionet e llogaritura para vitit 2015-të, marrin edhe një kompensim të ardhurash. Ky kompensim përfaqëson përafrimin e pensionit minimal për ta çuar pranë pensionit mesatar, pasi ky i fundit në 2017-ën ishte 15527 lekë i realizuar nga pensionet e reja të lidhura. Po të marrim pensionin minimal prej 13000 lekësh, i shtohet kompensimi për ta përafruar me pensionin mesatar. Pra kompensimet e bëra me vendime specifike të Këshillit të Ministrave për të përafruar tendencën e pensionit minimal, pra për ta përafruar me pensionin mesatar janë të kësaj natyre.

A do të ndihet indeksimi prej 2.8% tek pensionet e përllogaritura pas janarit të vitit 2015?
Pas 1 janarit të 2015-ës, ka ndryshuar mënyra e llogaritjes së pensioneve, dhe ka bërë që të hiqet tavani i pensioneve në përllogaritje. Edhe kjo kategori pensionesh e ndjen rritjen pasi pëson rritje pensioni social. Nëse ky i fundit ka qenë 7100 lekë, ai pas indeksimit shkon rreth 7300 lekë dhe kur bashkohet me pjesën e llogaritur të pensionit jep influencën e vet. Pra 2.8% i indeksimit ndihet edhe për pensionet që do të lidhen pas korrikut 2018. /GSh/


360grade.al


Pse o Ramë, Shqiponja në hyrje të Tiranës të duket vulgare? Ke kandiduar për stilist të Kombit?

Të tjera