» Shpikja e Km-së: S’ka “Armiq të brendshëm”, “armiku” është Opozita!

Shpikja e Km-së: S’ka “Armiq të brendshëm”, “armiku” është Opozita!

Nga Artur ZHEJI

Nuk ka më LSI, në qeveri. Nuk ka më aleatë fajtorë dhe mëkatarë, të cilët, “shkatërrojnë natën, atë që ndërtohet ditën” nga Rama &, sepse të gjithë ministrat dhe drejtorët socialistë, apo të socialistizuar nën hyqmin e Km-së, janë të pastër dhe të ndershëm.
“Ne nuk jemi njësoj me ata!” është një nga shprehjet që ay, Km-ja, e thotë shpesh kur gjindet ngushtë dhe kur është rrafsh me shpatulla pas murit.
Pra, thotë dhe kërkon të na mbushë mendjen ay, kemi 2 Shqipëri dhe 2 lloj shqiptarësh, ata që punojnë dhe shërbejnë për Km-në, të “Mirët dhe të ndershmit” dhe ata që janë kundërshtarë politikë, të “këqinjtë dhe grabitqarët shkatrrimdashës!…”
Kjo ftesë për popullin, që ta shohë “bardhë e zi”, realitetin shqiptar, është një groshë e vjetër, e mejhanes propagandistike puniste (e ish Partisë së Punës), që brezi im dhe i Km-së, e ka jetuar dhe e njeh fare mirë.
Propaganda e ish-Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe e propaganda e sotme: “Shqipëria që duam”, e që lëvrohet në ERTV-në e Km-së, ka tashmë të njejtën skemë bardh e zi, të këqinjtë, “armiqtë” e Partisë (dje të Partisë së Punës, sot të Partisë Socialiste), janë edhe armiqtë e Shqipërisë (dje Shqipëria Socialiste, sot Shqipëria që duam).
Ku shkon kjo platformë lufte klasash dhe kjo ndarje në dy Shqipëri e vendit tonë edhe kështu krejt i vogël?
Shqipëria e Mirë dhe Shqipëri e Keqe, Shqipëria e Shpëtimtarëve misionarë dhe Shqipëria e Maskarenjve shkatërrimtarë…
Kjo nuk është një qasje naïve dhe retorike, por është një tendencë e rrezikshme për të përligjur një fushatizëm politik të përhershëm, që krijohet qëllimshëm me sa duket, që Km-ja, të ketë në xhep helm dhe helmatisje të mjaftueshme përçarëse, sipas parimit hoxhist të mirëkolauduar: Një popull i përçarë sundohet më lehtë!… Sepse mjerisht pikësynimi është vetëm sundimi dhe iluzioni i përjetësimit të pushtetit politik dhe jo vetëm.
Sepse, sikundër dhe kanë ardhur punët, Km-ja, e ka të vështirë të konceptojë jetën e vet pa pushtet maksimal, pasiqë ka bërë kaq dëme ndër njerëz dhe ish-miq e ish-partnerë, saqë ndjehet i friguem me mbet pa pushtetin mbrojtës një ditë të bukur…
Ky përfundim nuk më gëzon aspak në planin personal, porse kjo është thjesht e vërteta e hidhur e Km-së dhe tensioneve që krijohen natyrshëm nga një qeverisje të cilën propaganda ka filluar ta pikturojë sikur: Të mirët qeverisin, kurse opozitarët, të këqinjtë dhe baltosësit me një fjalë, janë sabotatorë të “Shqipërisë që duam”, apo e thënë troç, të asaj Shqipërie që do Km-ja.
Një çiflik që adhuron Beun dhe taksidarët e tij dhe që është gati të dhurojë ditë jete nga të vetat, për beun e fshatit dhe oligarkët e tij…


360grade.al


Pse o Ramë, Shqiponja në hyrje të Tiranës të duket vulgare? Ke kandiduar për stilist të Kombit?

Të tjera