» Erion Veliaj fiton “betejën”, por “lufta”e artistëve nuk ka mbaruar…

Erion Veliaj fiton “betejën”, por “lufta”e artistëve nuk ka mbaruar…

Nga Artur ZHEJI

Kryetari i Bashkisë, ndërmori një bashkëbisedim të vështirë me artistët, të lidhur shpirtërisht dhe egzistencialisht me Teatrin.
Ndoshta është e parakohshme të këndohet një këngë apo të hidhet një valle me këtë rast, sepse fjala thotë: “Djalli fshihet në detaje…”

Gjithësesi, rruga e ndjekur nga Veliaj, shmangu arrogancën e administratës së qeverisë dhe rrëfeu ndryshimin e thellë të kulturës së komunikimit, ndërmjet tij dhe përgjegjësve të tjerë të kësaj çështjeje, krejt të pashijshëm dhe shpesh krejt inkopetentë…
Nuk e dimë ende se si, kompania “Fusha”, do të marrë përsipër ndërtimin e një teatri të ri, pa marrë ndonjë pëllëmbë truall, nga trualli i Teatrit, ndoshta do ta pësojë “pedonalja” e bukur dhe shumë milionaeurshe, që ndërtojë Rama, vite më parë, ndoshta do ta pësojë “kalaja”…
Jemi realisht në terr, se si do të “kompensohet” firma “Fusha”, por gjithësesi, nuk duhet të mos themi një “Mirë!”, në këtë rast dhe për këtë temë, për Veliajn, që e la në heshtje të plotë ministren Kumbaro, gjithësesi me bashkëpunimin e saj dashamirës.

Personalisht gëzohem, që artistët ndjehen më në fund të dëgjuar dhe të begenisur si i ka hije, një vendi në fillimet e qytetërimit të tij…
Më vjen mirë për Ndrenikën e pamposhtur, për Asqeriun drithërues, për Derhemin, për Çipën, Budinën dhe regjizorin me talent të veçantë Altin Basha, si edhe të tjerë që nuk mund ti përmend, më vjen mirë për aftësinë vetë-organizuese të artistëve në vetëmbrojtjen e tyre publike, ashtu si nuk ka ndodhur kurrë më parë…

Bukur, nurshëm, europiançe, për të mos ja patur zili, asnjë kryeqyteti të kulturuar të botës së qytetëruar.
Një revolucion i vërtetë, pa gurë, shkopinj apo të shtëna, porse një valë presioni që u rrit shkallë shkallë dhe rrëmbeu zemrat e kryeqytetit dhe jo vetëm, që dolën në mbrojtje të teatrit të tyre…
Dhe kjo është e mrekullueshme, është një faqe e bardhë, në një vend ku na mbyt kronika e zezë dhe dështimet e njëpasnjëshme të së “Arësyeshmes” dhe superfitimet e “Babëzisë”!…
Më vjen mirë edhe për Veliajn, që si një ish djalë i vuajtur në fëmijërinë e vet, diti, ndryshe nga të tjerë, të kuptojë dhe të respektojë vuajtjen e të tjerëve, që rrezikonte tu shëmbej shtëpia e tyre e artit dhe e jetës së përditshme.
Një lajm i mirë pra, le ti gëzohemi…


360grade.al


Vdekja, ky udhëtim pa kthim…

Të tjera